Abdixhiku vazhdon vizitat nëpër biznese: Duhet të promovojmë dhe fuqizojmë bizneset e vogla
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka vazhduar vizitat nëpër bizneset në vend.
Ai të hënën e ka vizituar “Farm Market”, i cili ofron produkte ushqimore të kultivuara nga familjet dhe bizneset e vogla vendore.
“Sot, vizitova ‘Farm Market’, një thesar i veçantë. I drejtuar nga Yllka dhe Sokoli, një çift i përkushtuar që mishëron vet shpirtin sipërmarrës në Kosovë, Farm Market ofron produkte ushqimore të kultivuara nga familjet dhe bizneset e vogla vendore. Çdo produkt këtu, nga djathi e deri tek ajvari, nga reçeli e deri tek mjalti, ka një tregim unik për të treguar, një familje pas saj, një traditë që ruhet e kultivohet në secilën prej këtyre familjeve”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.
Ai ka pohuar se tregimet si këto kanë nevojë për mbështetje shtetërore.
“LDK-ja e njeh mirë rolin vendimtar që këto biznese të vogla familjare luajnë në ekonominë kombëtare. Prandaj po flasim me to, siç dhe jemi të përkushtuar për të krijuar një mjedis ku ndërmarrje të tilla mund të arrijnë potencialet më të larta. Plani ynë parasheh, përtej ofrimit të granteve, aftësimit e formalizimit të prodhuesve të vegjël, dhe zhbërjen e gjithë burokracisë së letrave, që është bërë tashmë një mur i pakapërcyeshëm mes shtetit dhe bizneseve të vogla familjare”, është shprehur Abdixhiku.
Ai ka thënë se vizita në “Farm Market” dhe biznese të tjera familjare gjatë dy javëve të fundit, vetëm sa e kanë forcuar bindjen e adresës së tyre zhvillimore.
“Ne duhet të mbrojmë, promovojmë dhe fuqizojmë bizneset tona të vogla. Ata janë shtylla kurrizore e komunitetit dhe ekonomisë sonë”, ka deklaruar Abdixhiku.