Abrashi: Demarkacioni kauzë fiktive që ia humbi Kosovës tri vite
Deputeti i LDK-së, Arban Abrashi, ka thënë se demarkacioni ka qenë kuazë fiktive që është përdorur për të ardhur në pushtet nga partitë që dikur ishin në opozitë, AAK-Nisma.
Abrashi ka theksuar se janë humbur tri vite nga kjo kauzë fiktive, që sipas tij, ka humbur edhe qytetari i Kosovës.
“Ne mendojmë se kjo ka qenë një kauzë fiktive dhe janë humbur më shumë se tri vite realisht, por ajo që ka ndodh dje e vlerësojmë lartë, sepse mendojmë që është një hap i madh përpara dhe një vlerësim pozitiv për tërë procesin. Së pari mbyllet ky kapitull i cili i ka pamundësuar qytetarët tanë të integrohen në BE. Ne mendojmë se që nga fillimi kjo ka qenë kauzë fiktive, kemi ftuar palët që me qenë”, ka thënë Abrashi në “RTK”.
Sipas tij, LDK-ja është parti ndryshe, që përkundër kauzave fiktive e ka votuar demarkacionin për t’i zhbllokuar proceset.
“Ajo çka ka bërë LDK-ja ka treguar se jemi ndryshe, përkundër një kauze fiktive, përkundër një dokumenti që e ka rrëzuar qeverinë e LDK-së, ne e kemi votuar atë, sepse mendojmë që interesi i qytetarëve është përtej interesave të partive politike. Esencalisht kjo marrëveshje nuk ka dallim, është e njëjta, por vetëm disa dokumente shtesë, që ne i kemi pranuar për të ecur procesi përpara. LDK ka pasur mundësi ta kushtëzoi me mocion për rrëzimin e qeverisë por nuk e kemi bërë”, ka thënë Abrashi.