Adem Demaçi do të jetë hero i Kosovës

16 shkurt 2018 | 10:55

Selatin Novosella

“MENDIME TË ZGJEDHURA PËR ADEM DEMAÇIN” (7)

143. Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës: Adem Demaçi do të jetë hero i Kosovës deri sa të ekzistojë Kosova
Në Republikën e Kosovës çmimin më të lartë për vepra sakrifice dhe trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës e kemi dekoratën Hero i Kosovës. Baca Adem Demaçi këtë titull e mori, formalisht, në vitin 2010, por, ky titull i takoi që nga dita e parë e arrestimit të tij, më 19 nëntor 1958. Ai, që nga kjo ditë, vijon të jetë Hero i Kosovës. I tillë do të jetë, deri sa të ekzistojë Kosova!

144. Kadrush Radogoshi, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës: Duke e nderuar Adem Demaçin Qeveria e Kosovës ajo e nderon vetveten
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i dhënë Adem Demaçit Pension Kombëtarë është vendim i cili, në radhë të parë, nderon Qeverinë e Kosovës. Po ashtu, me këtë vendim, janë nderuar të gjithë të burgosurit politikë të Kosovës.

145. Kofi Anan, sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara: Shqiptarët duhet të jenë krenarë me Adem Demaçin

146. Kosovare Krasniqi, punëtore shkencore e Institutit Albanologjik të Prishtinës: Adem Demaçi, udhërrëfyes për popullin shqiptar
Adem Demaçi me fuqinë e fjalës dhe me qëndrimin e tij prej titani nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë, për popullin shqiptar u bë zë i guximit, zë i shpresës, zë i forcës, zë i besnikërisë. Vetë emri dhe qenia e tij i reflektonin të gjitha këto. Ai, duke u sakrifikuar, u kthye në simbol të udhërrëfyesit për popullin e tij.

147. Kristina Rasi, gazetare: Adem Demaçi: “Unë do t’i thosha Adem Jasharit “BAC, U NIS”!
Në një intervistë për revistën “Shqipëria sot”, të 8 marsit 2008, të Tiranës, Adem Demaçi ka thënë se shpallja e pavarësisë është vetëm fillimi i pavarësisë së vërtetë të Kosovës. Për sloganin “BAC, U KRY”! Demaçi ka thënë se slogani objektiv do të duhej të ishte: “BAC, U NIS”!

148. Kudusi Lama, gjeneral i Ushtrisë Shqiptare: Adem Demaçi, argumentues i të ardhmes kombëtare shqiptare
Adem Demaçi me jetën e tij nuk ka qenë vetëm një qëndrestar përballë pushtuesit, por edhe një arsyetues dhe argumentues i të ardhmes kombëtare shqiptare, duke interpretuar gjithnjë me fuqinë e fjalës e të mendimit, të ardhmen e shqiptarëve, përtej pushtimit e edhe përtej jetës së Adem Demaçit.

149. Latif Gashi, komandant në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës: Adem Demaçi, Abetare ku mësohej udha e lirisë
Adem Demaçi, me shembullin e tij, me rrugëtimin e tij të gjatë drejtë Lirisë, rrugëtim i vështirë dhe plotë flijime, do të shndërrohet në Abetare ku mësohej udha që shpinte tek Liria kombëtare. UÇK-ja, në realitet, është vazhdimësi e të gjitha aktiviteteve ilegale të udhëhequra nga veprimtarë të mëdhenj të Çështjes kombëtare, e që u inspiruan nga simboli dhe ideatori i kësaj Lëvizjeje, Adem Demaçi.

150. Lazar Stojanoviq, bashkëvuajtës i Adem Demaçit në Burgun e Pozharevcit: Adem Demaçi është luftëtar i pathyeshëm
Demaçi nuk është Mendela jugosllav vetëm me gjatësinë e burgut të tij, por, para së gjithash, me qëndrimin e pakopromis dhe me moralin e lartë të luftëtarit të pathyeshëm.

151. Lebit Murtishi, shkrimtar: Më duhet shpirti dhe zemra e Adem Demaçit
Sa herë mundohem të hedh mbi supe vetëm një vit nga vitet e Adem Demaçit, më duket se për ta shpënë në cak më duhet të marr hua pak fuqi nga fuqia e tij; më duhet mendja dhe guximi i tij; më duhet shpirti dhe zemra e tij.

152. Lindita Nikolla, ministre e Arsimit në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë:
Nderimi i Adem Demaçit është reflektim për historinë tonë kombëtare
Sot, në Universitetin e Tetovës, kur po nderojmë Adem Demaçin me titullin “Doktor Nderi i Universitetit të Tetovës”, nuk po nderojmë vetëm Adem Demaçin, sot po nderojmë, po ndihemi krenar dhe po reflektojmë për historinë tonë, historinë e fundshekullit të kaluar dhe fillimit të shekullit të ri.

153. Lirim Geci, gazetar: Mbledhja e përbashkët e qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës është një lloj bashkimi kombëtar
Nderi i Kombit dhe Heroi i Kosovës, Adem Demaçi, duke folur për mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, e cila do të bahet në Prizren, më 11 janar 2014, përveç tjerash, tha: “Mbledhja e tillë e dy Qeverive tona është një lloj bashkimi kombëtar, duke pasur parasysh kohën dhe hapësirën në të cilën po jetojmë si dhe trendet ndërkombëtare në të cilat jemi duke shkuar”.

154. Lulëzim Etemaj, publicist: Porosia e njohur e Adem Demaçit në romanin e tij të parë, është porosi e projektit të tij kombëtar
Mesazhi i romanit të Adem Demaçit “Gjarpinjtë e gjakut”: Jo – atyre që janë trima të ngrenë gishtin e krimit! Por – atyre që janë trima të shtrijnë dorën e pajtimit” dhe Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve në Kosovë 1990 – 1991, është njëri nga kapitujt me rëndësi të veçantë të projektit shqiptar, jo vetëm të Kosovës por edhe përgjithësisht të atyre që jetojnë jashtë shtetit amë – Shqipërisë.

155. Matjazh Hanzhek, publicist: Adem Demaçi e njeh tërë bota
Për njeriun, si Adem Demaçi, që në mesin e njerëzve jeton si legjendë, qarkullojnë tregime të llojllojshëm, të vërteta dhe më pak të vërteta. Imagjinata e njeriut është e pamatur, posaçërisht kur është fjala për njeriun, të cilin e njeh tërë bota. Njerëzit, nëpërmes bisedimeve i afrohen heroit të tyre dhe me të identifikohen.

156. Medlin Olbrajt, sekretare e Shtetit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës: Adem Demaçi nuk pajtohej me gjithçka për Kosovën
Adem Demaçi ishte një nacionalist i vjetër kosovar, njëri prej atyre që i bënin presion Thaçit të ruante qëndrimin më të ashpër të mundshëm. I telefonova në Slloveni, ku ndodhej, dhe i kërkova ta nxiste Thaçin që të mbështeste qëndrimin tonë. Demaçi u përgjigj se nuk mund të pajtohej me gjithçka… I thash Demaçit:
Ka dy javë që palët po bisedojnë. Edhe fare pak orë kanë mbetur që të skadojë afati i fundit. Mund të takohemi me ju në të ardhmen, por tani ju duhet t’i jepni Thaçit miratimin tuaj. Në rast se nuk e bëni këtë, dështimi do t’ju ndjek si hije gjatë gjithë kohës që shqiptarët e thjeshtë do të vriten. Demaçi tha: Ne i çmojmë përpjekjet tuaja, po nuk duam të nxitohemi. Nëse është e nevojshme të vdesin edhe tridhjetë mijë shqiptarë, le të vdesin, por ne nuk do t’i dorëzojmë armët vetëm mbi bazën e premtimeve. Ne nuk do të heqim kurrë dorë nga ëndrra jonë për të qenë të lirë. Iu përgjigja: Propozimi im nuk do të thotë që të hiqni dorë nga ëndrra juaj. Mos e lini t’ju ikë nga dora ky shans për paqe. Thoni Thaçit se e mbështetni atë. Demaçi ma priti: Është e pamundur. E mbylla telefonin me një ndjenjë pështirosjeje. Kjo bisedë telefonike kishte qenë për mua një nga bisedimet më rrëqethëse që kisha pasur ndonjëherë në jetën time.

157. Mehmet Emërllahu, gazetar: Adem Demaçi, edhe pas 28 viteve të burgut, vazhdoi angazhimet për pavarësinë e Kosovës
Adem Demaçi 28 vjet qëndroi në burgjet e ish-Jugosllavisë për pavarësinë e Kosovës dhe pasi doli nga burgu i tretë, në vitin 1990, e gjeti të okupuar nga i njëjti pushtues – Serbinë. Adem Demaçi sërish vazhdoi të angazhohet për pavarësinë e Republikës së Kosovës.

158. Mehmet Hajrizi, njëri nga pjesëmarrësit e Konferencës së Rambujes në vitin 1999: Po të dëshironte Adem Demaçi do të bëhej president
Po të dëshironte Adem Demaçi të bëhej president ose ta synonin këtë të burgosurit politikë të Kosovës, në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Kosovë, në qershor të vitit 1992, ai mund të kandidohej dhe, pa dyshim, do të fitonte.

159. Mehmetali Rexhepi, shkrimtar: Adem Demaçi shtroi si kryeçështje çlirimin e Kosovës
Diskursi i Adem Demaçit nuk ishte thjeshtë një vetëmbrojtje individuale. Ai diskurs shpaloi përmasën madhore të çlirimit e të bashkimit të shqiptarëve, si një domosdoshmëri, që duhej të merrte shtrirje e të drejtën e qytetarisë, të mos mbetej çështje individësh a grupesh “të frustruara”, por të shtrohej si kryeçështje jetike, madje programatike për të gjitha brezat e shqiptarëve.

160. Memli Krasniqi, punëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës: Adem Demaçi, frymëzues për veprime atdhetare
Në vitin 1975, kur Josip Broz Tito po e vizitonte për herë të tretë Kosovën, ishte marrë vendimi për burgosjen e tretë të frymëzuesit për veprime atdhetare. Cili mund të ishte frymëzuesi i tillë i mundshëm? Natyrisht, Adem Demaçi, ikona e nacionalizmit liridashës shqiptar. Dhe si çdo elitë në pushtet ashtu edhe ajo kosovare do të mundohej të eliminonte një rrezik të tillë qoftë ai edhe imagjinar.

161. Meriman Braha, veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare: Veprimtaria atdhetare Adem Demaçit do t’i sigurojë pavdekësinë
Veprimtaria atdhetare Adem Demaçit do t’i marrë pjesën më të mirë të jetës, por që do t’i sigurojë pavdekësinë, oreolin e Heroit, të Nderit të Kombit, që do të kalojë kufijtë kombëtarë dhe do të bëhet idhull i brezave të rinj.

162. Mero Baze, gazetar: Adem Demaçi, lider politik i shqiptarëve të Kosovës
Adem Demaçi, i cili zëvendësoi Bajram Kosumin në postin e kryetarit të Partisë Parlamentare të Kosovës, filloi një ofensivë të ashpër ndaj kryetarit Rugova. Për këtë e ndihmoi dhe një vizitë e tij në Shqipëri, disa intervista në televizionin zyrtar të Tiranës dhe promovimi si lider gjatë takimeve me partitë politike në Tiranë.

163. Merxhan Avdyli, veprimtar i çështjes kombëtare: Adem Demaçi nuk ka as paraardhës as pasardhës
Shumë personalitete shqiptare mund ta kenë dytësorin e tyre, paraardhës apo pasardhës, si ky apo si ai, por Demaçi, është një prej të rrallëve, që nuk është as si ky e as si ai. Ai është vetëm Adem Demaçi. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shteti i Kosovës është një rrëfim i suksesshëm dhe krenar…