“Abraham Linkoln”, stërvitje në ujërat e Adriatikut
Aeroplanmbajtësja amerikane “Abraham Linkoln” prej disa ditësh është duke zhvilluar stërvitje në ujërat e detit Adriatik, konfirmim ky i marrëdhënieve të shkëlqyera që Shqipëria me aleatin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka zhvilluar një vizitë në aeroplanmbajtësen amerikane ku është takuar me drejtues të lartë dhe ushtarakë të kësaj të fundit.
“Aeroplanmbajtësja amerikane ‘Abraham Lincoln’ prej ditësh po stërvitet në ujërat e detit Adriatik. Një prej 10 aeroplanmbajtësve të ShBA-së është njëherësh vendkomanda e Grupit të Nëntë Goditës të Forcave Detare amerikane. Vizita në të, ishte jo vetëm një eksperiencë e bukur, por mbi të gjitha, konfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera që vendi ynë ka me aleatin e tij strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në drejtim të mbrojtjes dhe sigurisë”, ka thënë Xhaçka.
“USS Abraham Lincoln” (CVN-72) është një nga 10 aeroplanmbajtëset e ShBA-së aktualisht në shërbim të Forcave Detare të Amerikës.
Ajo është e klasës “Nimitz” me një peshë prej rreth 100 000 tonë. Kjo klasë aeroplanmbajtëse sot është anija ushtarake më e madhe dhe më e fuqishme në botë, si dhe tregues i fuqisë ushtarake të ShBA.
“USS Abraham Lincoln” është vendkomanda e Grupit të Nëntë Goditës të Forcave Detare të ShBA-së.
Së bashku me kryqëzorët me raketa të drejtuara dhe nëndetëset, si pjesë përbërëse e grupit, kjo fuqi detare e pakontestueshme i jep mundësinë ShBA të krijojë superioritet detar të mjaftueshëm për të projektuar fuqinë ushtarake të ShBA-së dhe për të menaxhuar krizat të mbarë globin. /Atsh/