Adem Demaçi të lihet i qetë në amshim nga ata që nuk e kanë respektuar dhe vlerësuar sa ishte gjallë!
Shkruan: Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
A ishte Baca Adem kundër Ibrahim Rugovës:
Për Bacën Adem Demaçin, si Shpirt të Pamposhtur dhe Sakrifikues, deri në Vetëflijim për Liri, Çlirim dhe Bashkim Kombëtar kam dëgjuar sikur edhe të gjithë shqiptarët e tjerë për shkak mbajtjes në burg në llogoret e ish-Jugosllavisë për 28 vjet e që e cilësuan si Mandela i Evropës ndonëse, nëse kemi parasysh kohëzgjatjen dhe kushtet e vuajtjes së dënimit në ish-Jugosllavi, Mendela do të duhej të cilësohej si Adem Demaçi i Afrikës së Jugut.
Adem Demaçi u arrestua dhe u dënua fillimisht për një mendim politik të shprehur në romanin “Gjarprinjtë e Gjakut” që u bë doracak i asaj kohe por edhe i mëvonshëm për të gjithë shqiptarët që e donin lirinë dhe bashkimin kombëtar. Me qindra dhe mijëra shqiptarë u frymëzuan nga ky roman e që pastaj përfunduan në burg, si të burgosur politikë, martirë dhe, së fundi edhe si dëshmorë dhe heronj të Ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës. Adem Demaçi e kreu burgun në kushte jashtëzakonisht të rënda sidomos në Llogorin e Stara Gradishkës ku qëndroi thuaja 15 vite dhe ku e dërguan që të mos kthehej i gjallë.
Edhe unë, vitin e parafundit të dënimit kam qenë në Llogorin e Stara Gradishkës dhe e kam parë se në çfarë kushte e ka vuajtur dënimin Baca Adem Demaçi në kohën kur qarkullonin zëra, kryesisht nga shqiptarët se Adem Demaçi nuk është në burg por në ndonjë hotel. Baca Adem Demaçi nuk ishte në burg shkaku se kishte bërë ndonjë organizim të qartë paraushtarak apo ushtarak (sikur që e kishte bërë Nelson Mendela) dhe se përdorte dhunë por për shkak të lirisë së fjalës, idesë së qartë politike për bashkim kombëtar dhe bashkim me Shqipërinë që mbështetej në një program të qartë politik.
Gjatë tërë kohës sa ishte aktiv në politikë e që nënkupton thuaja tërë jetën, ishte vijues i përcaktimit politik dialektik dhe që mbështetej në mundësitë që i kishin shqiptarët, rrethanat e brendshme dhe faktori ndërkombëtar mirëpo, asnjëherë nuk hoqi dorë nga përcaktimi që e kishte për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar. Më vonë, bashkë me Ahmet Haxhiun dhe disa shokë të besueshëm ishte angazhuar për themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilën e mbrojti edhe në kohën kur Gelbarti e quajti terroriste kurse shumica e politikanëve në Kosovë e pritën me duartrokitje këtë cilësim të Gelbardit.
Platforma politike “Ballkania” ishte kurth që Baca e bëri për Serbinë e që e kishte të qartë se do të sulmohej nga një krah impotent i politikanëve të Kosovës të cilët nuk e lëviznin prapanicën, pa shikuar nga Beogradi. “Ballkania” e Bacës Adem Demaçi ishte shumë më afirmative dhe domethënëse se pavarësia e mbikëqyrur që e kishte Kosova dhe, në disa pjesë ishte më e përparuar se Kosova sot që 30 për qind të territorit, ndonëse e pavarur e ka nën kontroll të Beogradit ndërsa nuk ka sovranitet të plotë as në territorin që e kontrollon. Por për atë kohë ishte herezi të dilje kundër qëndrimeve “politike” të disa politikanëve kosovarë e që i kishin shërbyer besnikërisht Jugosllavisë dhe Serbisë dhe i kishin rënë mrizit.
Po të njëjtit reaguan edhe kur në skenë doli Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke e mohuar atë, në vend se ta përkrahnin. “Ballkania” ishte përpjekje për t’i ikur luftës në atë kohë. Baca Adem sulmohet edhe për kundërshtimin e Marrëveshje së Rambujesë dhe askush nuk e përmend faktin se çka do të ndodhte sikur Serbia ta nënshkruante këtë Marrëveshje në të cilën nga 12 pika, 8 prej tyre ishin të panegociueshme dhe, po të nënshkruante Serbia, Kosova do ta kishte statusin më të ulët se autonomia e vitit 1974.
Kjo nuk përmendet. Do të ishte interes për publikun, sidomos të rinjtë që Albin Kurti të tregojë bisedën dhe ofertën që i kishte bërë Robin Kuk, atëherë ministër i Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, në Shkup, më duket në hotelin Alexandar Pallace, si kusht për të shkuar në Rambuje. Albini ka qenë bashkë me Bacën Adem. Është interesant fakti që edhe për Rambujenë, kryesisht në kontekst të kundërshtimit, sot shkruajnë ata që ishin në Partinë Parlamentare të Kosovës e që, një pjesë e tyre kanë përfituar nga të gjitha klasat politike të pasluftës e që duan të përfitojnë edhe nga kjo që po vjen.
Në kohën kur, me të drejtë Baca Adem e kundërshtoi Marrëveshjen e Rambujesë pati përkrahje vetëm nga Albin Kurti, Milot Cakaj dhe Skender Kastrati sikur që edhe Fexhrije Shala e cila dha dorëheqje nga kryesia e Partisë Parlamentare në përkrahje të Bacës Adem Demaçi. Bajram Kosumi dhe Bujar Dugolli u kacavirren për aeroplan që çonte në Rambuje prandaj edhe nuk mund të kishin qëndrim të prerë. Albin Kurti bëri përpjekje ta bind Bujar Dugollin që të mos shkojë në Rambuje por Bujari, që sot po e përkrah me aq pasion, as që ia vari. Ka edhe shumë gjëra tjera që do të thuhen më vonë, nëse Zoti më jep jetë. Sot, Adem Demaçin e sulmojnë kinse për mungesë të mendimit dhe sensit politik, ose injorantët e certifikuar, përfituesit e luftës dhe të pasluftës apo ata që personalisht apo familjarisht, jo që nuk kanë bërë asgjë për shqiptarët dhe Kosovës por që i kanë shërbyer qençe ish Jugosllavisë dhe Serbisë.
Si u përjetuan të burgosurit politikë shqiptarë zhvillimet e vitit 1989 në Llogorin e Stara Gradishkës:
Të burgosurit, pavarësisht a janë të veçuar apo në vetmi e kanë të zhvilluar jashtëzakonisht shqisën për të ndjerë ndryshimet që ndodhin jashtë, pavarësisht mungesës së informatave. Kjo vërehet në ndryshimin e sjelljes së gardianëve të burgut, personelit drejtues, administratës si edhe vet të burgosurve, të dënuar për vepra jopolitike. Në Llogorin e Stara Gradishkës për ata që punonin kishte mundësi të informoheshin nga shtypi sikur edhe nga TV, ndërsa, me porosi dhe një pagesë, një inxhinier i elektros kroat e bëri në radio të vogël që e maskoi në kuti të sapunit dhe të cilën, kohën më të madhe e kishte Baca Adem që i dëgjonte lajmet nga BBC, RFI, Zëri i Amerikës, Radio Dojçe Velle, Radio Tiranën dhe stacionet tjera jugosllave dhe kroate pasta, në brifingun e mëngjesit na informonte për zhvillimet e fundit.
Lexohej shumë: Mlladina, Nedelna Dallmacija, Veçernji List, Nasha Borba, Politika si dhe revistat NIN dhe Danas. Lexonim edhe gazetat në gjuhën shqipe, kur na binin në dorë. Një kohë e kisha unë transistorin dhe brifingun e mëngjesit e filloja me: “të gjitha këto të arritura i kemi falë Partisë së Punës së Shqipërisë dhe shokut Enver Hoxha…” e që e thosha me shpoti për faktin se të gjithë e dinin që nuk kisha aspak qëndrim të mirë për shokun Enver Hoxha. Atëherë e dëgjuam emrin e Ibrahim Rugovës falë konferencave në Uzhiçka 5 në Lidhjen e Shkrimtarëve të Serbisë ku Rugova, Rexhep Qosja, Milazim Krasniqi dhe të tjerët mbronin me dinjitet çështjen kombëtare. Ishin protestat e studentëve dhe greva e minatorëve.
Ne, si të burgosur u solidarizuam me grevën e minatorëve duke bërë grevë urie edhe në Llogorin e Stara Gradishkës. Aty Baca Adem na tha se ky njeri (Ibrahim Rugova) duhet të përkrahet me tërë forcën se, më në fund doli një udhëheqës shqiptar që e mbron dhe përfaqëson interesin kombëtar. Dhe, Baca Adem e ka përkrahur Rugovën, deri në fillim të luftës. Nuk ka formuar parti politike pasi ka dalë nga burgu pikërisht që të mos shkaktojë përçarje dhe ta dëmtojë Rugovën. Ka kërkuar nga të burgosurit politikë të mos hyjmë në LDK sepse, siç thoshte Baca, jemi me shenjë si të burgosur dhe mund ta dëmtojmë lëvizjen popullore. Vet ka votuar për Ibrahim Rugovën dhe ka kërkuar nga ne që edhe ne ta votojmë, një pjesë, në mesin e tyre edhe unë, edhe e kemi votuar.
Nga Rugova ka kërkuar aktivizëm dhe marrje të përgjegjësisë në kohën kur lufta ishte e pashmangshme. Këtu ishte vija ndarëse midis Adem Demaçit dhe Ibrahim Rugovës. Adem Demaçi angazhohej për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar dhe për këtë e kishte vënë peng jetën e tij, çdo sekondë. Adem Demaçi ishte sakrifikues që më nuk do të ketë të tillë në mesin e shqiptarëve. Edhe Ibrahim Rugova, pa asnjë dyshim e donte lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, sidomos në fazën e vonshme por se nuk ishte në gjendje të sakrifikonte asgjë për këtë. Ishte tipik intelektual butak që nuk merr përgjegjësi. Adem Demaçi kurrë nuk ka deklaruar se Ibrahim Rugova ishte tradhtar, madje ka kërkuar edhe nga të tjerët që mos ta thonë këtë cilësim.
Po të merrte përgjegjësi për udhëheqje të luftës së UÇK-së Ibrahim Rugova e që, si president i takonte ta bënte këtë, Baca Adem Demaçi asnjëherë nuk do t’i ndahej Rugovës dhe kurrën e kurrës nuk do t’i bëhej konkurrent për asnjë post. Kjo është e vërteta, shumë shkurtimisht.
Baca Adem Demaçi e refuzoi Rambujenë dhe kishte plotësisht të drejtë. Nuk mund të pritej nga një sakrifikues biblik siç ishte Adem Demaçi që e sfidoi një shtet siç ishte Jugosllavia duke kaluar afërsisht 30 vite në burgje dhe duke e mohuar veten krejtësisht, ta pranojë një Rambuje që, po të nënshkruhej nga Serbia, sot Kosova do ta kishte autonominë më të vogël se ajo e vitit 1974 e që do të garantohej nga bashkësia ndërkombëtare.
Rambujeja nuk ishte sukses pse ne e nënshkruam por shkaku se Serbia nuk e nënshkroi. Llogaritje e gabuar e Millosheviqit dhe fat historik për Kosovën dhe shqiptarët.
Gjatë bombardimeve, kur shumica ikën nga Kosova, Baca Adem nuk e lëshoi Prishtinën përkundër faktit se guerilët e UÇK-së e siguruan se do ta nxirrnin nga qyteti. Baca Adem Demaçi, çdo ditë ka dalë në qytet duke e sfiduar policinë që ta vrasë. Pasi u ktheva në Prishtinë, Baca ma tregoi një çantë që e merrte me vete kur dilte në qytet në të cilën ishte një sopatë – sakicë e dorës. Më tregoi se kishte vendosur që do ta përdorte në vetëmbrojtje ndaj çdo polici.
Mirëpo regjimi i Serbisë ishte i kujdesshëm dhe saktësisht e parashikoi se nëse do të vriteshin Adem Demaçin dhe Ibrahim Rugovë, dëmi do të ishte shumë më i madh se dobia. Ndryshe, kur do të donin do t’i vrisnin, edhe Adem Demaçin si dhe Ibrahim Rugovën, i kishin në duar dhe i mbikëqyrnin 24 orë. Madje, shikuar nga ky aspekt e them se edhe Adem Demaçi si dhe Ibrahim Rugova kanë qenë nën mbrojtje të pahetueshme.
Deklarimi i Rrahman Paçarizit se: “në kohën kur Ibrahim Rugovën e kanë dërguar dhunshëm në Beograd dhe e kanë detyruar të dalë në një konferencë për shtyp, ku tha çka tha kurse, po në të njëjtën kohë Adem Demaçi sillej lirisht nëpër Prishtinë…” është dashakeq, i qëllimshëm dhe infantilizëm intelektual. Adem Demaçi e ka sfiduar jetën çdo sekondë të jetës dhe nuk e ka njohur, për veten e tij shprehjen frikë, as edhe si shprehje e lëre më si ndjenjë. Adem Demaçi, me dëshirën më të madhe do të shkonte në Beograd, do të dilte para medieve dhe do të kërkonte që bombardimet e NATO-s të vazhdojnë me gjithë potencialin. Këtë e kanë pasur të qartë autoritetet serbe andaj nuk ia kanë dhënë atë mundësi.
Është antologjike, si për kah guximi ashtu edhe për kah qëndrimi politik intervista e Bacës Adem që i ka dhënë në mediat në Beograd dhe ballafaqimi me Vuk Drashkoviqin, kryeqetnikun e atëhershëm në Serbi. Në kohën e një lirie siç e kemi, në shprehje vijnë gjysmëvlerat dhe ndryshky njerëzorë, kombëtar dhe moral. Për ta vlerësuar Adem Demaçin, duhet të keni një të kaluar që është afërsisht me mendimin dhe qëndrimin politik si dhe aktivitetin kombëtar të Adem Demaçiy. Sot, përmes Adem Demaçit duan të faktorizohen ata që asgjë nuk kanë bërë për këtë vend dhe që sakrifica më e madhe e tyre ka qenë se janë detyruar ta pinë një kokakola, pa akull. Po këta horra dhe ndryshqe morale, duan ta mbjellin një rivalitet midis Adem Demaçit dhe Ibrahim Rugovës, që të dy tashmë të vdekur, që të dy me një qëllim por se kanë pasur rrugë të ndryshme për arritjen e atij qëllim.
Prandaj, është tejet e pamoralshme përpjekja për faktorizim dhe përfitim, loja me dy personalitete që janë shtyllat kryesore, i pari që nga vitet e ’60-ta e deri sa ka vdekur, Baca Adem Demaçi dhe i dyti, nga viti 1989 e deri në fillim të luftës së lavdishme të së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës në me krye komandantin Legjendar, të pavdekshmin dhe të papërsëritshmin Adem Jashari.
Baca Adem, në Ditëlindjen Tënde e që është edhe ditëlindja dhe kuptimi i lirisë për shqiptarët si dhe të përpjekjeve të pandërprera për bashkim kombëtar, një grup shokësh duam ta urojmë këtë ditë të bekuar nga Zoti duke vënë lule mbi shtëpinë tënde të përjetshme dhe të amshueshme.
Me respekt krenarë dhe mirënjohës që na dhe rastin të jemi me ty por edhe borxhlinj që nuk e bëmë atë që e kishe qëllim Ti dhe të gjithë që u sakrifikuam: Tahir Hani, Nuhi Ahmeti, Elmi Reçica, Avdullah Dërguti, Dr. Haki Gashi, Behxhet, Fexhrije, Shkëmb dhe Blin Shala. Respekt, deri në kohën kur do të bëhemi bashkë!