ADEM DEMAÇI – BACA, SHASHIVAR MAKOLLI – QALI DHE BAJRUSH BEHRAMI – BALI!

24 shtator 2019 | 11:04

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

 Preteksti i shkrimit: Po shkruaj për tre njerëz të mëdhenj, për tre patriotë të jashtëzakonshëm, për tre frymëzues dhe zbatues të luftës së paepur të shqiptarëve për çlirim, liri dhe bashkim kombëtar. Po shkruaj për tre engjëj mbrojtës të shqiptarisë, për tre yje që gjithmonë e kanë ndriçuar rrugën e shqiptarëve drejt lirisë dhe pavarësisë. Po shkruaj për tre dishepuj që, pavarësisht prej rreziqeve dhe sakrificave që i kanë bërë, personalisht dhe familjarisht asnjëherë nuk i janë larguar rrugës së lirisë dhe bashkimit kombëtar.

Po shkruaj sepse në zemër po ndiej një mungesë për ta, personalisht dhe familjarisht, ndonëse shpirtrat i kemi të bashkuar, që nga koha kur u njohëm, edhe tash, sikur që do të jetë kështu deri në amshim kur, në botën e përtejme edhe mund të takohemi, nëse e meritoj të takohem me ta, qoftë edhe për një çast të vetëm. Ky shkrim në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si shkrim që iu kushtohet atyre që kanë vdekur, si një përkujtim të stilit in memoriam sepse ata që i shërbejnë njerëzimit, kombit dhe luftës për liri, bëhen pjesë e përjetësisë e që nuk është diçka kalimtare.

Kosova, shqiptarët dhe Shqipëria sikur edhe trojet ku jetohet shqip, frymohet shqip, ëndërrohet shqip dhe vdiset shqip, duke i kënduar lirisë, sot kanë nevojë për këta tre yje të shqiptarisë si dhe yjeve të tjera të qiellit dhe nënqiellit shqiptar! Adem Demaçi – Baci, Shashivar Makolli – Qali, Bajrush Behrami – Bali dhe të gjithë dëshmorët e kombit e kanë një datëlindje, por jo edhe datë vdekjeje sepse e kanë fituar përjetësinë.

Adem Demaçi – Baci: Nëse Hasreti Ademi merret si embrion i formimit të njerëzimit nga i cili u bënë thuaja 9 miliardë bijë dhe bija të tij, Adem Demaçi – Baci ishte dhe mbeti frymëzimi dhe kuptimi i luftës dhe sakrificës së popujve të robëruar për liri, në përgjithësi dhe të shqiptarëve, në veçanti! Adem Demaçi – Baci ishte dhe mbeti Komandant Legjendar Politik i shqiptarëve në luftë për liri sikur që ishte i tillë në planin ushtarak, Komandanti Legjendar, Adem Jashari!

Këta e vulosën dhe e shkruan, njëri me sakrificë sublime duke kaluar 30 vjet në llogoret e ish-Jugosllavisë, në kushte ku dinjiteti njerëzor e kishte humbur kuptimin e respektimit, qoftë edhe minimal, kurse Adem Jashari bëri një sakrificë, së bashku me familje, miqtë dhe bashkëluftëtarët e cila, deri atëherë nuk kishte ndodhur në asnjë vend të botës, gjatë tërë historisë njerëzore! Adem Demaçi – Baci, u tret, u shkri, u flijua dhe thjesht e tjetërsoi veten për çështje njerëzore dhe kombëtare. Adem Demaçi – Baci thoshte se çdo gjë ka çmim përveç lirisë për të cilën nuk ka çmim që nuk ia vlen të paguhet.

Natyrisht se për të qëndruar në rrugën e Marathomakut për çlirim, liri dhe bashkim kombëtar duhen edhe disa çështje të tjera që janë të pandashme drejt lirisë; trimëria, vendosmëria, ndershmëria dhe gatishmëria për t’u sakrifikuar gjithmonë kur e kërkon atdheu dhe të cilat, gjithashtu, nuk kanë çmim, nuk blihen me pasurinë e tërë botës! Gjatë kohës sa qëndronte në llogoret e ish-Jugosllavisë për të cilat nuk thoshte se është dënim për të e lëre më vuajtje, por se është një përmbushje e detyrimit kombëtar dhe çmim që duhej paguar për çlirim, liri dhe bashkim kombëtar, llogoret e ish-Jugosllavisë i shndërroi në akademi politike dhe kombëtare për të gjithë të burgosurit shqiptarë dhe jo vetëm të atyre të dënuar për vepra politike. Kishte çaste kur nga pak ligështoheshim (njerëz jemi) sepse burgu është makinë për bluarje të njeriut, fizikisht dhe shpirtërisht, Adem Demaçi – Baci, me shembullin e vet na shkundte nga makthi i çastit e që këto çaste nuk përsëriteshin më!

Edhe në kohën kur, fare pak qëndronte i “lirë” në burgun e quajtur Kosovë, shtëpia e tij, por edhe shtëpitë e të gjithë shqiptarëve që e donin lirinë, hiç këtu shërbëtorët e Serbisë dhe Jugosllavisë, bëhej amfiteatër ligjërimi për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar. Pas daljes nga burgu në vitin 1990, Adem Demaçi – Baca e ka përkrahur Ibrahim Rugovën dhe me sugjerimet e Bacit edhe ne kemi votuar për Rugovën. Edhe unë, gjithashtu! Pasi u pa se Rugovën e mori lumi për faktin se nuk merrte përgjegjësi për udhëheqje të luftës, kur Jugosllavisë i dilte flaka, madje Rugova edhe e pengoi luftën e armatosur, u shua edhe përkrahja për Rugovën. Këta të Titos dhe Millosheviqit e që janë sot shumë aktivë në Kosovë, bënin përpjekje ta eliminonin Bacin duke e deklaruar se është marksist-leninist dhe enverist në kohën kur ishin ngjizur vetë nga shkërdhyerja që ua kishin bërë, në shumë raste me pëlqimin e tyre, Titoja, Aleksandar Rankoviqi dhe Sllobodan Millosheviqi.

Për sa e njoh Adem Demaçin – Bacin, e mendoj se e njoh shumë mirë, ai ka qenë nacionalist i bindur dhe asgjë nuk e ka lidhur me marksizëm-leninizmin. Për enverizmin e ka dhënë përgjigjen gjatë vizitës së parë në Shqipëri; “më mirë do të ishte të vdisja në burg, me bindjen që e kam pasur për Shqipërinë se që e shoh në këtë gjendje …”. Adem Demaçi – Baci ka qenë i dhënë pasionit pas muzikës klasike, polifonisë shqiptare dhe këngëve të vjetra qytetare. Kurrë në jetën që e kam kaluar me Bacin nuk e kam dëgjuar duke e kënduar Internacionalen komuniste apo ndonjë këngë proletare, por e kam dëgjuar duke kënduar këngët për Dedë Gjon Lulin, Mehmet Shpendin dhe Jakup Ferrin. Madje shumë herë thoshte se kur të niset në rrugën për përjetësi, ka dëshirë të përcillet me këngën e Dedë Gjon Lulit. Ngritja e flamurit kombëtar në trojet që me forcë iu morën shqiptarëve dhe Shqipërisë sikur edhe refreni: “Dedë Gjon Luli, i Malësisë së Madhe, hiç me vdekë nuk e kam gajle…”, ishin preteksti dhe konteksti i shpirtit sakrifikues që e bënin aq të madh Dedë Gjon Lulin para Bacit!

Adem Demaçi – Baci ishte politikani dhe shqiptari më i nëpërkëmbur pas luftës në Kosovë. Nuk mbeti kush pa e denoncuar, edhe horrat e LDK-së sikur edhe morrat e krahut të luftës që, për një grusht pushteti pa shtet dhe një grusht parash të pista, ia pamundësuan çdo inkuadrim në politikë! Ceremoninë mortore të Bacit ia bojkotuan horrat e LDK-së, të gjithë dhe pa përjashtim. Duket se horri gjithmonë mbetet horr dhe horrllëqet mund të mbulohen sa për t’u maskuar një horrllëk më i madh!

Shqiptar Demaçi është djali i Bacit dhe i cili është rritur dhe zhvilluar nën hijen dhe peshën e një njeriu që lind vetëm një herë në 1000 vjet siç ishte Adem Demaçi – Baci. Ai, Shqiptari, përveçse është rritur nën hije të një babai të madh, ndonëse nuk është burgosur gjithmonë, ka jetuar në rrethana të një kërcënimi të vazhdueshëm. Është shkolluar dhe është një profesionist shembullor në fushën e mjekësisë. Përveçse është i përkryer si kirurg, ai ka trashëguar edhe një dell politik nga Baca Adem. Nëse i keni lexuar disa artikuj që i ka shkruar Shqiptar Demaçi, atëherë lehtësisht e kuptoni se ka një njohuri të gjerë dhe të thellë që e shpërfaq vetëm në çaste kur pakënaqësia e tij me proceset aktuale e kalojnë pikën e vlimit dhe të durimit.

E ka një kryeneçësi sikur Baci, në ditët e hershme të angazhimit politik! Por, diçka jam fort i sigurt, se Shqiptar Demaçi kurrë dhe asnjëherë nuk do të bënte një veprim që do ta dëmtonte atdheun dhe kombin sepse, së fundi, dardha bie nën dardhë! Shqipi, kurrë dhe asnjëherë nuk do të pranonte që dikush të shkruajë në emër të tij dhe ai ta nënshkruajë këtë sepse e ka mendimin e vet dhe nuk i bindet askujt në këtë drejtim. Unë i kam sugjeruar që të mos hyjë në politikë, por ai ka thënë se do të merret eksluzivisht me politikat shëndetësore dhe mjedisore ku edhe mund ta japë kontributin.

U sulmua pse hyri në PDK. Po të hynte në LDK nuk do të bëhej e madhe. Baca Adem ka qenë krahu i luftës çlirimtare dhe vetë lufta, prandaj edhe thoshte, në çaste kur shpërtheja ndaj disa personave që, në emër të luftës bënin çdo të zezë: “Çupinë, këta të luftës i kemi më të afërt për kah gjaku…”. Thoshte gjithashtu se: “Do të vijë një kohë dhe askush nuk do të mbetet pa u koritë sikur edhe se këta që kanë mbetur të gjallë do t’ua kenë lakmi atyre që kanë rënë për liri…” Shqiptar Demaçi duhet të përkrahet jo si politikan, por si ekspert për çështje mjedisore dhe shëndetësore. Nëse mbetet në këto dy fusha, do ta ruajë edhe profesionalizmin, ndërsa nëse bën përpjekje të bëjë politika të larta, nuk e kam asnjë dyshim se “nga një profesionist shëndetësor i shkëlqyer, do të përfundojë në një politikan të dobët”. Sikur të gjithë mjekët deri sot që janë munduar të bëhen politikanë të mëdhenj!

Shashivar Makolli – Qali: Shashivar Makolli – Qali ishte shok i ngushtë i Bacës Adem. Ishte shoqërues i tij gjatë luftës kur të tjerët iknin nga Baca edhe kur e takonin në rrugë. Në kohën e paraluftës, gjatë luftës sidomos dhe atë të pasluftës Shashivar Makolli – Qali ishte shofer, truprojë, këshilltar dhe shoqërues i Bacës Adem dhe ishte në gjendje që në çdo kohë të sakrifikohej për Bacën. Jetën e Bacës Adem e çmonte 1 000 herë më shumë se të vetën. Nuk ishte e rastit që Shashivar Makolli – Qali i qëndroi Bacit afër në kohën kur fasulja hahej kokërr për kokërr, por se në çastet kur ishte lehtë dhe pa rrezik, ishte shoferi tjetër i tij, shoferi i paqes dhe i qejfit dhe zevkut. Shashivar Makolli – Qali ishte patriot që nuk diskutohej kurrë dhe asnjëherë. Nëse ëndërrohej për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar, pjesë e pandashme e këtyre ëndrrave ishte Qali.

Nëse vetëm njëri fliste për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar, Shashivar Makolli – Qali i bëhej shok i pandarë dhe besnik. Nëse dikush fliste për luftë, Shashivar Makolli – Qali i printe, me armë në dorë, nuk fshihej prapa askujt. Nuk ka zhvillim apo takim ku është biseduar, ku janë bërë organizimet dhe veprimet për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar e që nuk ka qenë i përfshirë edhe Shashivar Makolli – Qali. Nuk ka mundur të shkrepet qoftë edhe një plumb në Kosovë, Maqedoni apo Luginë të Preshevës e të mos ia ngrehte këmbëzën Shahshivar Makolli – Qali. Nuk ka aktivitet ilegal që është zhvilluar në Prishtinë dhe Kosovë e që nuk ka qenë aty edhe Qali. Të gjithë ata që janë marrë me aktivitete kombëtare e që kanë folur shqip janë strehuar në shtëpinë shqiptare të Shashivar Makollit – Qalit, kanë hëngër bukë shqip në këtë shtëpi e kanë gëzuar besnikërinë dhe mbrojtjen shqiptare nga Shashivar Makolli – Qali dhe, në çdo çast dhe në çdo rrethanë, më parë do të kishte pësuar Qali se ilegalët e kombëtares shqiptare.

Në shtëpinë shqiptare të Shashivar Makollit – Qalit janë organizuar qindra e mijëra takime ku është biseduar vetëm për çështje kombëtare, si të veprohet, si të luftohet dhe si të vdiset dhe të mos dorëzohemi në luftë për liri dhe bashkim kombëtar. Shashivar Makollit – Qalit nuk i ka mjaftuar që Shqipërisë t’i bashkohet vetëm Kosova, ka kërkuar bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, në të kundërtën keni rënë në bela me të. E ka gëzuar besimin 1 000 për qind të Bacës Adem Demaçi. Me mua e ka pasur të përbashkët se kemi simpatizuar për Barcelonën dhe Mesin, por se jemi ngatërruar për Enver Hoxhën shkaku se unë Enverin e kam dashur sikur Realin e Madridit (nuk e dua as 0 për qind), kurse Qali Enverin e ka dashur, jo më shumë se Barcelonën, por se krejt botën!

Gjatë ligjërimeve dhe bisedave patriotike në shtëpinë shqiptare të Shashivar Makollit – Qalit, na ka shërbyer, më shumë për t’i dëgjuar bisedat që bëheshin, e bija Merita Makolli, sot kandidate për deputete të Kuvendit të Kosovës. Merita Makolli brumin e bisedave që e ka dëgjuar e ka përgatitur mirë, e ka ngjeshur mirë dhe tash, ndonëse jo fort e njohur në jetën politike, i plotëson të gjitha kushtet të bëhet një përfaqësuese dhe mbrojtëse e denjë e interesave kombëtare. Merita Makolli është vazhdimësi njerëzore, patriotike dhe politike e një patrioti të madh, sakrifikues dhe vetëmohues siç ishte Shashivar Makolli – Qali, nxënësi, studenti dhe mentori i Adem Demaçit – Bacit.

Dardha bie nën dardhë sikur edhe në rastin e Shqipit. Shashivar Makolli – Qali personalisht dhe familjarisht e ka përkrahur luftën sikur që ka qenë pjesëmarrës në çdo protestë të organizuar nga LV dhe Albin Kurti, duke menduar se Albini vërtet e ka “baba” politik Bacën Adem Demaçin. Mendoj se Merita Makolli do të bëhet deputete e Kuvendit të Kosovës për ta vazhduar rrugën e Shashivar Makollit – Qalit dhe si ushtare e bindur e Adem Demaçit – Bacit.

Bajrush Behrami – Bali: Bajrush Behrami – Bali ishte dhe shkoi në përjetësi si bohem dhe artist. Vizionin njerëzor, politik dhe kombëtar e shprehte përmes artit dhe pikturave që i bënte. I burgosur disa herë dhe shumë i keqtrajtuar për aktivitet kombëtar dhe politik, asnjëherë nuk pati dilema për të ardhmen, bashkimin kombëtar si zgjidhje të vetme dhe të drejtë kombëtare. Nuk keni mundur të gjeni dhe takoni një të burgosur politik që e ruante aq shumë gjakftohtësinë, nuk e humbiste kurrë durimin dhe asnjëherë nuk e keni dëgjuar të jetë ankuar ndonëse nuk e kishte rrugën e shtruar me trëndafila. Ishte i palëkundur në përkrahje të Adem Demaçit – Bacës dhe në kohën kur Zyra e Përfaqësuesit Politik të UÇK-së në Prishtinë ishte një vend shumë i rrezikshëm, Bajrush Behrami – Bali, me Shashivar Makollin – Qalin ishin thuaja kujdestarë aty. Tolerancën e kishte virtyt, nuk kishte urrejtje ndaj askujt! Pas daljes sime nga burgu më 1990, në supermarketin “Vlora”, biznes i familjes e që punonte 20 orë, Bajrushi ishte vizitor i rregullt. Kishte shumë besim se liria nuk është larg, por se ishte shumë i bindur se nuk ka liri pa sakrificë dhe pa gjak. Ishte mik dhe bashkëpunëtor i Bacës Ahmet Haxhiu, një patriot par exellance, i Qalit dhe i Ukshin Hotit. Rrallë shkruante, por më inkurajonte të shkruaj. Kishte një rreth jo fortë të gjerë të shokëve dhe miqve në Besianë që iu besonte dhe me ta bisedonte lirshëm. Me Xheladin Rekaliun i shkonte muhabeti fort sepse kishin koordinata të ngjashme kombëtare dhe politike. Asnjëherë nuk është larguar nga përkrahja ndaj Bacës Adem.

Në atë kohë, të burgosurit politikë shqiptarë të Besianës, në mesin e të cilëve si figura që asnjëherë nuk u komprometua e as korruptua ishte Bajrush Behrami – Bali, më shumë ishim të rrezikuar nga Dega e LDK-së në Besianë se nga policia serbe. Menjëherë pasi dolëm nga burgu dhe filluam të konsolidoheshim, disa nga kryesia e LDK-së në Besianë që kishin urrejtje të papërshkruar ndaj Bacës Adem dhe të burgosurve politikë, përkrahës të Bacës, mbanin mbledhje ku thoshin se “për ne LDK-në më të rrezikshëm janë të burgosurit politikë shqiptarë se Serbia…”.

Atëherë, të burgosurit politikë shqiptarë kishin më shumë ndikim se të gjithë të tjerët dhe disa në LDK kishin frikë se do t’ua marrim pushtetin, ndonëse as që e kishim një qëllim të tillë! Bajrush Behramin – Balin e denoncuan shqiptarët, e torturuan shqiptarët që mendonin serbisht dhe flitnin shqip sikur që e dënuan shqiptarët e atij soji, por se Bajrush Behrami – Bali kurrë nuk e humbi besimin te shqiptarët, tërë jetën ua kushtoi përpjekjeve dhe luftës për liri për shqiptarët, fali edhe çka të tjerët nuk do të falnin sepse me shpirt dhe me mendje ishte artist, veprimin e kishte prej artisti, prandaj nuk kishte urrejtje në zemrën e tij. Bajrush Behrami – Bali nuk u vlerësua për së gjalli, mirëpo jeta dhe vepra e tij kombëtare, njerëzore dhe artistike e vendosi në panteonin e figurave më të shquara të kombit shqiptar dhe, në kohën kur shqiptarët do ta kenë mundësinë ta shkruajnë historinë e vërtetë, Bajrush Behrami – Bali do të shndritë si meteor në galaktikën shqiptare! Së bashku me Adem Demaçin – Bacin dhe Shashivar Makollin – Qalin dhe yjet e tjera të dëshmorëve të kombit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbretëresha mund të ketë një të preferuar të ri. “Mbretëresha…