Absurdi special: Prokurori thotë se Krasniqi gërvishi Rugovën në fotografi për shkak të armiqësisë, mbrojtja e konsideron paragjykim

28 maj 2024 | 14:05

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitarit Jan Kickert i është prezantuar një fotografi, në të cilën është thënë se shihej delegacioni i Rambujesë, e që ishte gërvishtur ish-presidenti Ibrahim Rugova. Gërvishtja pretendohet se është bërë nga Jakup Krasniqi. Pasi dëshmitari identifikoi që ka identifikuar që është gërvishtur në fotografi është Rugova, prokurori ka kërkuar që kjo provë të pranohet në prova materiale. Por, duke u përgjigjur në pyetjen e trupit gjykues, prokurori John Capin, ka thënë se fotografia e dëmtuar e cila është gjetur në shtëpinë e Krasniqit, reflekton ndjesinë dhe armiqësisë që ka pasur i akuzuari ndaj Rugovës.

“Me sa kam unë dijeni, kjo është marrë nga një album fotografik nga shtëpia e Jakup Krasniqit. Është një prej shumë fotografive, por asnjë nga fotografitë e tjera nuk është e gërvishtur dhe e dëmtuar si kjo fotografi. Ne mendojmë se kjo fotografi është dëmtuar sepse reflekton ndjesinë që ka pasur ky i akuzuar kundrejt këtij personi, armiqësinë pra”, ka thënë prokurori Capin, duke shtuar se mendojnë që këtë gjë e ka bërë Krasniqi.

Përpara kësaj, pranimin e kësaj fotografie si provë materiale e ka kundërshtuar mbrojtja e Krasniqit, përmes avokatit Aiden Ellis.

Ellisi ka thënë se ajo ka efekt paragjykues pasi që nuk dihet se në çfarë rrethanash është gjetur në shtëpinë e Krasniqit.

Gjithashtu, Ellisi ka thënë se kjo fotografi nuk ka asnjë provë se s’i ka përfunduar në shtëpinë e Krasniqit dhe sipas tij relevanca është shumë e vogël.

“Nuk ka asnjë provë që vërtetohet se si ka përfunduar kjo fotografi në shtëpinë e zotëri Krasniqi dhe mendojmë që relevanca është shumë e vogël dhe ka një efekt paragjykues të pranohet kjo fotografi pa u vërtetuar”, ka thënë ai.

Megjithatë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, ka thënë se kjo fotografi do të pranohet në provat materiale kurse vlera provuese e saj do të përcaktohet më vonë nga trupi gjykues.

Personat që identifikoi dëshmitari Kickert në fotografi  ishin: Xhavit Haliti, Skender Hyseni, Ibrahim Rugova, Ramë Buja, Blerim Shala, Veton Surroi, Fehmi Agani, Jakup Krasniqi, Hidajet Hyseni….

Përpara kësaj deklarate, dëshmitari ka pohuar se ka kontaktuar me Hashim Thaçin përmes telefonit në vitin 1998 dhe 1999.

Prokurori është fokusuar edhe për një sërë takimesh që kishte pasur dëshmitari me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin në korrik të 1998-ës për të cilat tregoi cili ishte qëllimi i tyre si diplomatë.

“Qëllimi jonë ishte të identifikojmë një person të UÇK-së që do të ishte në gjendje të përfshihet në procesin politik dhe të ishte me autoritet në emër të UÇK-së”, ka thënë dëshmitari, duke shtuar se nuk dinin asgjë për UÇK-në se si funksiononte.

Ndërsa për një takim tjetër i cili ishte mbajtur në janar të 1999 lidhur me lirimin e pesë ushtarëve serbë, dëshmitari ka thënë se ka qenë takim i gjatë. “Ka qenë takim i gjatë sepse mendoj se nuk mund të merrej vendimi menjëherë. Për t’u konsultuar mbase. Përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës në atë takim konsultoheshin me të tjerët. Nuk ishte e pazakontë diçka e tillë. Gjatë gjithë angazhimeve që kemi pasur me UÇK-në nuk ka pasur një person që mund ta merrte vendimin vetë. Ne kishim përshtypje se vendimmarrja ishte kolektive”, ka thënë ai.

Procesi gjyqësor ndaj liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, ka filluar në prill të vitit 2023, ndërsa ata janë duke u mbajtur në paraburgim nga nëntori i vitit 2020. /Betimiperdrejtesi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Diplomati austriak, Jan Kickert, ka thënë se ata dinin shumë…