Adele ndërpret koncertin në Munich, për finalen e 100 metrave për femra në “Paris 2024”
Nëse ka një garë olimpike, e cila pa përjashtim ndal frymën e çdokujt, është ajo e 100 metrave, sprintit për më të shpejtin e botës. Askush nuk mund ti shpëtojë rrëqethjes për të mësuar se cila do të jetë vajza më e shpejtë dhe djali më i shpejtë në botë.
Mbi të gjitha, kur në lojë futet edhe një medalje e lakmuar olimpike…
E këtyre etheve, duket se e ka pasur të pamundur t’i ndahet edhe artistja britanike me famë botërore, Adele, e cila është aktualisht në një tur koncertesh në Evropë dhe finalja e sprintit për femra, e gjeti atë në Munich të Gjermanisë…live në koncert!
Kurreshtja duket se ka qenë e madhe nga ikona e muzikës dhe hiteve si “Someone like you”, “Fire to the rain”, apo Hello, duke parë edhe se bashkëkombasja e saj, Daryll Neita, garonte në 100 metra për femra dhe ishte pretendente për medalje.
Edhe turma e mbledhur për Adele, i ka ndaluar sa duket koret me poezinë e saj melodike dhe është përqëndruar te gara.
Megjithatë, duket se bashkëkombases së saj, Neita, Adele nuk i ka sjellë edhe shumë fat, pasi ajo nuk arriti të marrë medalje, duke u radhitur vetëm e katërta.
Në një garë spektakolare, të ndikuar deri diku edhe nga shiu, ishte atletja Julien Alfred, nga ishulli i vogël i Karaibeve me 180 mijë banorë, Saint Lucia, ajo e cila rrëmbeu arin me kohën 10.72 sekonda, duke lënë pas favoriten kryesore, amerikanen Sha’Carri Richardson.
E treta ndërkohë u radhit një tjetër amerikane, Melissa Jefferson, duke kompletuar podiumin.
Pa e fshehur në tonin e saj disi zhgënjimin për këtë finale, Adele i kërkoi publikut të saj të japë një duatrokitje për atletet olimpike, teksa ka vazhduash më tej koncertin sipas programit.