Abelard Tahiri: Koha për zgjedhje, të papranueshme sjelljet e LDK-së dhe LV-së

18 dhjetor 2020 | 12:52

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje pasi sipas kësaj partie, Lëvizja Vetëvendosje (LV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e kanë mashtruar popullin në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar.

“Kjo maskaradë nuk është asgjë më shumë e as më pak veçse rezultat i mashtrimit më të madh që kemi parë në zgjedhjet e tetorit më 2019”.

“Si rezultat i atyre zgjedhjeve, i atyre koalicioneve të shpresave të rreme, viti 2020 ka qenë viti më i rëndë dhe më degradues në secilin aspekt për shtetin dhe shoqërinë tonë”, ka thënë Tahiri në konferencë për medie.

Tahiri ka akuzuar dy qeveritë e sivjetme për mosangazhim të duhur në përgjigjen ndaj pandemisë, si dhe për dështimin e tyre karshi rritjes së sulmeve si ai i sotmi në qendër tregtare.

“Është koha që ky Kuvend të shpërbëhet dhe vendi të shkojë në zgjedhje”.

“Nuk mund të tolerojmë edhe më tutje ministra që iu japin tenderë vëllezërve të tyre”.

“Nuk mund të kemi çdo ditë ministra që e degradojnë sundimin e ligjit”, ka thënë ai, duke shtuar se PDK-ja do të mundohet ta ndalë degradim që ka ndodhur në qeverisjen e LV-së dhe LDK-së.

“Partia Demokratike e Kosovës e vlerëson si të papranueshme sjelljen e këtyre dy partive në Kuvendin e Kosovës, edhe të Lëvizjes Vetëvendosje, edhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka thënë Tahiri.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, të premten ka…