Abuzimi me të dhënat, rritet presioni mbi Zuckerbergun
Themeluesi dhe shefi ekzekutiv i “Facebook”-ut, Mark Zuckerberg, po përballet me thirrje gjithnjë e më të shpeshta, që të paraqitet personalisht në panelet e hetimeve për sjelljen e rrjetit të tij social.
Kompania është akuzuar se nuk i informoi përdoruesit, pasi informacionet e profileve të tyre ishin marrë dhe mbajtur nga “Cambridge Analitica”, një firmë të dhënash që ndihmoi Donald Trumpin të fitojë zgjedhjet.
Të premten, “Facebook” ka deklaruar se kishte bllokuar qasjen e firmës britanike në platformën sociale, pasi kompania londineze nuk i kishte fshirë të dhënat e përdoruesve të marra në mënyrë të gabuar, siç kishte premtuar.
Megjithëse kishte premtuar se në vitin 2018 do ta riparonte “Facebook”-un, themeluesi i kompanisë Zuckerberg ia ka dalë të shmangë përballjen me numrin në rritje të kritikëve dhe ka dërguar avokatë apo shefa politikash në seancat e ndryshme dëgjimore.
Debati për përdorimin e të dhënave të “Facebook”-ut për propagandë të shënjestruar politike ka bërë që shumë figura politike, nga të dyja anët e Atlantikut, të nxisin Zuckerbergun të dalë publikisht e të mbrojë, ose të paktën justifikojë, krijimin e tij.
Senatorë amerikanë dhe deputetë britanikë i bënë thirrje Zuckerbergut të paraqitet në komisionet hetimore, madje ka nga ata që thonë se do t’i dërgojnë edhe thirrje. “Facebook” dhe “Cambrige Analitica” nuk pranojnë faj për situatën e fundit, por analistët kanë thënë se kritikat e fundit shkojnë drejt modelit të “Facebook”-ut për të bërë biznes dhe Zuckerberg duhet të bëjë diçka, përpara se stuhia të shndërrohet në uragan.