Abrashi: Nuk do të jem kandidat për kryetar të LDK-së
Deputeti i LDK-së, Arban Abrashi ka mohuar se do të kandidohet për kryetar të LDK-së në Kuvendin Zgjedhor të kësaj partie, i cili do të mbahet të shtunën.
“Jo, jo. nuk e kam menduar këtë punë. Jam anëtar i Kryesisë”, ka thënë Abrashi në një intervistë për KlanKosova
Ai ka treguar se në mbledhjen e kryesisë se LDK-së, e cila do të mbahet sot, pritet të definohen të gjitha gjerat. “Tani, edhe opinioni është në dijeni se Kuvendin Zgjedhor e kemi shumë afër, të shtunën. Mbledhja e Kryesisë sot e definon agjendën, rregulloren dhe çështjet e tjera protokollare përgatitore për këtë kuvend”, është shprehur ai.
Abrashi ka deklaruar se kandidatët që e synojnë udhëheqjen e LDK-së do të merren vesh të shtunën. “Procedura është e qartë që në Kuvend paraqiten kandidaturat, pra të shtunën do të kemi mundësi që të shohim se cilat janë me të vërtetë ato kandidatura dhe nëse e marrin besimin të futen në garë”, është shprehur ai.