Abdullahu: Nuk mund të jesh kundër UÇK-së e me presidentin Biden
Analisti politik Faton Adullahu ka bërë me dije nuk mund të jesh kundër UÇK-së e me presidentin e ri të ShBA-së, Joe Biden.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se këto dy vlera shkojnë bashkë, raporton “Epoka e re”.
Postimi i plotë i Abdullahut:
Nuk mund të jesh kundër UÇK-së e me Presidentin Biden
Është vështirë e kuptueshme se si disa mendojnë se në të njëjtën kohë sot në Kosovë mund të jenë kundër vlerave të luftës, kundër njerëzve kryesor të UÇK-së, por edhe të jenë pro amerikanë dhe konkretisht pro administratës së re Biden. Këto dy vlera shkojnë bashkë, sepse janë të dëshmuara tash e me shumë se dy decenje se janë të një brumi politik, ideologjik dhe të një koncepti të demokracisë e lirisë. Nuk mund të jesh tinza kundër UÇK-së e haptas pro Bidenit, sepse vlerat e luftës janë ashiqare në themelet e shtetit për të cilin Biden (bile edhe djali i tij) ka kontribuar shumë për shumë vite e me shumë veprime e qëndrime. Jemi në sprovë si shoqëri, si shtet e si shqiptarë për ta dëshmuar edhe një herë se kjo është plotësisht e vërtetë, se kjo është ana e drejtë e historisë dhe ne jemi aty.