Abrashi mohon mospajtimet brenda LDK-së për emrat e ministrave

04 maj 2020 | 13:42

Sekretari organizativ i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arban Abrashi, ka bërë me dije se në takimin e sotëm me zyrtarët e AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate është diskutuar për harmonizimin e programit qeverisës.

“Sot jemi takuar me përfaqësuesit e AAK-së dhe Nismës për të trajtuar programin tonë qeverisës. Kemi biseduar për orientimet tona programore, posaçërisht çështje që lidhen me pandeminë si diçka që është më se urgjente, por gjithsesi edhe për rimëkëmbjen ekonomike të cilën dëshirojmë ta fusim si prioritet të lartë në programin tonë qeverisës”, ka thënë Abrashi në një deklaratë për medie.

Ai ka thënë se takimi i sotëm ka qenë koordinues. “Ne do të fillojmë të shkëmbejmë dokumentet tona ditëve në vijim në nivel të ekspertëve partiakë në mënyrë që kur të fillojmë punën në qeveri të kemi një program gjithëpërfshirës që do të trajtojë pandeminë, rimëkëmbjen ekonomike edhe vet ristrukturimin qeverisës në të ardhmen në mënyrë që të mos humbim kohë aspak”, është shprehur Abrashi.

I pyetur nga gazetarët se a pret LDK-ja që vendimi i Gjykatës Kushtetuese për formimin e qeverisë  të jetë në favor të tyre, Abrashi ka shprehur optimizëm.

“Besoj që po, praktikat e parlamenteve, por edhe sistemi jonë parlamentar tregon që ai që e ka shumicën e krijon qeverinë. Duke marrë parasysh rrethanat politike edhe ato rreth pandemisë nuk dëshirojmë të humbasim kohë dhe të përgatitemi sa më mirë”, është shprehur Abrashi.

Më tutje, Abrashi ka thënë se nuk ka asnjë arsye për të mos e publikuar marrëveshjen me Listën Serbe dhe se e njëjta do të publikohet ditëve në vijim.

“E publikojmë, nuk është problem. Ne jemi marrë me çështjet me prioritare ditëve të kaluara. Jemi marrë me përgatitjen e seancës, derisa sot jemi takuar për program. Besoj që publikohet ditëve në vijim, sepse nuk është diçka që po e fshehim”, ka deklaruar Abrashi.

Në fund, Abrashi ka thënë se nuk është e vërtetë që ka pasur mospajtime për emrat e mundshëm për ministra nga kjo parti.

“Nuk ka pasur asnjë mospajtim, ju siguroj. Ajo që ka dalë në medie ditëve të kaluara është një ‘fake news’, atë ju garantoj edhe në emrin tim. Nuk kemi arritur ende deri tek emrat, besoj që disa ditë para seancës kur do të votohet qeveria do të dalin edhe emrat”. është shprehur Abrashi.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Numri i personave që janë shëruar nga koronavirusi i ri…