Abrashi: LDK-ja edhe katër vite të tjera, s’kemi kohë për tallje e eksperimente
Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi po shprehet optimist që subjekti të cilin e përfaqëson, do ta fitojë dhe një mandat tjetër qeverisës, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
“LDK +4”, shkruan Abrashi mes tjerash në një reagim të tij të cilin e ka shoqëruar me disa fotografi gjatë takimeve me anëtarë e simpatizantë të tyre.
Sipas tij LDK ka kandidatë të dëshmuar që kanë orientim shtetformues, duke mos qenë të lirë për tallje dhe eksperimente.
”Vazhdojmë me njerëz të dëshmuar dhe me orientim shtetformues, s’kemi kohë për tallje dhe eksperimente”.
Ai këto komente i bëri pas vizitës që pati LDK-ja me qytetarët në Prizren.
Në anën tjetër, kandidati për kryeministër nga kjo parti, Avdullah Hoti, pas vizitës që kishte pasur me përfaqësues të bizneseve në Prizren, u premtoi që do bashkëpunojnë me firma amerikane.
“Është bërë shumë zhurmë për këtë marrëveshje, dhe krejt kjo për qëllime politike. E vërteta është se Marrëveshja e Uashingtonit, e fuqizon Kosovën në aspektin politik dhe ekonomik. Katër vitet e ardhshme i sjellin Kosovës rreth 1 miliard dollar nga kompanitë amerikane në bashkëpunim me kompanitë vendore dhe ju duhet të përgatiteni për këto projekte, siç janë hekurudha nga Durrësi në Prishtinë si dhe autostrada”, ka deklaruar kryeministri Hoti.