ADEM DEMAÇI “I DËRGUARI I ZOTIT PËR SHPËTIMIN E KOSOVËS…”!
ESSAT H. BILALI
(Shënim përkujtimor për vëllaun, Adem Demaçin).
Me të dëgjuar lajmin e zi të vdekjes së Adem Demaçit (29 korrik, 2018), nismëtarit të luftës për liri dhe bashkim kombëtar në Kosovë, trupi m’u rrëqeth dhe lotët më shpërthyen…
Kjo ndodhi jo vetëm pse ai ishte frymëzuesi im i qëndresës kombëtare që nga bankat e gjimnazit (Prizren, 1952-1960), por edhe pse ishte vëlla imi, siç i thonim njëri-tjetrit dhe bashkëluftëtar pastaj në betejat e mëdha për liri e bashkim kombëtar (“Forumi” dhe Amerika).
Si gjimnazistë që ishim gjatë fillimit të veprimtarisë së tij, thirrjen e Adem Demaçit për liri dhe bashkim kombëtar e dëgjuam me pandehje, kur Jugosllavia me moton raciste të “vëllazërim basbkimit” ishte “parajsë” e Botës (1960) së “qytetëruar”, por ferr i shqiptarëve të “paqytetëruar”. Zërin kryengritës të Adem Demaçit atëherë e dëgjoi me pandehje shumëkush në atë ferr dantesk, madje duke ua përzier ndjenjat që shtypeshin me përdhunë nga armiku i dyfishtë: ideologjia komuniste dhe shovenizmi pansllavist, por pak kush e përkrahu atë haptas, sepse ai dukej i pashpresë, anakronik nga rrenat shoveniste dhe shumë i rrezikshëm. Por, për Adem Demaçin lagpamës, trim i pashoq dhe idealist i madh, ai zë ishte rëndomësi e domosdoshme.
Si i këtillë, mund te thuhet se Adem Demaçi ishte i dërguari i Zotit që jo vetëm të përpiqet, por edhe të bëjë diçka kundër të keqes së popullit të tij, një barrë shumë e rëndë, më e rëndë se Guri i Sizifit. Se kjo qëndron, sikur e tregon rebelimi i tij kundër salltanateve fashiste në flamurin kombëtar shqiptar në klasën e mësimit që në moshën e mitur. Shpirtin prej kryengritësi kundër pushtuesit tjetër të vendit të vet pastaj Adem Demaçi e kaliti dhe e shprehu si dallojë të shpirtit të tij gjatë gjithë jetës, madje në çaste jo vetëm të brishta, por edhe të rrezikshme. Duke vazhduar kështu, që në moshë të re, me një gjuhë vendase, të thjeshtë dhe fort të qartë të një të riu, vazhdoi ta ngrejë zërin fuqishëm kundër të keqes edhe në rang letrar me veprën monumentale te atdhetarizmit shqiptar “Gjarpijt e gjakut” (“Jeta e re”) – kushtrim i fuqishëm për bashkimin e popullit shqiptar në luftën e madhe kundër gjarpijve të gjakut. Në atë mes ferri dantesk që quhej Jugosllavi, Adem Demaçi, një njeri me trup të vogël, me largpamje të madhe dhe me guxim të veçantë, do të shkojë edhe më tej me mendimin edhe më të rrezikshëm, duke
kërkuar me zë e zhurmë bashkimin e kombit shqiptar, që vuante nën çizmen gjakatare të dyfishtë: shoveniste dhe komuniste serbo-jugosllave nën moton raciste të “vëllazërim bashkimit”.
Si rëndom, qeveria pushtuese serbo-jugosllave përpiqej që t’i bëjë për vete kundërshtarët e saj. Këtë ide korruptive ajo u përpoq ta përdorë edhe ndaj Adem Demçit, duke i premtuar atij të gjitha të mirat, madje për ta futur edhe në partinë gjakatare komuniste me “kart blank” për të bërë gjithçka, pa i dhënë përgjigje askujt. Por ato manovrime të pista të anmikut te Adem Demaçi nuk gjetën përkrahje. Shpirtin e qëndresës së Adem Demaçit nuk kishte forcë që e thyente. Prandaj atë do ta burgosin për ta shkatërruar, duke e izoluar dhe duke e thyer shpirtërisht. Por, ndonëse Adem Demaçi u burgos dhe u mbajt në burg për 28 vjet, më shumë se cdo disident në botë, shpirti idealist shqiptar i tij nuk u thye. Mu, përkundrazi, ai u feshitizua në mendjen e popullit, duke e apoteozuar atë si simbol i lëvizjes për vazhdimin e qëndresës. Gjatë kohës që ishte në burg, zëri i tij ushtonte në përkrahje të luftës për liri dhe të drejta njerëzore dhe kombëtare. Po ashtu, edhe kur doli nga burgu më 1990, pas 28 vjetësh nëpër ferret e Udbës gjakatare… , ai nuk kishte ndryshuar, por me guxim të pashoq, tha: “Dola nga burgu i vogël dhe hyra në burgun e madh” dhe vazhdoi misionin e tij pa luhatje me një numër veprimtarish, duke përhapur zërin e lirisë dhe të bashkimit kombëtar…
Si i këtillë, edhe lufta në Kosovë nuk i lëkundi bindjet e tij. Edhe në atë tmerr, kur disa iknin ose e ndërronin identitetin për të shpëtuar, Adem Demaçi jo vetëm qëndroi në epiqendrën e luftës, në Prishtinë, por mori pjesë vepruese, duke qenë përfaqësues i UÇK-së e pastaj edhe duke ecur në ballë të demonstratave e me parulla kundër pushtuesit … Adem Demaçi nuk zmbrapej, sepse ishte nga ata guximtarë të vendosur, që luftonte me moton “ja vdekje ja liri”! Për këtë, ai jo vetëm u përzemërsua me krahun luftarak për liri, duke hapur zyrën e UÇK-së në Prishtinë edhe në atë gjendje, por edhe u bë pjesë e saj, madje duke pasur guximin të bëhet drejtues i saj.
Me këto virtyte, ai vazhdoi të luaj rolin e simbolit të qëndresës jo vetëm për fillimin e saj, por edhe për zhvillimin dhe vazhdimin e luftës për liri dhe të drejta gjer në fitore.
Për këtë, nëse lufta heroike e popullit shqiptar për 25 vjet me radhë prirë nga Gjergj Kastrioti kundër pushtuesit shekullor turk u bë kushtrim i luftës së ardhshme të shqiptarëve për liri gjatë shekujve, ashtu siç u bë edhe shpirti i Lidhjes së Prizrenit kushtrim për të vazhduar luftën pë liri më tej, mund te thuhet, se edhe zëri i Adem Demaçit për liri dhe bashim kombëtar, u bë kushtrim i luftës së popullit shqiptar për liri gjatë afër një shekulli..
Ajo që, pos tjerash, është një mrekulli e shpirtit të Adem Demaçit, është se të gjitha këto dënime, ai nuk i priti as me shqetësim të shpirtit, as me lot të syve, po me buzëqeshjen e tij të ëmbël dhe të habitshme, sigurisht se ironike me plot e përplot mllef për armikun!
Megjithë që Adem Demaçi ishte idealist i madh, idealet e tij nuk ishtin dogma të ngurta. Si shumica e atdhetarēve kosovarë, edhe Adem Demaçi e konsideronte Shqipërinë mëmëdhe nënë dhe udhëheqjen e saj komuniste idol, gjithashtu edhe për inat të Titos që të vriste duke u zgëdhirë. Por kur doli nga burgu dhe mësoi se ata ishin diktatorë që i kishin duart e përlyera me gjak të njerëzve të pafajshëm, e zhduku librin që e kishte shkruar më parë me lëvdata imagjinare për ta…
Se sa e shenjtë ka qenë përpjekja e Adem Demaçit pë liri jo vetëm për popullin shqiptarë, por edhe për gjithë njerëzimin, e tregon fakti se atë jo vëm e dëgjoi bota e qytetëruar, por edhe i dha një numër njohjesh. Megjithatë këtë shpirt të madh njerëzor disa nuk ia njohin popullit shqiptar, por shtypësit të tij, pra duke e falsifikuar të vërtetën. Kjo jo vetëm është e habitshme, por edhe të lë me gisht në gojë!!!!!!!
Edhe në çastin e fundit në shtratin e vdekjes Adem Demaçi i kujtoi shqiptarët duke këkuar që të bëhen të mirë, sipas fjalës së vajzës së tij, Abetares, që mbajti në varrimin e tij. Ajo tregon që mirëqenia e shqiptarit për Adem Demaçin ka qenë obsesion i jetës së tij. Por edhe ashtu siç janë ata, ka mjaft shqiptarë të ndjeshëm, atdhetarë të përkushtuar dhe idealistë të çilterët, të cilët, o Adem Demaçi, do ta kujtojnë Adem Demaçin për dhezjen e zjarrit të lirisë, pë nxitjen e bashkimit kombëtar dhe për angazhimin e tij në luftën titanike për çlirimin e Kosovës.
Më 1 gusht, 2018
USA