Abrashi shkarkoi njësitet e kundërligjshme në Ministrinë e Infrastrukturës
Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, bazuar në rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditorit, ka marr vendim për shkarkimin e “Njësive Zbatuese të Projekteve”, për shkak se gjatë themelimit të tyre ishin anashkaluar kërkesat ligjore.
Raporti i Auditorit ka gjetur se vendimet për themelimin e njësive për mbikëqyrjen e projekteve, “Ndërtimi i Autostradës Kijevë-Zahaq”, “Ndërtimi i autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë”, “Zgjerimi i hyrje-daljeve në Ferizaj, Prizren dhe Gjilan”, Zhvillimi i projektit të Autostradës Istog-Pejë-Deçan, Gjakovë, Prizren”, janë marr pa miratimin paraprak të Ministrisë së Financave, e cila kërkohet sipas ligjit.
Sipas Auditorit, themelimi i këtyre njësive duke mos iu përmbajtur kërkesave rregullative mund të ndikojë në shpenzime të parregullta të buxhetit si dhe mangësi në menaxhimin financiar.
Andaj ministri Abrashi ka vepruar në zbatim të ligjshmërisë, duke u bazuar në të gjeturat e Zyrës Kombëtare të Auditorit, duke shfuqizuar vendimet paraprake në mënyrë që të futet në binar ligjor i gjithë ky proces.
Po ashtu ministri në ditët e ardhshme do të nxjerr edhe vendime tjera, që kanë dalë si rekomandime të Auditorit, për ta kursyer paranë publike dhe për ta zbatuar ligjin.