Adam Roczek: Do të ndihmojmë zhvillimin e sportit të Kosovës
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në takim Presidentin e Federatës Evropiane të Sportit Universitar, Adam Roczek.
Ministri Gashi, ka thënë se vizita e Presidentit Adam, është pikërisht në kuadër të shënimit të Javës Evropianë të Sportit dhe ka për qëllim për të parë nga afër të arriturat si shtet në infrastrukturën sportive.
“Është fat i mirë që Kosova ka Federatën e Sporteve Universitare. Dhe ne si Ministri jemi duke i mbështetur fuqishëm federatat sportive. Gjatë këtij takimi u konfirmua edhe një herë mbështetja e Federatës Evropiane të Sportit Universitar dhe jemi me fat që tashmë bashkëpunimi me të gjitha Federata Evropiane po rritet dhe bashkërisht do të rrugëtojmë në fuqizimin e rolit tonë në arenën ndërkombëtare sa i përket aktiviteteve sportive”, ka thënë ministri Gashi.
Ndërkaq presidentin e Federatës Evropiane të Sportit Universitar, Adam Roczek e ka vlerësuar të rëndësishme fatin se Federata Sporteve Universitare e Kosovës është pjesë e Federatës Evropiane të Sportit Universitar.
“Federata është bërë anëtare me të drejta të plota në EUSA këtë vit pas vendimit të Asamblesë së Përgjithshme dhe jemi krenarë qe e kemi anëtarin e 46-të në Evropë. Gjithashtu është e rëndësishme të përmendet se studentët nga Kosova që prej shumë viteve marrin pjesë në garat që ne organizojmë në ombrellën e EUSA-së dhe medalja e parë është fituar nga studentët prej Kosovës”, ka deklaruar Adam Roczek, duke shtuar: “Vizita ime ne Kosovë nuk është vetëm një vizitë formale por ne do të kemi këtu në punëtori në mënyrë që të ndihmojmë dhe të këshillojmë si të zhvillojmë sportin në universitetet e Kosovës për përfitimet e studentëve, për të mirën e shoqërisë në Kosovë”, ka shtuar Adam Roczek.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe kryetari i Federatën e Sporteve Universitare të Kosovës, Musa Selimi, i cili deklaroi: “Është shumë e rëndësishme ardhja dhe do të jete gërshetim i aktiviteteve tona. Kemi diskutuar rreth mundësisë së organizimit të një ngjarje të madhe sportive evropiane në Kosovë. Morëm mbështetje që në dy vitet e ardhshme të organizojmë një aktivitet”.
/Epoka e re/