ADELINA ISMAILI: Ata që dikur hidhnin gurë e dru mbi provokimin, sot janë në gjendje t’i ekspozojnë dhe gjenitalet e tyre
Mbretëresha e muzikës shqipe Adelina Ismaili, vazhdon të mbetet këngëtarja numër një në trojet shqiptare tash e sa dekada, e nga kjo pozitë nuk ka arritur ta spostojë asnjë nga koleget e saja.
Diva Adelina Ismaili, solli një frymë të re në muzikën shqipe, ajo u bë inspirim për qindra të rinj anembanë trojeve shqipëfolëse, duke u bërë këngëtarja më e popullarizuar e të gjitha kohërave.
Për Adelinen flasin faktet, albumet e saja që thyen rekorde të shitjes, me qindra këngë hite, që edhe sot më endje dëgjohen e ripërpunohen nga këngëtarët e rinj.
Edhe pse sot nuk është aktive, sa dikur me muzikë, aktualisht fokusi i saj është në emisionin javor “Tete a Tete me Adelinen”, emision i cili ka hyrë në zemrat e teleshikuesve dhe ka marrë kritika shumë pozitive.
Në një intervistë ekskluzive, me rastin e Vitit të Ri 2021, Diva e muzikës shqipe për herë të parë tregon historinë e hitit “Ushtrinë time do ta bëj”, si e kishte pritur këngën Presidenti Dr. Ibrahim Rugova, Cilën ngjarje nga fëmijëria, Adelina nuk e harron, A do mund ta shohim sërish me me rock grupin “Elita 5”, për këto dhe shumë gjëra tjera nga jeta dhe karriera, Adelina përgjigjet për herë të parë.
Vitin 2020, kam përshtypjen se do ta mbash mend gjatë, jo vetëm për shkak të pandemisë COVID-19, por edhe për rikthimin tënd me emisionin “Tete a Tete me Adelinen” me producent ekzekutiv Val Krasniqin, emison i cili tanimë ka hyrë në zemrat e teleshikuesve, ideja për realizimin e emisionit ishte kohë më parë apo lindi vetvetiu duke parë “varfërinë” që egziston në televizionet kosovare?
Adelina Ismaili: Ishte ide e kahmotshme e imja dhe Valit. Nuk bëhet fjalë për varfërinë në televizione, por ndjeja nevojën të kalojë në një format tjetër artistik. Muzika në Kosovë, është transformuar këto vite sa mungova unë, kurse unë kam nevojën shpirtërore të jem më lartë intelektualisht. Gjithashtu kanë ndërruar dhe prioritetet. Së pari jam nënë dhe dua të jem plotësisht afër Uliksit. Jam grua, që nuk ka shanse ta zërë gjumi larg përqafimit të Valit. Jam motër që nuk e imagjinon ditën pa përqafimin e Emes dhe Zanit. Por primare ishte nevoja të ngrisë vetën në një nivel tjetër.
Ndër vite popullit shqiptar i keni dhuruar këngë perla, duke i frymëzuar gjenerata të tëra, dua të ndalem te historia e këngës “Ushtrinë time do ta bëj”, e cila tanimë është shndërruar në një himn, si e priti këngën atbotë Presidenti historik Dr.Ibrahim Rugova?
Adelina Ismaili: Atij i kishte pëlqyer. Buzëqeshte dhe e lavdëronte pjesën muzikore të kënges. E pëlqente Rockun. Por edhe më tha që ndjenë përgjegjësi, meqë tash kishte hyrë në një këngë që do të mbahej në mend. Tipike për Ibrahim Rugoven. Isha jashtë mase e lumtur. Por edhe ai.
Thuhet se vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, na kujtoni ndonjë ngjarje, për të cilën edhe sot ke nostalgji?
Adelina Ismaili: Çdo ngjarje e bukur qe kujtojë, ka gjyshen time brenda. Mbajë në mend, që po udhetonim tek vëllau i saj, jashtë Kosovës, dhe vetëm për mua ndaluam në një park të fëmijëve, ku kalova gjithë ditën duke luajtur. Ndërpreu udhëtimin që të më bënte qejfin mua. Mbase një nga ditët më të bukura në jetën time.
A ju ka ndodhur ndonjëherë, ta refuzosh ndonjë këngë, për arsye se nuk ju ka përshtatur karakterit tënd?
Adelina Ismaili: Më ndodhë çdo dy-tre muaj të refuzojë këngë e duete. Më kanë thënë që jam e rëndë në këtë aspekt (qesh). Nuk jam e rëndë. Thjesht, ai që nuk kupton botën time, mos të lodhet, as mos të shpenzojë. Nuk e bëj kurrë. Më së shumti më fyejnë kur ofrojnë shuma ekstreme parash të më kenë në duet. Atëherë ndërprejë çdo kontakt.
Me rok grupin “Elita 5”, keni realizuar dy mega hite “Sajzeza” dhe “Ani moj e majra”, a ka ardhur koha që ta sillni për publikun edhe mega hitin e tretë në vitin 2021?
Adelina Ismaili: Jo. Ato këngë i përkasin një kohe tjetër dhe një jete tjetër. Çdo tentim për ti imituar tash, duket qesharak. Ne jemi tjerë, publiku është tjetër. Jemi rritur bashkë dhe kemi evoluar bashkë në këta që jemi sot. Kur i punuam bashkë, kishim tjera ëndrra. Sot jemi në një fazë tjetër. Me Eliten 5, mbase do mund të realizoja një emision të bukur.
Cila është dita më e lumtur e jetës tënde?
Adelina Ismaili: Padyshim, dita kur lindi Uliksi. Njeriu vëeshtirë i përshkruan momentet më të bukura. Ndjenja të mbashë në dorë frytin e një dashurie që më ka bekuar në jetë, është hyjnore. I uroj çdo gruaje ta ketë ketë bekim brenda vetës.
Sipas teje, a është e nevojshme që një këngëtar/e të provokojë në skenë, apo nuk mund të kuptohet një këngëtar/e, i/e pëlqyer sot pa provokime?
Adelina Ismaili: Është çështje stili. Në Evropë, zgjedhin të mos provokojnë. Në Amerikë, nuk mund të imagjinohet muzika pa provokim. Pra nuk është se a duhet a jo. Por si e ndjen vetën. Dhe kjo më bën të lumtur, muzika më në fund ka arritur aty ku duhej të ishte shumë moti. Bëj çfarë të duash. Çka mua më duket e dëshpëruar, është ata që dikur hidhnin gurë e dru mbi provokimin, sot janë në gjendje ti ekspozojnë dhe gjenitalet e tyre për një titull diku. Kjo më duket e mjerë.
Gjatë vitit 2020 u shuan fizikisht artistët që lanë gjurmë në muzikën shqipe si: Nexhmije Pagarusha, Ismet Peja e Shahindere Bërjalolli, a është momenti i fundit që shteti t’i kushtojë vëmendje më shumë artistëve?
Adelina Ismaili: Shteti jonë ka poshtëruar dhe fyer artistët prej se ekziston. Na kanë shfrytëzuar e përulur deri në atë masë saqë jam e sigurt që asnjëri nga ne, as nuk pret më asgjë nga shteti. Dhe ka ndodhur ajo që ishte më e logjikshmja në këto raste. Kemi vepruar paralelisht shtetit, pra gati se ilegalisht. Dhe jemi rritur deri në një masë ku nuk na injorojne dot më. Dhe vijnë e kërkojnë lëmoshë tek ne. Lëmoshë në kuptimin e votës. Çka është super e rrezikshme, show biznesi duke qenë i përbuzur e harruar nga shteti, është bërë derë e hapur për aktivitete kriminale. Nuk di çfarë të them, kurrë në jetë nuk kam kërkuar asgjë nga shteti. Nuk kam haber si është të marrësh nga shteti. Konfliktet më të mëdha në jetë i kam pasur me Ministrinë e Kulturës, që vetëm e tillë nuk ka qenë e nuk është. Shteti ynë assesi ta kuptojë që pa kulturë nuk ka as shtet, as komb, asgjë. Tash jam indiferente në këtë temë.
A keni planifikuar ndonjë këngë të re, pse jo edhe ndonjë album gjatë vitit 2021, na ka marrë malli të dëgjojmë këngë si “Dy akrepa”, “Mbretëreshë dhe Robëreshë”, “Heroi i tragjedisë”,“Amaneti”, “Jetoj se të dua” etj?
Adelina Ismaili: Jo. Në atë botë, unë kthehem, më shumë për të bërë shaka me vetën, dhe çmenduritë e mia. Ose për të rikujtuar. Tash kur show biznesin e konsideroj të “felliqur” nga kriminaliteti, në asnjë menyrë, nuk lejojë që arti im të perfundojë aty.
Cilat janë tri gjërat që ëndërron t’i ralizosh deri në fund të jetës?
Adelina Ismaili: Të jem një nënë e mirë, një grua e dashur dhe një motër e denjë.
Për fund, cila është motoja dhe urimi i Dives Adelina Ismaili për Vitin e Ri 2021?
Adelina Ismaili: Motoja ime në këtë moment është: “Çdokush ka fatin që meriton, grahi punës e shiko vetëm punën tënde”, ndërsa urimi im do të ishte “Paçin të gjithë një vit çfarë ua do zemra”. Intervistoi: Armend Preteni