Abrashi: Ka hezitim nga Vetëvendosje për ta marrë Zyrën e Kryeministrit
Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Arban Abrashi, ka thënë se kjo parti dje ka bërë një hap të rëndësishëm drejt krijimit të partneritetit me Lëvizjen Vetëvendosje për ta formuar Qeverinë.
“Dhënia e një ministrie është hap përpara, është diçka që Mustafa e ka ofruar në tavolinë”, ka thënë Abrashi, raporton Klan Kosova.
Në Info Magazine, Abrashi është shprehur se partneri i mundshëm i tyre në Qeveri, LV-ja është duke hezituar që ta drejtojë këtë institucion.
“Ka pak hezitim nga Vetëvendosje për ta marrë Zyrën e Kryeministrit. Është mendim i imi personal. Dialogu mund të ndodhë se është një frikë. Ka elemente të tjera që ka hezitim”.
“Shpresoj që të kemi lëvizje pozitive sepse qytetari i ka zgjedhur këto parti dhe ato duhet ta marrin barrën dhe të ofrojnë zgjidhje për ta – formimin e Qeverisë. LDK në secilin projekt pozitiv që ka ndodhur në Kosovë ka hise, nga qeveria e parë dhe deri te pavarësia… pra ka merita. Si LDK kemi treguar se nuk u frikësohemi proceseve të mëdha, si integrimet evropiane, dhe këtë duhet ta dëshmojë secila parti në Kosovë”.
Abrashi ka pohuar se LDK-ja nuk është barrikaduar në negociata me LV-në.
“Po flasim për një ndërtim të koalicionit, të shpresës. Kjo duhet të ndërtohet në baza të shëndosha të bashkëpunimit në mes të partnerëve. S’ka të bëjë me barrikadim. Edhe pika e presidentit ka qenë diskutim shumë i shëndosh se pse kjo duhet t’i takojë LDK-së ose një partneri tjetër. Kështu do ta kontrollin partitë njëra-tjetrën më mirë”.
“Politika në Kosovë dhe sistemi politik ta imponon kompromisin. Nga paslufta shohim komprimse të mëdha. Fitues është ai që bën kompromise. LDK e ka dhënë kryeministrin për hir të stabilitetit të vendit. Kompromise ka pasë vazhdimisht në sistemin tonë politik”.
“Votuesit e kanë kërkuar marrëveshjen prej nesh”.