Abelard Tahiri viziton Thaçin dhe Veselin në Hagë: I gjeta shpirtërisht të përmbushur
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka vizituar për Ditën e Pavarësisë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, në Dhomat e Paraburgimit në Hagë.
Në një postim në Facebook, Tahiri ka thënë se ndonëse shënimi i 17 shkurtit nuk është i njëjtë pa prezencën e tyre, Thaçin dhe Veselin përgjatë vizitës i ka gjetur shpirtërisht të përmbushur.
“Në seancën e sotshme solemne për përvjetorin e pavarësisë, në atë sallë ku para 15 vitesh u përmbush një aspiratë shekullore, arrita direkt nga Haga, aty ku sot qëndron i fortë, protagonisti i deklaratës së pavarësisë dhe epokës së ndritur të Kosovës, Presidenti Hashim Thaçi.
Ndonëse shënimi i 17 shkurtit, as nuk është i njëjtë, e as nuk është i plotë pa prezencën e tyre, Presidentin Thaçi dhe kryetarin Kadri Veseli, i gjeta shpirtërisht të përmbushur”, ka shkruar ai në Facebook.
“Përgjithmonë mirënjohës për këta burra, që ia kanë dhënë Kosovës vitet më të mira të jetës dhe që për nderin e të vërtetën e rrugëtimit të saj drejt lirisë, po e vazhdojnë përpjekjen edhe sot”, përfundon postimi i Tahirit.