Abdixhiku viziton familjen Rugova: Presidenti na mësoi rëndësinë e miqësisë së përhershme me aleancën euroatlantike

21 janar 2025 | 11:53

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në 19-vjetorin e ndarjes nga jeta të ish-presidentit Ibrahim Rugova, ka thënë se ai me vizionin e tij kishte krijuar platformën politike që pati udhëhequr popullin e Kosovës drejt ndërtimit të shtetit.

Ai ka thënë se Rugova “na mësoi rëndësinë e unitetit, këmbënguljes dhe miqësisë së përhershme me aleancën euroatlantike dhe botën demokratike, vlera këto që na udhëzojnë e i japin kah rrugëtimit tonë të sotëm”.

“Sot, në 19-vjetorin e ndarjes nga jeta të presidentit historik të Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, përulemi me respekt e mirënjohje përballë trashëgimisë së tij monumentale, dhe kujtojmë jetën dhe veprën e themeltarit të shtetit të Kosovës dhe prijësit historik të vendit që udhëhoqi popullin tonë drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Më 21 janar të vitit 2006, Kosova humbi arkitektin e saj themeltar, njeriun që me urtësinë dhe vizionin e tij e drejtoi vendin tonë në kohët më të vështira. Ibrahim Rugova, themelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe udhëheqës i lëvizjes më të madhe kombëtare për liri, qëndroi si shtyllë e fortë e përpjekjeve tona për një shtet të lirë dhe të barabartë në mesin e familjes euroatlantike”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.

Abdixhiku ka theksuar se përkushtimi i tij ndaj vendit e popullit të tij e ka shndërruar atë në një simbol ndërkombëtar të rezistencës paqësore.

“Vizionar e i palëkundur, ai krijoi platformën politike që udhëhoqi popullin tonë drejt ndërtimit të shtetit. Presidenti Rugova, me veprën e tij unike, na mësoi rëndësinë e unitetit, këmbënguljes dhe miqësisë së përhershme me aleancën euroatlantike dhe botën demokratike, vlera këto që na udhëzojnë e i japin kah rrugëtimit tonë të sotëm drejt të ardhmes me moton: Kosova, shtet i pavarur e sovran, e anëtarësuar në NATO dhe në BE, e me miqësi të përhershme me ShBA-të! Sot, teksa përulemi për të nderuar kujtimin e tij, reflektojmë mbi gjurmët e tij të pashlyeshme në historinë e vendit dhe sot, më shumë se kurrë, ndjejmë nevojën për ta mbajtur gjallë frymën e tij në çdo hap që ndërmarrim për të ardhmen e Kosovës. Ibrahim Rugova mbetet figura më e madhe politike e historisë sonë, një simbol i përjetshëm i sakrificës dhe përkushtimit ndaj atdheut. I përjetshëm kujtimi për presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugova! Presidenti ka vetëm ditëlindje!”, ka shkruar Abdixhiku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Inaugurimi i presidentit të ri të SHBA-së, Donald Trump, mund…