ADEM DEMAÇI DHE DEKLARATA UNIVERSALE PËR TË DREJTAT E NJERIUT E KOMBEVE TË BASHKUARA!
Behxhet Sh. SHALA, drejtor ekzekutiv i KMDLNj-së
Më 10 dhjetor 1948, Asambleje e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nxori dhe shpalli Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut e cila, me të drejtë konsiderohet si Kushtetutë Botërore për të Drejtat e Njeriut. Si çdo Kushtetutë, edhe kjo Kushtetutë Botërore e të Drejtave të Njeriut shkelet apo nuk respektohet edhe nga shtetet që e kanë pranuar dhe që e kanë bërë pjesë të legjislacionit vendor.
Në kohën kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli Kushtetutën Botërore për të Drejtat e Njeriut në Kosovën e okupuar u lind Adem Demaçi i cili pikënisjen dhe pikësynimin e veprimtarisë jetësore e kishte të përmbledhur në tekstin e Deklaratës Universale përkatësisht në Nenin 1 të kësaj Deklarate (ende të pashkruar) se: “Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në pikëpamje të dinjitetit të të drejtave. Ata janë të pajisur me arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri-tjetrit me një frymë vëllazërore”.
Në Nenin 1 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara është e përmbledhur e tërë veprimtaria njerëzore, kombëtare, politike, kulturore si dhe paraqet përmbajtjen e jetës së Adem Demaçit, Mendelës dhe Sakharovi shqiptar, shqiptarit të keqtrajtuar, të arrestuar, të dënuar, të syrgjynosur, të shpërngulur me dhunë nga shtëpia dhe trojet e veta, të zhdukur, të dhunuar por asnjëherë të detyruar të hjek dorë nga e drejta e dhënë nga natyra dhe Zoti, e drejta të lind i barabartë, të zhvillohet sikur të gjithë të tjerët, të jetojë me dinjitet duke i respektuar të gjitha këto të drejta dhe vlera, edhe për ata që i mohuan dhe i shkelën të gjitha këto të drejta, regjimi i Jugosllavisë dhe Serbisë.
Që nga viti 1958 (10 vjetori i Deklaratës Universale) kur u burgos për herë të parë dhe u dënua me 5 vite burgim të rëndë, Adem Demaçi ishte zëri dhe ndërgjegjja e të gjithë popujve të robëruar ndonëse fliste shqip dhe ishte shqiptar apo qytetarë i Botës së robëruar e që gjakonte lirinë, me çdo kusht, duke e sakrifikuar veten por duke i kursyer të tjerët. Rrugëtimi i Adem Demaçit kundër robërisë dhe drejt lirisë ishte Marshi i Marathomakut, në vitin 1964 u dënua me 15 vite burg për t’u ri -dënuar edhe me 15 vite tjera në vitin 1975. Matematikisht bëjnë 35 vite të shqiptuar burg të rëndë kurse mbi 28 vite të mbajtura në kushte ku dinjiteti njerëzor nuk kishte tjetër kuptim përveç atij gramatikor – linguistik.
Adem Demaçi nuk kishte urrejtje ndaj askujt madje as ndaj atyre që e dënuan dhe e mbajtën në kamp – llogoret e ish Jugosllavisë. Gjatë qëndrimit në kamp – llogoret e ish Jugosllavisë ishte Akademia politiko – kombëtare, morale dhe kulturore për të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë dhe të kombeve tjera por edhe për ata që ishin dënuar për vepra të tjera dhe përpiqeshin ta rigjenin: “rrugën e Zotit, rrugën e drejtësisë dhe jetës së ndershme”.
Në kohën kur e nisi veprimtarinë Adem Demaçi, të drejtat e njeriut nuk njiheshin në Kosovë sepse bëhej luftë për mbijetesë njerëzore dhe kombëtare.
Adem Demaçi ishte shkrimtar i jashtëzakonshëm, orator i kalibrit të Ciceronit dhe Demostenit, humanist i përmasave botërore dhe marrja me politikë nuk ishte përcaktim i vullnetit të tij, ishte imponim i situatës për faktin se, sipas vlerësimit të Adem Demaçit, politika ua morri të drejtat shqiptarëve, me politikë edhe do të ketë mundësi të rikthehen këto të drejta.
Jam shumë i sigurt se në momentin kur shqiptarët do t’i fitonin të gjitha të drejtat që u takojnë, Adem Demaçi do të përfundonte të merrej me politikë, pa asnjë dyshim!
Angazhimi, veprimtaria dhe sakrifica e Adem Demaçit për të drejtat e njeriut për shqiptarët është në përputhshmëri të plotë me të gjitha nenet e Deklaratës, sot 70-vjeçare, Universale për të Drejtat e Njeriut. Nuk njoh njeri ta ketë përballur burgun më lehtë se Adem Demaçi dhe se dënimin me burg nuk e konsideroi si dënim, por si detyrë apo obligim për të kaluar nga terri (robëria), në dritë (liri).
Në përpjekje për liri për të gjithë popujt e robëruar, edhe shqiptarët ishin në robëri, Adem Demaçi i sfidoi zotërat e pushtimit, i shpalli luftë Zeusit, e ndali kodrën me gjoks, e dogji emrin e tij në burg dhe nga hiri u shndërrua në Feniks të lirisë, Mandelë të Afrikës, Sakharov të Rusisë, Jan Pallah të Çekosllovakisë, përsëri me emrin që e kishte lënë Nëna Nazife dhe baba Zeqir – Adem Demaçi.
Te shqiptarët trimëria është sinonim i budallallëkut prandaj edhe thuhet: “Trim budallë”.
Adem Demaçi ishte Trim, Trim i Mençur, Trim i Urtësisë, Trim i Durimit dhe Trim i Fitim – Ngadhënjimit. Kur shqiptarët, nga dhuna detyroheshin të deklaroheshin turq, Adem Demaçi e pagëzoi djalin e vetëm me emrin Shqiptar.
Kur shqiptarët detyroheshin t’i mësonin shkronjat nga Azbuka e Vuk Karaxhiqit, Adem Demaçi e pagëzoi vajzën me emrin Abetare.
Se politika nuk ishte përcaktim i vullnetit të tij, Adem Demaçi e dëshmoi kur doli nga burgu me 21 prill 1999. Adem Demaçi u angazhua në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë duke e shndërruar këtë organizatë në burimin më të besueshëm për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe çdo Rezolutë apo raport ndërkombëtarë i qarqeve vendimmarrëse mbështetej në të dhënat e KMDLNj-së dhe të Adem Demaçit.
Me ardhjen e Adem Demaçit në krye të KMDLNj-së u bë degëzimi dhe rrjetëzimi në tërë territorin e Kosovës dhe viseve ku jetonin shqiptarët si dhe u institucionalizua bashkëpunimi me organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut si Amnesty International, Human Rights Watch, FIDH, Helsinki Commete for Human Rights, etj.
Kur rrezikoheshin të drejtat e njeriut të komuniteteve joshqiptare: serbë, romë, ashkali, egjiptas, boshnjak, turq dhe goran, Adem Demaçi doli në mbrojte të këtyre të drejtave dhe doli kundër dhunuesve të këtyre të drejtave. Ua hapi derën dhe ua shtriu dorën serbëve të ngujuar dhe të izoluar, luajti valle me romët, u bë pjesë e gazimit por edhe pikëllimit për turqit, ashkalitë, egjiptasit, boshnjakët dhe goranët.
Në frymën e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut e formoi, në kuadër të KMDLNj- së Komitetin për Mirëkuptim, Paqe dhe Tolerancë duke u shndërruar në urë bashkimi dhe bashkëpunimi midis popujve e jo midis politikave. Po në frymën e kësaj Deklarate, Adem Demaçi refuzoi ofertën Kryeadministratorit të Kosovës, Bernard Kushner për pajtim me Serbinë, pa plotësuar kërkesat e Kosovës që ishin plotësisht të arsyeshme dhe kusht i domosdoshëm për pajtim qoftë edhe si nismë.
Adem Demaçi i nënshkroi kallëzimet penale kundër Sllobodan Millosheviqit dhe udhëheqësve të tjerë politikë, ushtarakë dhe policorë serbë të dyshuar për krime lufte e që u gjykuan e disa u dënuan nga Tribunali Ndërkombëtarë për Krime Lufte në Hagë.
Adem Demaçi ishte luftëtar i vërtetë i të drejtave të njeriut i cili armë për këtë luftë e kishte ndërgjegjen dhe vetëdijen e lartë, që e përjashtonte dhunën, urrejtjen dhe ksenofobinë. Për këtë arsye ne vitin 1969 Amnesty International ia njeh statutin e të Burgosurit të Ndërgjegjes.
Në vitin 1991 Parlamenti Evropian ia ndanë “Çmimin Saharov” për Lirinë e Mendimit. Në vitin 1992 u nominua për Çmimin Nobel për Paqe. “Universidad de Complutense” i Madridit, në vitin 1992 i ndanë Çmimin kundër Racizmit dhe Ksenofobisë.
Universiteti i Oslos në Norvegji në vitin 1995 i ndanë Çmimin për të Drejtat e Njeriut. Për të dytën radhë, në vitin 2016 u nominua për Çmimin Nobel për Paqe.
Këto ishin çmimet për angazhimin dhe përparimin e të drejtave të njeriut kurse për angazhim në planin kombëtarë dhe politik u nderua në vitin 2010 me Urdhrin Hero i Kosovës. Kurse në vitin 2012 nga Presidenti i Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”.
Angazhimi dhe sakrifica e Adem Demaçit, dha kuptim të drejtave të njeriut në Kosovë, ia dha shpresë të gjithë popujve të robëruar se liria nuk mund të fitohet vetëm e vetëm nëse shkelni mbi rrugën drejt lirisë e shtruar me kupëza (Nene) të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut por se duhet të bëni shumë mund dhe shumë punë, shumë sakrifica personale, familjare, njerëzore, kombëtare, të derdhni shumë djersë dhe në raste të caktuara edhe gjak , të demonstroni kulturë dhe moral më të lartë se shkelësi i të drejtave të njeriut apo pushtuesi, të mos e harroni të kaluarën por të mos përpiqeni apo shpresoni ta ndërtoni të ardhmen mbi themelet e një të kaluare të tillë. Këtë rrugë e ka preferuar por edhe e ka zbatuar Prometheu i të drejtave të njeriut në Kosovës, rajon dhe në planin global. Jeta, sakrifica dhe vepra e Adem Demaçit është pjesë e çdo Neni të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara, e të gjitha Kushtetutave të Botës që rregullojnë të Drejtat e Njeriut dhe është Engjëlli Mbrojtës si dhe frymëzim për të gjithë popujt e robëruar të cilëve u mohohet liria, dinjiteti, arsimi, zhvillimi dhe ardhmëria.
Për këtë arsye, nëse Parlamenti Evropian, për të përjetësuar Lirinë e Shprehjes dhe Lirinë e Mendimit, si vlerat kryesore dhe elementare të drejtave të njeriut, e ndanë Çmimin Saharov, Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet ta ndajë Çmimin Ndërkombëtarë për të Drejtat e Njeriut – Adem Demaçi. Deri më tani, kryeqyteti i të drejtave të njeriut në Evropë ishte Kosova kurse kryepersonazhi i këtyre të drejtave ishte dhe mbeti Adem Demaçi.
Adem Demaçi ishte një kohë të gjatë kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë kurse, deri më 26 korrik 2018 kur kaloi në përjetësi ishte Kryetar Nderi i KMDLNj-së. Ky është propozim i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut për të shënuar 70-vjetorin e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara dhe Kushtetutën Njerëzore, Kombëtare dhe Morale të të Drejtave të Popujve të Robëruar – Bacë Adem Demaçin.