Abrashi: Do ta ndalim Dortmundin
Ylli i Kombëtares së Shqipërisë, Amir Abrashi, synon t’ia bëjë një favor Bayern Munichut në garë për titull në Bundesligë, duke e mposhtur Borussia Dortmundin me Freiburgun në fundjavë.
Amir Abrashi pavarësisht atij dëmtimi të gjatë që e mbajti jashtë fushave të futbollit për thuajse një vit, është rikthyer më i fortë se kurrë dhe këtë e tregoi edhe në grumbullimin e fundit të kombëtares shqiptare ku arriti të realizonte edhe golin e tij të parë me fanellën kuqezi, pikërisht në ndeshjen ndaj Andorrës.
Te Freiburgu, Abrashi ka rifituar rolin e liderit dhe kërkon të përcjellë entuziazëm pas 2 humbjesh rresht që ka pësuar skuadra. Këtë javë Freiburg ndeshet me Borussian e Dortmundit. Abrashi me shokë janë gati të ndalin verdhezinjtë edhe pse e dinë që nëse kjo ndodh mund t’i japin një asistim Bayernit në garën për titull, raporton ‘ss’.
“Sigurisht që ndaj Bremenit ishim më mirë se në Mainz, por kemi pësuar dy gola në fund, kjo nuk duhet të ndodhë. Ne duhet të mbrojmë deri në fund. Nuk ka faj ekipi, por ne nuk duhet të heqim dorë deri në fund. Ndaj Bremen kemi pasur shanset tona dhe nëse do kishim luajtur kundërsulmin më mirë, do të kishte qenë gjithçka ndryshe. Në shtëpi kundër Dortmundit ne duhet të mbledhim të gjitha forcat dhe të bëjmë një ndeshje të shkëlqyer. Përndryshe nuk kemi asnjë mundësi”, ka thënë Abrashi.