Abdullahu: Nuk do të ketë krizë për ujë, por Kosova nuk ka resurse të bollshme
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, në një takim me mediat ka treguar për gjendjen në fabrikën e ujit.
Shefi ekzekutiv i Ujësjellësit “Prishtina”, Ilir Abdullahu ka thënë se Kosova nuk ka resurse të mjaftueshme për të qëndruar komod, mirëpo tha se dy vitet e ardhshme nuk do të ketë krizë.
“Për dy vitet e ardhshme nuk besoj se do të ketë krizë për ujë, por Kosova nuk ka resurse të bollshme për të qëndruar komod”, tha Abdullahu.
Ai tha se shumë shpejt do të mbyllet cikli i mungesës së ujit në regjionin e Prishtinës, duke treguar edhe planet e Ujesjellesit “Prishtina”.
“Punimet vetëm sa kanë filluar dhe do të mbyllet cikli i mungesës së ujit në regjionin e Prishtinës. Ne mbulojmë rreth 600.000 banorë dhe kemi 3 plane vjetore: menaxhimin e thatësirave, strategji për humbjet dhe një strategji për furnizim në raste emergjente”, theksoi Abdullahu.
Ai ka theksuar se nga kjo kompani humb 56% e ujit që shpërndahet, si pasojë e kyçjeve ilegale dhe ujëmatësve jo të duhur.
“Kemi humbje të ujit 56% nga sasisa e përgjithshme. Mbi 75% janë shifrat për Malin e Zi dhe 75% në Shqipëri” tha Abdullahu.
Ndërkaq, menaxheri i financave në KRU, Sokol Duraku tha se kompania ka 40 milionë euro borxhe të cilat kryesisht janë borxhe fiktive.
“KRU ka 40 milionë euro borxh, që vjen kryesisht nga objekte të djegura dhe borxhe të familjeve të varfra të cilat ujësjellësi i toleron” tha Duraku.
Në këtë takim u tha se kostoja e ujit është 42 cent për 100.000 litra ujë.
Pas takimit, drejtuesit e Ujësjellësit kanë shoqëruar gazetarët nëpër ambientet e fabrikës ku kanë treguar mënyrën e punës që bëhet në këtë kompani.