Adem Demaçi, figurë unike e historisë shqiptare
Selatin Novosella
“MENDIME TË ZGJEDHURA PËR ADEM DEMAÇIN” (10)
209. Ramadan Musliu, shkrimtar: Adem Demaçi ofron një vizion të ri artistik
Romani i Adem Demaçit “Gjarpinjtë e gjakut” e abstrakton faktin se është një vepër e vënë ad acta, fakt ky që do ta mbante të tendosur kërshërinë e ushqyer me elemente jashtë artistike, po lexuesit i ofron një përjetim estetik, i ofron një botë artistike, i ofron një vizion të ri artistik.
210. Ramadan Pllana, veprimtar i çështjes kombëtare: Adem Demaçi, atdhetari më i devotshëm i kohës sonë
Duke e nderuar atdhetarin më të devotshëm të kohës sonë, Bacën Adem Demaçi, feniksin e ndërgjegjes sonë kombëtare, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij, jo vetëm që i bëjmë nder personalitet të tij, por me këto manifestime i shërbejmë edhe kujtesës historike.
211. Ramadan Shala, bashkëveprimtar i Adem Demaçit: Adem Demaçi ka shkruar Programin dhe Statutin e “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”
Së bashku me Adem Demaçin, në vitin 1964, në Pejë, i kemi shkruar Programin dhe Statutin e organizatës “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”. Unë kam përgatitur disa teza dhe kam ofruar disa statistika që janë përfshirë në Program, ndërsa Adem Demaçi me dorë i ka shkruar këto dy dokumente bazë të LRBSH-së.
212. Ramë Buja, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës: Adem Demaçi, personalitet i pazëvendësueshëm
Adem Demaçi është caktuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së si njeriu më i gjetur, më i përshtatshëm për t’i bërë institucionet e përbashkëta në Prishtinë. Domethënë, insistohej nga Shtabi i Përgjithshëm që të krijohej një Asamble dhe të futen në të të gjitha subjektet politike dhe UÇK-ja. Adem Demaçi ka qenë një personalitet i pazëvendësueshëm dhe vetëm ai ka mundur ta kryej atë rol në atë kohë dhe askush tjetër.
213. Ramiz Kelmendi, shkrimtar: Me Adem Demaçin më ka lidhur gazetaria
Me Adem Demaçin më ka lidhur jeta publike, sidomos gazetaria, duke ia nisur në letrat shqipe që sot janë vepra.
214. Ramush Haradinaj, komandant i Zonës Operative të Dukagjinit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Për sakrificat e Adem Demaçit kam mësuar qysh si fëmijë
Unë, qysh si fëmijë, kam mësuar për sakrificat e Adem Demaçit dhe për vitet e shumta që i ka kaluar në burg dhe çdo herë kam ruajtur një simpati për të. Pas çlirimit të Kosovës kam ndier obligim ta kem një takim me Bacën Adem, edhe për faktin se ai ishte një kohë Përfaqësues Politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që vepronte në Prishtinë.
215. Rapsod popullor (shtator 1964): Adem Demaçi: “Lufta ime, gjithsesi, do të vazhdohet!”
Pas gjykimit të dytë të Adem Demaçit me 15 vite burg të rëndë, në vitin 1964, gjatë një pauze të këndimit, në një dasmë në Prishtinë, njëri prej rapsodëve, tregoi këtë anekdotë të krijuar për Adem Demaçin: “Në fjalën përfundimtare para Gjyqit në Prishtinë, Adem Demaçi ka thanë: ‘Sa do që të më dënoni lufta ime për bashkimin e Kosovës me Shqipninë ka me vazhdue. Askush nëse nuk mbetet i gjallë në Kosovë, atë rrugë ka me e vazhdue nji fëmijë jetim që ju ia keni vra babën, i cili e ka pi tamlin e nji delje që ka kullot barin mbi varrin tim!’”
216. Rasim Selmanaj, kryetar i komunës së Deçanit: Adem Demaçi nuk e shiti shpirtin kurrë
Adem Demaçi nuk i mësyu asnjëherë majat e pushtetit a të lartësisë së karriges, a të privilegjeve në kurriz të rrjetit, sepse ai ua kishte mësyrë do lartësive të tjera, duke qëndruar gjithnjë në mrekullinë e thjeshtësisë së tij: në të hequrit dorë nga vetvetja për të mos krijuar mitin për vetveten a mitin e politikanit që shpesh e shet shpirtin e tij.
217. Resmije Kryeziu, shkrimtare: Duke e nderuar Adem Demaçin ne nderojmë veten tonë
Duke e nderuar Adem Demaçin ne e nderojmë veten tonë. Prandaj të mos habitemi me gjithë atë shumësi Çmimesh, Dekoratash, Mirënjohjesh dhe Falënderimesh që për të vijnë nga anë të ndryshme. Në këtë kontekst edhe Dekorata “Nderi i Kombit”, bashkë me shtetësinë shqiptare, që iu dha nga Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ishte më shumë se nderim për Adem Demaçin, ishte vlerësim për gjeneratat e shumta atdhetare shqiptare.
218. Reshat Qahili, prorektor i Universitetit të Tetovës: Adem Demaçi “Doktor Honoris Causa” i Universitetit të Tetovës
Titulli “Doktor Honoris Causa” të Universitetit të Tetovës i jepet intelektualit, humanistit dhe atdhetarit të shquar, Adem Demaçi, për flijimin e tij deri në vetëmohim për çështjen kombëtare, për kontributin e jashtëzakonshëm prej humanisti dhe sendërtuesi të ideve universale demokratike, për sakrificën sublime për arsimin, kulturën dhe shkencën shqiptare.
219. Reshat Sahitaj, shkrimtar: Në mbrojtje të të drejtave të Adem Demaçit me shokë u organizuan shumë greva dhe protesta në Evropë
Nën ndikimin e Adem Demaçit dhe të patriotëve të tjerë që po vuanin dënimet e gjata në ish-Jugosllavi, u bë traditë të organizohen greva dhe protesta të ndryshme nëpër burgjet e pushtuesit jugosllav, ku kërkohej përmirësimi i kushteve të jetë së të burgosurve politikë shqiptarë, e sidomos kthimi i tyre në burgjet e Kosovës.
220. Rexhep Qosja, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës: Krahasimi i Demaçit me Mandelën është i padrejtë për Demaçin
Adem Demaçin e krahasojnë me liderin jugafrikan Nelson Mandelën. Ky krahasim nuk më pëlqen, sepse është i padrejtë për Adem Demaçin. Nelson Mandela, megjithëse nën trysninë e dënimit me vdekje, ka bërë burgjet e Afrikës Jugore e kjo, megjithatë, domethënë në burgjet e anglezëve dhe holandezëve. Adem Demaçi, ndërkaq, ka bërë burg Serbie – burg serb dhe bolshevik!
221. Rexhep Selimi, komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Adem Demaçi, figurë unike e historisë shqiptare
Adem Demaçi nuk është një figurë e rrallë, ai është, gjithsesi, figurë e veçantë dhe unikate e historisë së re të shqiptarëve. Andaj, qysh i ri, jam frymëzuar për kohë të gjatë nga vepra e Adem Demaçit.
222. Robert Elsie, historian: Adem Demaçi, disidenti më i shquar politik në Jugosllavi
Adem Demaçi është figurë politike dhe aktivist i të drejtave të njeriut. Ai, në vitin 1953, studio letërsinë në Universitetin e Beogradit. Pas kthimit në Kosovë, punoi si gazetar në Shtëpinë Botuese “Rilindja”. Në fund të viteve 1980, ai njihet si një prej disidentëve më të shquar politikë të Jugosllavisë.
223. Riçard Holbruk, ambasador i ShBA-ve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara: Me Adem Demaçin, thënë troç, nuk mund të merremi vesh
E di mirë që Adem Demaçi është përfaqësues i UÇK-së këtu, në Prishtinë, por as unë, as ambasadori Hill, nuk mund të merremi vesh me të për asgjë. Jeni të njoftuar ju se sa kam provuar të bëjë punë me të, por me Demaçin, thënë troç, ne nuk mund të merremi vesh. Prandaj, ju duhet të merrni përsipër këtë obligim dhe ta bindni Demaçin dhe UÇK-në se duhet ta pranojnë armëpushimin sepse, në të kundërtën, unë i kam duart e lidhura dhe s’mund të bëjë kurrfarë depërtimi.
224. Riza Greiçevci, shkrimtar: Adem Demaçi, legjendë e gjallë e shqiptarëve
Më 17 gusht 1990, kur po shënohej përvjetori i rënies së simbolit të flamurit, Fazli Greiçevci, në vendlindjen e dëshmorit, erdhi Adem Demaçi, i cili para pak kohësh ishte liruar nga burgu i tretë, ku u pritë nga mijëra të pranishëm si legjendë e gjallë shqiptare.
225. Rudi Berisha, poet: Adem Demaçi, faqe e historisë
Adem Demaçi është drita e cila po shkëpuste me dhëmbë prangat jugosllave. Figura e tij është meteor lirie, që në kazamatet serbe po ngrihej mbi zinxhirët pushtues. Demaçi është dhe do të mbetet faqe e historisë.
226. Rufi Osmani, kryetar i komunës së Gostivarit: Adem Demaçi, kurdoherë i dashur për popullin
Proza e Adem Demaçit sjell një vizion autorial, ku shkrihet historia, miti, legjenda, përvoja e vet autorit, theksimet e së kaluarës dhe tragjikja e atyre viteve. Demaçi gjithnjë energjik, i paepur, i sinqertë por edhe i ashpër, sipas momentit dhe rastit, kurdoherë i dashur për popullin, të cilit shpeshherë ia qanë hallin, duke ia kujtuar vuajtjet shekullore.
227. Rushit Ramabaja, shkrimtar: Nënat tona iu këndonin foshnjave të tyre në djep: “Nina-nana në djet prej bredhit/Ti m’i ngjafsh, birë, Bacë Ademit!”
Dikur nënat iu këndonin foshnjave të tyre në djep: “Nina-nana në djep prej bredhit\ Ti m’i ngjafsh, birë, Bacë Ademit!”. E nga ajo kohë ninullash s’kanë kaluar më shumë se dyzet e ca vjet. Domethënë, kur, veç të tjerash, Demaçi ishte ngujuar aty nga s’do të dilte më: në këngën e nënave, të atyre jetëdhënëseve, që më mirë se askush, ruajnë kujtesën dhe dhimbjen e etnisë.
228. Rrustem Mustafa, komandat i Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Adem Demaçin e kemi përjetuar si udhëheqës tonin në përgjithësi
Lirimin e Adem Demaçit nga burgu i tretë, në vitin 1990, tërë populli e ka pritur me gëzim, në veçanti ne të rinjtë, që në atë kohë mendonim se po bënim diçka më shumë se të tjerët, duke u organizuar në Lëvizjen atdhetare ilegale. Ne, atëherë, Bacën Adem e kemi përjetuar si udhëheqës tonin në përgjithësi.
229. Rrahim Sadiku, shkrimtar: Ndikimi i Adem Demaçit tek shqiptarët e Jugosllavisë ishte hyjnor
Ndikimi i jetës dhe veprës së Adem Demaçit në vetëdijen dhe në ndërdijen e shqiptarëve që jetonin atë kohë në Jugosllavi ishte, mund të thuhet lirisht, hyjnor. Ai ishte madhështia e të qenit shqiptar, ishte kuptimi i jetës së shqiptarëve, ishte Mesia.
230. Sabahajdin Cena, ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Pa Adem Demaçin dhe pa Adem Jasharin nuk mund të shkruhet historia jonë më e re
Adem Demaçi ishte shpresë dhe motiv për të gjithë ne. Prandaj, mund të vijmë në përfundim se pa Adem Demaçin dhe Adem Jasharin nuk mund të shkruhet historia jonë më e re. (Vijon)