Mirëmbajtja teknike e automjeteve, ngrit sigurinë në komunikacion
Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, bashkë me Inspektoratin e ministrisë dhe Policinë e Kosovës, të mërkurën ka përcjell nga afër inspektimin e automjeteve të rënda të transportit rrugor.
Abrashi ka thënë se aksione të tilla bëhen vazhdimisht dhe kanë për qëllim ngritjen e sigurisë në komunikacion. “Jemi sot këtu për të përcjell nga afër aksionin e përbashkët, i cili po realizohet në mes të Policisë së Kosovës dhe Inspektorëve të MI-së, e që ka të bëjë me inspektimin e automjeteve të rënda të transportit rrugor. Aksione të tilla realizohen në vazhdimësi, kësaj here jemi në dy pika, në rrugën nacionale Prishtinë – Ferizaj dhe në Prishtinë – Mitrovicë. Ne si Ministri e Infrastrukturës, së bashku me Policinë e Kosovës kemi ngritur edhe një grup të përbashkët punues për të identifikuar vendet që paraqesin rrezikshmëri të lartë në komunikacionin rrugor. Edhe qëllimi i këtij aksioni i cili po zhvillohet që nga fillimi i javës është në kuadër të ngritjes së sigurisë në komunikacion”, ka thënë ministri Abrashi.
Ai ka theksuar se edhe gjendja teknike e automjeteve ndikon në ngritjen e sigurisë, duke apeluar te qytetarët që të kenë kujdes në komunikacion.
Ministri Abrashi ka treguar po ashtu se për vitin e ardhshëm është planifikuar me buxhet edhe blerja e një kontrolle teknike mobile.
“Ne po ndërtojmë rrugë por edhe gjendja teknike e automjeteve është faktor në rritjen e sigurisë, pra edhe faktori njeri janë elemente që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë rrugore. Meqenëse shumë shpjet hyjmë në sezonin e dimrit, nga këtu bëjë thirrje për të gjithë ngasësit në komunikacion të respektojnë rregullat e trafikut, të mirëmbajnë teknikisht automjetet e tyre dhe të kenë kujdesin e shtuar në komunikacion. Kemi planifikuar edhe një kontroll teknike mobile, që të ndikojë në rritjen e sigurisë në komunikacion. Bashkëpunimin institucional që pashë sot, na jep kurajo që të vazhdojmë fuqishëm të investojmë në sigurinë rrugore që të kemi rrugë më të sigurta dhe me pak aksidente”, ka deklaruar Abrashi.
Ndërsa drejtori i Divizionit të Komunikacionit Rrugor në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi, ka thënë se ky aktivitet i përbashkët është i fokusuar te faktori automjet, duke i kontrolluar automjetet në aspektin teknik, për ta rritur sigurinë në komunikacion.
Drejtori i Inspektoratit, Çerkin Dukolli, ka thënë se të gjitha angazhimet po bëhen në ngritjen e sigurisë në komunikacion në mënyrë që të kemi rrugë më të sigurta dhe sa më pak aksidente.