Abrashi dhe Ahmeti nënshkruajnë memorandum, vitin e ardhshëm nis ndërtimi i rrugës A
Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi dhe kryetari Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për financimin e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore në kryeqytet.
Abrashi ka thënë se memorandumi që u nënshkrua është rezultat i një pune të gjatë që e kanë bërë ekipet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Prishtinës.
Ai ka veçuar projektet që do të finalizohen me këtë memorandum, e njëri ndër më të rëndësishmit, ndërtimi i rrugës A në Prishtinë, që do të ketë impakt të madh në Lagjen e Spitalit dhe Mati1.
“Sot po konkretizohet një punë disa mujore që është punuar nga ekipet e ministrisë dhe komunës, me përkrahjen time dhe të kryetarit. Ka të bëjë me projekte që e lehtësojnë jetën dhe qarkullimin në Prishtinë. Memorandumi parasheh zgjerimin e rrugës nga Prishtina deri në Gracanicë, zgjerimin e rrugës për në Grashticë, ndërtimi i rrugës A dhe ndërtimin e rrugës nga Kodra e Trimave në Shkabaj. Besoj që vitin e ardhshëm disa prej këtyre projekteve kanë me marrë formë dhe do të realizohen”, ka thënë Abrashi.
Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se për herë të parë Prishtina po e merr vendin e merituar në buxhetin e nivelit qendror.
“Për herë të parë po nënshkruajnë një marrëveshje më të thelluar, sepse kemi nënshkruar edhe më herët, ku Prishtina e ka vendin e merituar në buxhetin e nivelit qendror. Kësaj radhe vërtet janë projekte që kanë rëndësi për Prishtinën dhe i kemi koordinuar bashkë të gjitha punët”, ka thënë Ahmeti.
Memorandumi parasheh zgjerimin e rrugës Nacionale N9 Prishtinë-Mutivodë, zgjerimi i rrugës nga Ura e Veternikut deri në hyrje të Graçanicës, asfaltimin e rrugës që lidhë rrugët nacionale N2 me N25 për te qendra e Panaireve, ndërtimi i kolektorit në Hajvali, dizajnimi i segmentit nga Çagllavica deri në Prishtinë dhe ndërtimin e rrugës A me kolektorin e ujërave të zeza.