Adem Demaçi ishte veprimtar i pathyeshëm i çështjes kombëtare
Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka përkujtuar veprimtarin Adem Demaçi në dyvjetorin e ndarjes nga jeta.
Mustafa ka thënë se Adem Demaçi ishte veprimtar i pathyeshëm i çështjes kombëtare.
“Me vullnet të pashembullt, sakrifikoi pjesën më të madhe të jetës së tij nëpër burgjet e regjimit okupator, në shërbim të kauzës kombëtare për liri. Ai mbetet sinonim i flijimit dhe sakrificës për atdhe, duke u dergjur burgjeve serbe gati 3 dekada, prandaj është model i njeriut të pathyeshëm për kauzën e lirisë. Me veprimtarinë e tij, u bë simbol i sakrificës dhe rezistencës për liri, duke motivuar breza të tërë që të mos heqin dorë nga lufta e drejtë për liri dhe pavarësi”, ka thënë Mustafa.
Ai ka theksuar se kontributi dhe sakrifica e Adem Demaçit, në kohërat më të vështira për shtetin tonë, ishin frymëzim për të punuar në arritjen e synimeve tona për krijimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.
“I përjetshëm kujtimi për simbolin e rezistencës kosovare, Adem Demaçi”, ka deklaruar Mustafa.
(F.D / Epoka e re)