Aborti në Kroaci, i ligjshëm por nën kërcënim
Në letra, aborti është i ligjshëm në Kroaci prej dekadash. Por në praktikë, ai po bëhet gjithnjë e më pak i mundur në vendin me shumicë katolike, ku presioni i fesë po i shtyn mjekët të refuzojnë gjithnjë e më shumë abortet mbi arsye morale.
“Përse gjinekologët janë të detyruar të bëjnë aborte? Nuk shoh në të vërtetë një lidhje”, ka thënë Boris Ujeviq, gjinekolog.
Për mua, ka thënë Ujeviqi, gjinekolog në spitalin publik të Zagrebit, aborti është një çështje morale.
Të gjithë kolegët e tij në spital refuzojnë të kryejnë aborte, gjë që nuk ndodhte më parë. Sidoqoftë, tani mjekët refuzues përbëjnë shumicën në Kroaci, ku rreth 60 për qind e gjinekologëve në spitalet publike nuk i kryejnë abortet mbi baza morale, sipas një vëzhgimi të kryer muajin e shkuar.
Sipas një ligji të vitit 1978, i miratuar kur Kroacia ishte pjesë e ish-Jugosllavisë, abortimi mbetet i ligjshëm deri në javën e 10 të shtatzënisë.
Por, që kur vendi ballkanik fitoi Pavarësinë në vitin 1991, Kisha katolike, që mbante një profil të ulët në komunizëm, është përpjekur të rimarrë rolin e saj kryesues, si një forcë morale dhe gardiane e identitetit kombëtar në Kroaci.
Që atëherë, grupe fetare bashkë me aleatë mes politikanëve konservatorë kanë bërë apele për një ndalim të aborteve. Në vitin 2003, mjekëve iu dha e drejta të refuzojnë procedurën për arsye morale.