Adem Demaçi në kujtimet e mia

30 tetor 2020 | 14:28

Nga Sulejman E. Sulejmani

Me Adem Demaçin jemi “njohur” në rrethana të jashtëzakonshme për të dytë. Ishin rrethana të jashtëzakonshme sepse ai ishte në burgun e Prishtinës, ndërsa unë si fëmijë i shkollës fillore bash ndjeja me të dhe shokët e tij. Unë nuk i ndjeja dhimbjet e tyre fizike, por edhe dhimbjet e tyre shpirt norë i përjetoja thellë. Kur është burgos Adem Demaçi në vitin 1975, kam qenë nxënës i klasës së gjashtë në shkollën fillore “Skënderbeu” të Zarbincës. Mendoj se përveç dashurisë për familjen, për shokët, për mësuesit, jeta ime si fëmijë nuk ishte me lojëra fëmijërore. Në “lojën” time gjithnjë përziheshin krimet e vitit 1912, krimet e OZN-ës, maskara e Tivarit, masakra e vitit 1944-45 mbi Gjilanin, lufta e Shaban Polluzhës, lufta e Desivojcës e mbi të gjitha sikur tërë familjes tonë, mbi mua rëndonte vrasja e gjyshit tonë Syë Zarbincës prej OZN-ës në vitin 1947. Ishte nji vrasje që nuk vjetrohej fare, por gjithnjë ishte e freskët, e dhimbshme dhe përvëluese… Edhe në bisedat e gjata netëve të dimrit, kur nuk përmendej fare, edhe në këngët që këndonim, edhe gjatë festave, gjithmonë ajo vrasje na rrinte mbi supe. Hija e gjyshit tonë Sylë Zarbinca sillej pafundësisht në shtëpinë tonë. Me njëfarë mënyre bashkëjetonim si në legjendë – ne të gjallët me të vrarin.

Burgosja e nipit tonë Ilmi Ramadanit në vitin 1975, që në atë kohë ishte student i ekonomisë në Prishtinë, në familjen tonë ishte si rënia e një tërmeti që t’i merr të gjitha, me përjashtim të jetës. Për një moment çdo gjë u ba e pandreqshme dhe shumë e zymtë. Ilmi Ramadani ishte djali i motrës së babës tim – Laliferes, me të cilën familje kishim një lidhje shumë të fuqishme emocionale. Babai u mbyll në vetvete dhe fytyra i mori një ngjyrë të zezë që shprehte pikëllim të pa përshkruar. Nuk dinim asgjë konkrete për ato burgosje që ndodhnin. Vetëm e kishim të qartë që ata që e kishin vrarë Sylë Zarbincën, ata po na godisnin përsëri. Përkundër kësaj zymtësie që e kaploi familjen tonë, shpresonim se një ditë do ta lironin nipin tonë nga burgu dhe ajo ditë dëshironim që do të jetë brenda javëve ose eventualisht muaji.

Një pasdite të vonë vjeshte, babai erdhi në shtëpi edhe ma i vrenjtur. Na tregoi se kishte biseduar me mësuesin Ismet Shabani, që e kishim fqinj dhe i kishte treguar se në grupin e të burgosurve me nipin tone, si ma i vjetër ndodhej një zotëri që quhej Adem Demaçi. Mësuesi i kishte pas treguar gjithashtu se Adem Demaçi është shkrimtar dhe i dënuar edhe here tjera për çështje politike. Sipas kësaj, i kishte thanë babës se “çështja qenka serioze dhe nuk po shpëtojka prej dënimit”. Ky lajm na e humbi edhe atë pak shpresë që e ruanim se Ilmiu do të lirohej dhe do t’i vazhdonte studimet ku i kishte lënë. Ka mundësi që gjatë vizitave që na kishte bërë Ilmiu ma herët të na ketë fol për Adem Demaçin, por për habinë tonë nuk e kishim pas mbajt në kujtesë. Prej asaj nate, Adem Demaçi më ka përcjell gjatë tërë jetës sime të mëvonshme. Kur i dënuan pastaj, në vitin 1976 e pata lexuar artikullin e gazetës “Rilindja”, ku i pari ishte emri i Adem Demaçit, ku thuhej se ishte 40 vjeçar dhe me profesion “ish student”. Kjo “ish student” më pati bërë shumë përshtypje, sepse e imagjinoja një burrë 40 vjeçar i cili ju printe djemve drejt lirisë edhe nën sqetull i mbante librat për studim. Më vonë, prej babës së Ilmiut – axhës Selk, që e kishte njohur personalisht kisha mësuar më shumë për Adem Demaçin.

Më kishte mbet gjithnjë në kujtesë se mbante syze me një dioptri shumë të fortë. Në gjimnazin “9Maji” të Kamenicës me shokët të cilët veçse e “njihnim” Adem Demaçin dhe ishim në dijeni të kauzës së tij për çështjen kombëtare, pothuajse kryefjala e bisedave tona ishte Ai. Në vitin 1978 gjatë vitit të dytë të gjimnazit, një shoqe e jona i solli dy numra të revistës “Jeta e re” ku në dy vazhdime ishte botuar romani i Adem Demaçit “Gjarpërinjtë e gjakut”. Romanin e lexuam me një frymë dhe në çdo rresht të tij mundoheshim me zbërthye ndonjë të fshehtë që e kishte lënë të nënkuptohej.

Për së afërmi, Adem Demaçin e kam takuar për herë të parë në vitin 1995, në shtëpinë e Sadik Zenelit në Heilbronn të Gjermanisë, ku ishin tubuar disa bashkatdhetarë për t’a dëgjuar fjalën e tij. I vogël me trup, me syzet e tij karakteristike që i mbaja mend nga biseda me axhën Selk dhe i rrëmbyeshëm në bisedë. Edhe një here tjetër e kam parë në një tubim me bashkatdhetarë në vitet e ‘90 diku afër Shtutgartit. Me atë rast u shpërnda edhe romani i tij “Mohimi i vetëmohimit”. Ajo që më la mbresa ishte se atë ditë ai siç dukej ishte me grip dhe porsa u ul në panel, nxori nga xhepi ilaçet dhe i piu, dhe si për çudi ose nga mendimet e mia naive më erdhi me veti mendimi “Si ka mundësi që një Kolos, siç është Adem Demaçi, po e nxëjka gripi!”.

Me Adem Demaçin më së shumti “kam biseduar” dhe “e kam njohur nga afër” përmes romanit e tij autobiografik “Dashuria kuantike e filanit”. Një prurje e mirë e gjendjes së përgjithshme në Prishtinë dhe në Kosovë e atmosferës mbytëse të pas LDB. Me ata Çetnikë të konvertuar në partizanë, me ato kontrolle makabre shtëpi më shtëpi, e mbi të gjitha ato krismat kur i bënin shqiptarët batare tek Togbashqja. Një përshkrim mbresëlënës është edhe përshkrimi i Profesorëve të Gjimnazit të Prishtinës, ku në kujtesë do të mbetet mësuesja e tij Vezirja në shkollën fillore gjatë LDB. Në këtë vepër, lexuesi do të mësoj për hetuesin, për qelinë dhe për dilemat e një shkrimtari të ri brenda mureve të qelisë…

Adem Demaçi nuk është më në mesin e të gjallëve. Ai prehet di kund në varret e Prishtinës… Edhe nëse harrohet figura e tij, Ai edhe njëqind vjet me radhë do të jetoj nëpërmes veprave që na la amanet, e posaçërisht nëpërmes dy prej romaneve të tij “Gjarpërinjtë e gjakut” dhe “Dashuria kuantike e filanit”. Nuk do të ketë studiues të letërsisë shqipe në Kosovë dhe historian që nuk do të merret me ato dy romane, si dëshmi e një kohe të dhimbshme dhe krenare…

Ndërsa, unë do të vazhdoj ta kujtoj Adem Demaçin si “ish student” që pret sa të dal pranvera me i vazhduar studimet aty ku i ka ndërprerë – për letërsi botërore…

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në shkollën “Dardania” në Prishtinë kanë dalë pozitivë me Covid-19…