Abrashi thotë se rruga Prishtinë-Mitrovicë u zvarrit shumë, premton punime më intensive

12 qershor 2020 | 14:47

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi me bashkëpunëtorë, si dhe kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, kanë vizituar sot punimet të cilat janë duke vazhduar në zgjerimin e rrugës nacionale M2 Prishtinë-Mitrovicë, përkatësisht segmentin Gojbulë-Smrekonicë.

Me këtë rast, ministri Abrashi potencoi se hapja e rrugëve krijon vende të reja të punës dhe forcon zhvillimin ekonomik.

Sipas tij, obligimet ndaj pronarëve të tokave nga Lumi i Madh deri në Gojbulë u janë shpërndarë pronarëve dhe priten punime në kohë rekorde.

Ai paralajmëroi nisjen e procedurave edhe për segmentin e mbetur Smrekonicë-Mitrovicë, për të cilat tha se do të kryhen poashtu në kohë rekorde.

“Një lajm i mirë për segmentin tjetër edhe për të gjithë banorët e kësaj zone është se pjesa kontraktuale ose obligimet e shtetit të Kosovës karshi pronarëve të tokave nga Lumi i Madh deri në Gojbulë tashmë u janë shpërndarë pronarëve, presim fillimin e punëve në kohë rekorde edhe për atë pjesë dhe pak a shumë përfundon një segment shumë i madh i kësaj rruge nacionale. Ne do të fillojmë procedurat edhe për segmentin e mbetur Smrekonicë-Mitrovicë poashtu në kohë rekorde, në mënyrë që të përfundojmë këtë projekt i cili fatkeqësisht pak është zvarritur me shumë vite”, ka thënë Abrashi.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, theksoi se përfundimi i punimeve në këtë segment, përveç që do të shkurtojnë kohën e lëvizjes për qytetarët, do të sjellë zhvillim për Vushtrrinë, Mitrovicën, por edhe mbarë Kosovën.

“Unë kam besim të plotë tek ministri Abrashi që do t’i jap dinamikë edhe më të madhe sidomos segmentit nga Lumi i madh deri në Gojbulë, në mënyrë që Vushtrria, por edhe Mitrovica të shkurtohet koha e lëvizjes së qytetarëve, e mallrave dhe ekonomisë, e sigurisht që kjo kohë e shkurtuar do të sjellë zhvillim për Vushtrrinë, Mitrovicën dhe krejt Kosovën”, u shpreh Tahiri.

Në anën tjetër, Ilir Trebicka, përfaqësues i kompanisë kontraktuese, ka bërë të ditur se punimet do të përfundojnë deri në fund të shtatorit, ndonëse, siç u shpreh ai, situate Covid mund të sjellë ndryshime.  “Shpresojmë që në fund të shtatorit të arrimë të kryejmë punimet, kuptohet duke menduar se punët do të ecin si në gjendjen që jemi sot, por situata Covid mund të sjellë edhe ndryshime tjera”, tha Trebicka.

Ndryshe, këto punime po realizohen me anë të huamarrjes nga fondi saudit për zhvillim, e që ky segment prej 4.5 kilometrash kushton rreth 14 milionë euro, ndërsa punimet parashihet të përfundojnë deri në shtator të këtij viti. /kp/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Formula 1 ka konfirmuar së fundmi se tri gara tejet…