Adem Demaçi dhe Kosova janë një
Selatin Novosella
“MENDIME TË ZGJEDHURA PËR ADEM DEMAÇIN” (9)
184. Naim Hoxha: Adem Demaçi si kryetar i Kuvendit të Kosovës, ide e mençur dhe e drejtë
Ideja për zgjedhjen e Adem Demaçit kryetar të Kuvendit të Kosovës është ideja më e mençur dhe më e drejtë. I jap vetës guximin të them se këtë post me kaq rëndësi s’e meriton kush më shumë se sa Adem Demaçi, natyrisht pa mohuar angazhimin e shumë intelektualëve dhe përfaqësuesve të tjerë për çështjen tonë kombëtare.
185. Naim Maloku, komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Adem Demaçi do t’i shpejtoj disa procese politike në Lëvizjen tonë Kombëtare
Duke pasur parasysh autoritetin e lartë që Adem Demaçi e gëzon në popull, mendoj se prej tij pritet që t’i shpejtojë disa procese pozitive në Lëvizjen tonë Kombëtare për çlirim. Në radhë të parë, nga Demaçi pritet që të veprojë dhe të ndikojë pozitivisht në formimin e institucioneve shtetërore të Kosovës. Mendoj se roli i Demaçit duhet dhe pritet të jetë që të ndihmojë që UÇK-ja të futet në suazat e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës.
186. Naim Tërnava, myfti i Bashkësisë Islame të Kosovës: Adem Demaçi, vizionar largpamës
Adem Demaçit, me veprimtarinë dhe qëndresën e tij dinjitoze, do t’i takojë vendi më meritor në analet e historisë sonë kombëtare, si personalitet që me vizionin e tij largpamës iu parapriu ngjarjeve historike, dëshmitar të të cilave jemi ne sot.
187. Nait Hasani, deputet i parlamentit të Republikës së Kosovës: Adem Demaçi dhe Kosova janë një
Të shkruash për Adem Demaçin nuk është lehtë. Sepse Ai dhe Kosova apo Kosova dhe Ai janë Një. Njëri pa tjetrin nuk shkojnë. Sepse Demaçi dhe Kosova kanë një emërues të përbashkët. Kosova Demaçit i dha jetën dhe nderin. Ai Kosovës veten.
188. Nermin Vlora, pinjolle e familjes historike Vlora: Adem Demaçi e ndiente veten të lirë, megjithëse i lidhur me zinxhir.
Njëzet e tetë vjet burg, 28 vjet të hequra nga jeta e një burri vetëm pse ishte shqiptar, shkrimtar dhe i ditur, prandaj dy herë i “rrezikshëm”. I rrezikshëm se i përkiste një etnie autoktone në ato troje. Por, Adem Demaçi e ndjente veten të lirë, megjithëse i lidhur me zinxhir: shpirti i tij kishte mësuar të dërgonte mendimin e tij njerëzve të lirë, dashamirës të mosdhunës e të paqes.
189. Nexhat Daci, anëtar i Këshillit Qendror të Lidhjes Demokratike të Kosovës: Adem Demaçi të zgjedhet deputet i Kuvendit të Kosovës
Adem Demaçi do t’i bënte nderë si deputet çdo Parlamenti të shteteve evropiani. Pse të mos e ketë këtë nder Parlamenti i Kosovës?
190. Nexhet Rexha, shkrimtar: Adem Demaçi, sinonim i sakrificës
Personaliteti i Adem Demaçit në veprat e Selatin Novosellës ofron e mundëson përjetimin e njeriut që ka sakrifikuar dhe ia ka dalur bashkë me popullin e tij të tejkalojë shumë udhëkryqe, të cilat në vete kanë bartur përgjegjësi nga më të ndryshmet.
191. Nikë Xheloshi, zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës në ekzil: Adem Demaçi synonte formimin e Asamblesë Kombëtare
Adem Demaçi, më 21 shtator 1998, pohonte: “do të krijoj një Asamble të përbashkët dhe nga ajo asamble të dalë mandatari për formimin e një qeverie, t’i jepet mandati një njeriu që është i zoti për të marrrë mandatin e një qeverie që do të ishte për të punuar në Kosovë dhe nga këto organe do të formohej grupi negociator me njerëz kompetent që do të kishin rreth vetes ekspertët e nevojshëm shqiptarë”.
194. Nikolla Mazura, bashkëvuajtës i Adem Demaçit në burg: Të burgosur politik më dinjitoz se Adem Demaçin nuk kam parë
Në burgjet e Jugosllavisë, si i burgosur politik kroat, i kam mbajtur 22 vjet burg. Gjatë kësaj kohe asnjëherë nuk kam takuar të burgosur më dinjitoz se sa Adem Demaçin.
195. Noel Malkolm, historian: Adem Demaçi përfaqësonte Lëvizjen politike më të vjetër protiranase
Lëvizja më e vjetër protiranase, që ka vepruar në Kosovë, “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, u themelua vetëm në fillim të viteve gjashtëdhjetë; lideri i saj, Adem Demaçi, pretendonte se kishte siguruar një anëtarësi prej afro 300 vetash, shumë prej të cilëve u arrestuan (bashkë me të) më 1964.
196. Nufri Lekaj, veprimtar i çështjes kombëtare: Adem Demaçi, në vitin 1994, ishte kandidat për Çmimin Nobel për Paqe
Në vitin 1994, pesë deputetë të Parlamentit të Norvegjisë e kandiduan Adem Demaçin për Çmimin Nobel për Letërsi dhe të njëjtin vit ai kandidohet edhe për Çmimin Nobel për Paqe. Në vitin 1995 ai nderohet me Çmimin Leo Eitinger për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut nga Universiteti i Oslos.
197. Paskal Milo, ministër i Punëve të Jashtëm i Republikës së Shqipërisë: Adem Demaçi i kupton vështirësitë në Shqipëri
Adem Demaçi, më 5 janar 1999, më tha se politikanët shqiptarë të Kosovës janë realist dhe me gjithë dëshirën e tyre që vendi amë, Shqipëria, të luante një rol edhe më të madh për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ata i kuptojnë vështirësitë që po kalon Shqipëria.
198. Peter Kurman, shkrimtar: Lirimi i Adem Demaçit nga burgu do të jetë gëzim për shkrimtarët suedezë
Dua të them se në atë kohë kur Adem Demaçi do të dalë nga burgu, për ne shkrimtarët suedezë, do të jetë një gëzim tepër i madh.
199. Pishtar Lutfiu, ministër i Arsimit të Republikës së Maqedonisë: Pa Adem Demaçin s’mund të imagjinohet e kaluara dhe e sotmja shqiptare
Nderimi që i bëhet Adem Demaçit është një rishikim i vetvetes, të kaluarës dhe të sotmes, pasi që e kaluara dhe e sotmja nuk mund të imagjinohet pa idealet e Adem Demaçit, si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni dhe mbarë popullin shqiptar kudo që jeton.
200. Pjetër Arbnori, kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë: Adem Demaçi, simbol i qëndresës
Ju, i dashur Adem, jeni nga ata intelektualë e luftëtarë shqiptarë që tërë jetën ia keni kushtuar, pa më të voglën rezervë, idealit të shenjtë të lirisë. Keni mposhtur burgun gati tridhjetëvjeçar brenda hekurave mbytës të shovinistëve serbomëdhenj. Jeni kthyer në simbol të qëndresës, të ndershmërisë e urtësisë popullore dhe tash qëndroni kryelartë, në rreshtat e para, të rezistencës paqësore që populli heroik i Kosovës të fitoj, hap pas hapi, të drejtat e veta njerëzore e kombëtare dhe të bëjë realitet aspiratat e natyrshme për liri, pavarësi e bashkim kombëtar.
201. Prend Buzhala, shkrimtar: Adem Demaçi dha intervista të panumërta për shtypin kombëtar dhe botërorë
Gjatë viteve ’90-ta, pas lirimit nga burgu i tretë, Adem Demaçi ka dhënë intervista të shumta jo vetëm në mediet shqiptare, por edhe në mediet e shumta europerëndimre e botërore, në të cilat jepen komente, zbërthime e argumente për gjendjen e shqiptarëve nën Serbi e në shtete tjera sllave.
202. Qani Mehmedi, publicist: Adem Demaçi, projektuesi dhe protagonist më frymëzues i lirisë së Kosovës
Bota shqiptare më shumë se gjashtëdhjetë vjet ballafaqohet me fenomenin Demaçi. Rreth dyzet vjet duke ndjerë madhështinë e tij në heshtje, kurse mbi njëzet vjet të tjera kur Demaçi nuk flet më nga burgu, por fol, siç shprehet ai, nga një burg më i madh në botë dhe fol edhe tani që Kosova, më në fund, e fitoi lirinë, ndonëse jo në përmasat siç e kishte dashur dhe projektuar protagonisti më frymëzues i saj, Adem Demaçi.
203. Qazim Berisha, shkrimtar: Adem Demaçit Zoti ia shtoi shëndetin dhe ia zgjati jetën
Adem Demaçi për lirinë e Kosovës e ofroi edhe jetën, por mortja s’e mori. Ai, për lirinë e Kosovës e ofroi shëndetin, por Zoti ia shtoi edhe më shumë.
204. Qemajl Krasniqi, profesor: Adem Demaçi, në fatkeqësinë e tij, shihte të ardhmen e atdheut
Për të arritur deri te çlirimi i Kosovës na duhej urtësia e Adem Demaçit, zemërgjerësia e tij, na duhej guximi i tij, na duhej dashuria e tij për atdheun, na duhej zgjuarsia e tij, na duhej durimi i tij. Sepse ai, në fatkeqësinë e tij, shihte të ardhmen e atdheut, shihete lavdinë e dëshmorëve.
205. Qemal Minxhozi, ambasador i Shqipërisë në Kosovë: Adem Demaçi ka lindur në palët e flamurit
Vendlindja e Adem Demaçit nuk është thjesht Kosova. Adem Demaçi ka lindur në palët e flamurit kombëtar. Me Adem Demaçin krenohemi të gjithë, sepse ai ishte, është dhe do të mbetet simbol i krenarisë shqiptare. Adem Demaçi ka qenë dhe mbetet përfaqësuesi më integrues, më i duartrokitur, më i mbështetur prej të gjitha figurave që ka pasur historia e Kosovës.
206. Qerim Lita, zëvendësdrejtor i Arkivit Shtetëror të Maqedonisë: Adem Demaçi, organizator rrallë i Lëvizjes Kombëtare
Adem Demaçi, në vitin 1963, pasi vendosi lidhje me disa atdhetarë të tjerë nga Prishtina, Peja, Gjakova, Mitrovica, Gjilani etj., për një kohë shumë të shkurtë arriti ta formojë organizatën ilegale, e cila mori emrin “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”.
207. Qerim Pllana, shkrimtar: Të gjithë disidentëve evropian, përveç Adem Demaçit, iu mundësua zgjedhja në postet më të larta shtetërore
Të gjithë kolegëve, ish-të burgosur politikë, të Adem Demaçit në Shqipëri, Kroaci, Bosnje, Slloveni, Vojvodin, Mal të Zi, Maqedoni, Gjermani Lindore, Çeki, Sllovaki, Rumani, Bullgari etj., pas rënies së komunizmit dhe Murit të Berlinit, duke filluar nga Vasllav Haveli në Çeki, iu mundësuan postet – kryetar qeverie, president ose kryetar të kuvendeve, përveç Adem Demaçit!
208. Ramadan Avdiu, veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare: UDB-ja ishte kujdesur të zhdukte të gjitha fotot e Adem Demaçit
Adem Demaçi, prej vitit 1958 e deri në vitin 1990, nuk përmendej shumë publikisht, sepse çdo apostrofim i emrit të tij do të thoshte rrezik për burgosje. Mediat nuk publikonin asnjë foto të tij, përveç shtypit ilegal, kurse UDB-ja ishte kujdesur për të zhdukur të gjitha fotot e Adem Demaçit. (Vijon)