Abrashi i AAK-së: Votat për qeverinë Hoti i kemi siguruar
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gazmend Abrashi, në një adresim për medie ka folur rreth marrëveshjes së arritur për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Abrashi ka bërë me dije se votat për qeverinë Hoti janë siguruar.
“Sapo ka përfunduar takimi i Kryesisë së partisë bashkë me deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kemi qenë të ftuar nga kryetari Ramush Haradinaj për të na informuar për marrëveshjen definitive që është bërë në takimin e sotëm me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa”.
“Para medieve nuk e konfirmojë që kemi dakordim të plotë të koalicionit Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës me mandatar për kryeministër Avdullah Hoti”.
“Nuk ka asnjë dilemë që votat për Qeverinë Hoti i kemi siguruar, presim t’i përfundojmë të gjitha proceduarat e nevojshme dhe shumë shpejt do të ftohet mbledhja në Kuvendin e Kosovës, ku ne do të votojmë mandatarin e ri dhe Qeverinë e re. Të gjitha votat i kemi dhe vetëm presim të caktojnë datën kur të mbahet seanca”, ka thënë Abrashi.
Nga AAK-ja në qeverinë Hoti, do të jenë: zëvendëskryeministër i parë Besnik Tahiri, ministre e Punëve e Jashtme, Meliza Haradinaj, ministër i Arsimit, Ramë Likaj, ministër i Drejtësisë, Selim Selimi dhe Blerim Kuçi, ministër i Ekonomisë dhe Ambientit.