Abrashi: Autostrada e Dukagjinit për momentin nuk është e nevojshme
Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, në DEBAT Zgjedhor në RTK thotë se autostrada e Dukagjinit ashtu si është projektuar, nuk është e nevojshme për momentin.
“Ajo autostradë në planin e vizibilitetit i cili është punuar më herët kap shifrën prej një miliard euro, të mos flasim edhe për shpronësimet, pra është e papërballueshme. Opsioni i tillë i kësaj traseje aktuale të Pejës, Deçanit, Gjakovës që veç e kemi filluar është opsion më i kapshëm”, ka thënë ministri në detyrë i Infrastrukturës.
Sipas tij, ata kanë vendosur edhe një ide tjetër në planin e tyre me një kosto më të lirë.
“Është lidhja e Istogut ose zgjerimi i rrugës nga Istogu në Klinë me një transit të Klinës për në rrugën Dollc-Gjakovë, ku banorët e Istogut do të kenë rrugë me këtë korsi që lidhen edhe drejt Prizrenit, por edhe nëse duhet me shku në Prishtinë në autostradën Kijevë-Zahaç”, ka deklaruar Abrashi.