
Adelina Grainca e VV-së paditë gazetarin Mehmetaj, ky i fundit i përgjigjet: Eja në debat, aty flasim
Kandidatja për deputet e VV-së, Adelina Grainca, e ka paditur për shpifje gazetarin Lirim Mehmetaj. Ky i fundit ka reaguar, duke treguar se cili është qëllimi i padisë së Granicës dhe padive tjera që njerëzit e pushtetit ia kanë bërë në gjykata.
Në profilin e tij në “Facebook”, Mehmetaj ka mohuar se ka shpifur për deputeten në fjalë.
“Por, qëllimi është që së paku dikush prej tyre t’ia dalë disi dhe më pas të mund të thonë “ky është i dënuar për shpifje”.
Me idenë se akoma posedojnë rrjetin më të madh të propagandës nëpër rrjete sociale ta krijojnë një rrëfim të përgjithshëm që “ja po flet ky që është dënuar për shpifje”. Deputetja Grainca ka zgjedhur të më padis se kam thënë Vetëvendosje e ka blerë atë si deputete nga PDK-ja. E ku është shpifja këtu? Madje unë jam treguar i butë”, ka vlerësuar ai.
Gazetari Mehmetaj e ka ftuar në debat televiziv Graincën, e cila në zgjedhjet e 9 shkurtit e ka fituar edhe një mandat.
“Ti përfaqëson veç vetën dhe biznesin tënd familjar, interesat e të cilit i ke primare edhe në politikë. Betejat për shpifje janë edhe publike, përveçse gjyqësore. Eja në debat me mua. Aty të flasim. Fitoje betejën në publik se atij i detyrohesh. Por, nuk vjen. Nuk guxon. Asnjë prej jush nuk guxoni. E vërtata iu frikëson”, ka shkruar Mehmetaj.