Abrashi: Të gjithë luftonim për njëri-tjetrin
Shqipëria e ka mposhtur Islandën me rezultatin 4-2 në një ndeshje të çmendur që ka ndezur edhe një herë shpresën për një kualifikim të mundshëm në “Euro 2020”.
Kuqezinjtë arritën të merrnin tri pikë ndaj një kundërshtari direkt, duke bërë kështu që situata në grup të ndryshojë sërish.
“E kreva punën në krahun e djathtë. Nuk pata vështirësi, jam mësuar të luaj në të gjitha pozicionet. Gjendja fizike ishte e mirë, gjithë ekipi e ka bërë punën sot. Si grup jemi shumë të fortë, këtë kemi dashur të tregonim që në fillim. Sot (dje) kemi qenë si 1-sha, të gjithë duke luftuar për njëri-tjetrin. Kemi pësuar dy gola pak si të pakuptimtë. Trajneri na tha, në pushimin mes pjesëve, se duhet ta fitonim ndeshjen. Tani çdo takim është një finale për ne”, ka thënë Abrashi.