Abrashi: Përkundër temave politike, ekonomia e Kosovës u rrit me mbi 4 për qind
Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj për ekonomi dhe koordinator i Ballkanit Perëndimor, Gazmend Abrashi, në emisionin “Përballje” në “RTV Dukagjini”, ka thënë se Kosova rritjen ekonomike e ka pasur më të madhen në rajon.
Ai këto komente i bëri në emisionin, ku u diskutua për zhvillimin ekonomik dhe investimet e huaja në Kosovë.
Abrashi ka deklaruar se ka shumë argumente që qeveria Haradinaj është proaktive karshi ekonomisë.
“Në vazhdimësi, rritjen ekonomike më të madhe në rajon e ka pasur Kosova. Në vitin 2017 e ka pasur 4.4 për qind për dallim të të gjitha shteteve të regjionit të Ballkanit Perëndimor që e kanë pasur nën 3 për qind. Për kundër perceptimit se politika ka nxënë vend shumë të madh në krahasim me ekonomikë, mendoj se kam shumë argumente që mund të vërtetoj se qeveria e Haradinaj është më proaktive”, ka thënë Abrashi.
Ai tregoi se në Samitin e Londrës, Kosova është prezantuar me 39 projekte që do të kapin kosto prej 100 milionë euro dhe do të zbatohen nga BERZH.
“Në Samitin e Londrës, i cili është mbajtur në muajin shkurt 2018, ne jemi prezantuar me 39 projekte dhe si rezultat i atij samiti ne kemi marr zotimin e BERZH që t’i zbatoj projektet në vlerë prej 100 milionë euro. Projekte këto që kanë të bëjnë kryesisht me infrastrukturën e qyteteve, ujësjellësin, rehabilitimi i ujërave të zeza me theks të veçantë është unaza e jashtme e qytetit të Prishtinës, në të cilën pritet të investohen rreth 65 milionë euro, me të cilën do të lehtësohet kaosi urban”, ka shtuar ai.
Sipas Abrashit, në ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” dhe rehabilitimin e hekurudhave pjesëmarrëse do të janë dhe kompanitë vendore.
“Në Kosovë do të ndodh investimi më i madh në rajon prej 1.3 miliardë euro për ndërtimin e ‘Kosova e Re’, i cili parasheh që do t’i punësoj shumë punëtor dhe shumë kompani nënkontraktuese gjatë zbatimit të këtij projekti do të jenë prezent vendore dhe kur flas për rehabilitimin e hekurudhave, 90 për qind e kryerjen e punëve do të janë nga Kosova”, ka thënë Abrashi.
Ndryshe, Abrashi ka treguar edhe projektet e mëdha nacionale në fushën e ekonomisë. Sipas tij zonat ekonomike nuk po krijohet për shkak të vendime politike por për nevoja specifike ekonomike.