Abrashi i LV-së, kryetarit të AKR-së: Je i mirëseardhur, por fillimisht në konvikt!
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Artan Abrashi, ka reaguar pas kritikave të kryetarit të Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, i cili qeverinë në detyrë të Kosovës e ka quajtur diktatoriale, pasi i është lejuar të vjen në Kosovë vetëm nëse karantinohet fillimisht.
“Çdo qytetar është i barabartë para ligjit. Dmth, të drejtat dhe detyrimet e miliarderit dhe hamallit peshojnë njëjtë. Mbi këtë bazë është ndërtuar koncepti i shtetit të së drejtës që aspirojmë ne. Ky është kushti kryesor i kontratës shoqërore. Barazia para ligjit”.
“Arroganca feudale e Behgjet Pacollit për t’u trajtuar ndryshe prej neve është neveritëse, e papranueshme dhe nuk duhet të tolerohet. Detyrimet nuk pyesin për standarde jetese e as për thellësinë e kuletës”, ka shkruar Abrashi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Më tutje, Abrashi i ka uruar mirëseardhje Pacollit në Kosovë, por sipas tij duhet t’i respektojë rregullat e paracaktuara shëndetësore.
“Karantinimi 14 ditor për shtetasit e ardhur nga jashtë është i obligueshëm. Dhjetëra e qindra qytetarë me mundësi të dobëta ekonomike dënohen çdo ditë për mospërfillje të masave. Pse ky të trajtohet ndryshe? Mendësia çifligare dhe standardet e Banana Republikave çfarë mund t’i ketë për qejfi, ekselenca mund t’i gjejë tek miqtë e tij tiranik nëpër botë, por jo në Kosovë. Je i mirëseardhur. Por fillimisht në konvikt!”, ka shkruar ai.