Abdixhiku uron ShBA-në për Ditën e Pavarësisë: Model i shumë popujve anekënd globit, aleat i përhershëm i Kosovës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka uruar qeverinë dhe popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), cila feston 248 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.
Abdixhiku ka thënë se 4 korriku i vitit 1776 shënon datën e lindjes së një vendi që identifikon luftën për lirinë e të gjithë popujve, për demokracinë dhe prosperitetin në botë.
“4 korriku i vitit 1776, shpallja e pavarësisë së ShBA-së padyshim shënon datën e lindjes së një vendi që identifikon luftën për lirinë e të gjithë popujve, për demokracinë dhe prosperitetin nëpër botë. Në historinë politike të krijimit të shteteve, ShBA-të janë themelues dhe pishtar i të drejtës universale për të jetuar të lirë secili popull kudo në botë”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar e ShBA-ja është sinonim i kombit të madh që angazhohet përherë për një botë më paqësore dhe më të sigurt.
“Sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sinonim i kombit të madh, që angazhohet përherë për një botë më paqësore dhe më të sigurt. Ato janë motiv dhe model i shumë popujve anekënd globit për liri, paqe e demokraci”, ka thënë ai.
Ndërkaq për Kosovën, Abdixhiku ka thënë se ShBA-ja ka qenë është dhe do të mbetet aleat i përhershëm strategjik.
“Edhe për Kosovën ShBA-të kanë qenë, janë dhe do mbesin aleat i përhershëm strategjik, pa mbështetjen e të cilëve vendi ynë do ta kishte të pamundur lirinë, krijimin dhe konsolidimin e shtetit. Aleanca me ShBA-të është e përmbledhur qartë në postulatin e atit themeltar të Republikës, presidentit historik Rugova: ;Kosova shtet i pavarur e sovran, i integruar në NATO e BE, dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës’. Vizioni politik i yni është i qartë; duhet ta ndjekim orientimin natyral politik drejt vlerave perëndimore e integrimin në strukturat euro-atlantike”.
“Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, uroj qeverinë dhe popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ditën e Pavarësisë. Urime Ditën e Pavarësisë ShBA! Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Zoti e bekoftë miqësinë në mes dy vendeve tona!”, ka thënë ai.