Adem Demaçi, udhërrëfyes i lirisë
“MENDIME TË ZGJEDHURA PËR ADEM DEMAÇIN” (4)
Selatin Novosella
56. Dardan Velija, kritik letrar: Adem Demaçi, rebeli i përjetshëm
Jeta e Adem Demaçit përshkohet nga rebelimi i përjetshëm. Ai rebelohet kundër Jugosllavisë, kundër Serbisë, kundër Rugovës, kundër udhëheqësve të UÇK-së, në kohën e Rambujesë kundër tërë botës dhe kundër hakmarrjes ndaj serbëve pas ‘99-s. Në rastin kur sëmuret nga zemra ai rebelohet kundër vdekjes.
57. Daut Dauti, analist: Adem Demaçit iu bënë dy kërkesa nga udhëheqësi i OSBE-së, Daan Everst
Në pranverë të vitit 2000, udhëheqësi i atëhershëm i OSBE-së, Daan Everst, u takua me Adem Demaçin, që atëherë udhëhiqte shoqatën “Dardania”. Në atë takim, shefi i OSBE-së kërkoi dy ndihma nga Demaçi. Ndihma e parë që kërkoi Everst ishte formimi i një komisioni për pajtim me serbët, që do të ishte i ngjashëm me atë që kishte ekzistuar në Republikën e Afrikës Jugore pas rënies së aparteidit. Kërkesë e dytë për ndihmë e Everstit ishte që Demaçi ta ndihmonte procesin e sapofilluar të organizimit të “zgjedhjeve të para dhe të lira në historinë e Kosovës”.
58. Dilaver Goxhaj, ushtarak i Ushtrisë Shqiptare: Adem Demaçi e sugjeronte luftën guerile për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës
Hapin e parë që bëri Adem Demaçi, porsa pranoi detyrën politike të ofruar nga Shtabi Përgjithshëm, i sugjeroi këtij organizmi të lartë drejtues që ta ndryshonte strategjinë ushtarake të UÇK-së, “nga lufta për territore, ku pësoi disfatë, por jo edhe humbje përfundimtare, dhe të kalohej në metodën e luftës guerile”.
59. Dmitrij Sedov: Adem Demaçi, një nga figurat më të njohura të separatizmit kosovar
Një nga figurat më të njohura të separatizmit kosovar është Adem Demaçi, i cili sot ka 77 vjet dhe është një personalitet kompleks i cili ka merita për shumë ngjarje të kohëve të fundit të Ballkanit.
60. Driton Sejdiu, gazetar: Adem Demaçi, simbol i qëndresës shqiptare në ish-Jugosllavi
Adem Demaçi është simbol i qëndresës shqiptare në ish-Jugosllavi. Është i burgosur disa herë për veprimtarinë e tij politike, të cilat ishin në kundërshtim me sistemin shtetëror jugosllav dhe të cilat kishin për aspiratë bashkimin kombëtar.
61. Ekrem Kryeziu, regjisor: Adem Demaçi, artikulues i ëndrrave të shqiptarëve
Duke mos arritur të bëhemi si Adem Demaçi, jemi munduar që atë ta bëjmë si veten tonë dhe, në këtë mënyrë, e kemi vrarë një pjesë të ndritshme të jetës sonë, e kemi vrarë ëndrrën.
62. Emin Hetemi: Jam fascinuar nga pikëpamjet filozofike të Adem Demaçit
Rastësisht kam hasur në betimin më të ri të romanit “Gjarpinjtë e gjakut” të Adem Demaçit, botoi LUMI, Lubjanë 1990. Jam tepër i fascinuar dhe i impresionuar me pikëpamjet filozofike të autorit, atëbotë një të riu, ndërsa tani të një të burgosuri politik me një kohëzgjatje po aq sa edhe vetë jeta ime.
63. Emin Kabashi, punëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës: Adem Demaçi, mendësi e luftës për liri
Adem Demaçi asnjëherë nuk kishte qenë burrë shteti, në radhë të parë se nuk kishte shtet. Asnjëherë nuk kishte qenë njeri i politikës së ditës, por Adem Demaçi kishte marrë udhëheqjen e politikës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse ishte mendësi e luftës për liri kombëtare, andaj kur e thirri lufta për liri, ai ishte aty.
64. Emin Krasniqi, veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare: Metush Krasniqi dhe Adem Demaçi bënë thirrjet kushtrimtare
Sprova e përgjithshme, thirrjet kushtrimtare: “luftë deri në vdekje për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë Nanë”, u bë në vitet e pesëdhjeta dhe gjashtëdhjeta të shekullit XX, nga dy drejtuesit e dy organizatave politike-atdhetare: nga Organizata “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë”, në vitin 1957, që udhëhiqej nga Metush Krasniqi dhe nga organizata “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, në vitin 1964, që udhëhiqej nga Adem Demaçi.
65. Emrush Xhemajli, kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës: Adem Demaçi, shembull i figurës çlirimtare
Në Lëvizjen Popullore të Kosovës Adem Demaçi ka qenë i pranishëm si shembull i figurës çlirimtare, si ide, si frymë dhe sidomos si personalitet i kthesave revolucionare.
66. Enver Hoxha, sekretar i parë i Parisë së Punës së Shqipërisë: Adem Demaçi dhe populli shqiptar në Jugosllavi kurrë nuk do t’i nënshtrohen zgjedhës jugosllave
Në burgjet e Jugosllavisë vuajnë persekutimet më të egra shkrimtari patriot kosovar, Adem Demaçi dhe qindra të tjerë, të cilët, bashkë me popullin shqiptar, nuk i janë nënshtruar dhe nuk do t’i nënshtrohen kurrë zgjedhës Jugosllave.
67. Enver Hoxhaj, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës: Adem Demaçi ka kaluar masën e njeriut të zakonshëm
Baca Adem Demaçi ka kaluar masën e njeriut të zakonshëm, me përkushtimin dhe sakrificën e tij për popullin e Kosovës, me përkushtimin e tij ndaj kombit të tij si dhe përkushtimin e tij ndaj njerëzimit dhe të drejtave të njeriut në tërësi.
68. Enver Topalli, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare: Takimi i parë me Adem Demaçin ishte takim me të adhuruarin tim
Ditën e dytë pas lirimit nga burgu, më 2 shtator 1992, arriti edhe Adem Demaçi. Ishte kënaqësia dhe befasia më e madhe e imja, sepse nuk e prisja një vizitë të tillë. Kjo më ndodhi edhe për faktin se unë takohesha me njeriun që aq shumë e kisha adhuruar dhe kurrë s’kisha besuar se një ditë do të takoheshim dhe do të bisedoja me të sikur të njiheshim kaherë.
69. Erion Veliaj, kryebashkiak i Qytetit të Tiranës: Adem Demaçi pagoi çmim të lartë për lirinë e Kosovës
Duke i kujtuar vitet e tmerrshme të burgut 28-vjeçar, e kupton realisht se çfarë çmimi të lartë ka paguar patrioti Adem Demaçi për Kosovën dhe çështjen shqiptare. Unë kam pak më shumë se 28 vjet, por e di se 28 vite janë shumë, janë tmerrësisht shumë, kur krimi i vetëm që ke bërë është të ngresh zërin për të drejtat e popullit tënd dhe njerëzve të tu.
70. Ethem Çeku, historian: Adem Demaçi, mendje historike e shqiptarëve
Po t’i referohemi vetëm disa neneve të Programit të organizatës “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, në vitin 1964, shihet se sa vizionar ishte Adem Demaçi si mendje historike, sa strateg ishte si drejtues i një organizate që përballej me një strukturë të fuqishme të Sigurimit Shtetëror jugosllav, UDB-në, dhe sa diplomat ishte në konceptimin dhe shpërndarjen e pikëpamjeve të tija politike në arenën ndërkombëtare.
71. Fadil Grajçevci, punëtor Shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës: Adem Demaçit i mungonte libri në gjuhën shqipe
Adem Demaçi, i rritur me mungesë të librave në gjuhën shqipe, numrat e revistës letrare “Jeta e Re”, vetëm me disa dhjetëra faqe letërsi në gjuhën shqipe, nuk mund t’ia shuanin kureshtjen e madhe për njohjen e shpirtit të popullit të vet përmes letërsisë.
72. Fahrudin Radonçiq, publicist: Paraqitja e Adem Demaçit ka qenë e domosdoshme të vijë
Cili dhe çfarë konteksti politik kushtëzoi paraqitjen e Adem Demaçit?! Duke shikuar volumin e gjenezës së komplikuar historike të Shqiptarëve në Kosovë dhe gjenezën e marrëdhënieve shqiptaro-serbe në këtë shekull, për herë e më tepër po bindemi se deri tek paraqitja e Adem Demaçit njëherë ka qenë e domosdoshme të vije.
73. Faik Mustafa, njëri prej organizatorëve të demonstratave të vitit 1968 në Tetovë: Adem Demaçi, metaforë lirie
Në të gjitha fitoret e shqiptarëve të Maqedonisë ishte i pranishëm edhe Adem Demaçi duke u shndërruar, për ditë e më tepër, në metaforë lirie. Fryma çlirimtare, mobilizuese, vigjilente dhe largpamëse e Adem Demaçit duhej të ishte edhe më tutje në mendjen e çdo politikani që, sot ose nesër, vendos për fatin e shqiptarëve, jo vetëm atyre të Kosovës, por edhe të Maqedonisë dhe më gjerë.
74. Faik Shkodra, shkrimtar: Adem Demaçi, figurë sublime e lirisë së Kosovës
Pasioni, përkushtimi, organizimi, guximi dhe mbi të gjitha dija dhe horizonti i gjerë në njohjen e çështjes kombëtare mbeten dhuntitë që Adem Demaçin jo vetëm e stolisin, por e bëjnë ndërgjegje e figurë sublime të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
75. Fatmir Arifi, veprimtar i çështjes kombëtare: Për Adem Demaçin, bashkimi i të majtës dhe të djathtës, është thelbi I filozofisë politike të tij
Amalgama ideologjike që synoi Adem Demaçi të krijojë dhe që në fund ia arriti duke bashkuar dy botëkuptimet ideologjike shqiptare: botëkuptimin e majtë dhe botëkuptimit e djathtë, është thelbi i filozofisë politike demaçiane.
76. Fatmir Limaj, ministër në Qeverinë e Republikës së Kosovës: Adem Demaçi, udhërrëfyes i lirisë
Adem Demaçi ka qenë dhe vazhdon të jetë sinonim i rrugës së lirisë, jo vetëm tek shqiptarët. Ai është njeriu i cili, qysh herët, me kohë, e ka parë që krijesa në të cilën kanë jetuar popujt e ish-Jugosllavisë ka qenë krijesë artificiale, e cila nuk mund t’i plotësonte as minimumin e kërkesave të popujve që e përbënin atë.
77. Faton Abdullahu, redaktor i gazetës “Prishtina Post”: Adem Demaçi më ekspresiv se sa Nelson Mendela
Adem Demaçi, tri herë i dënuar nga pushteti jugosllav, me gjithsej 35 vite burgim, nga të cilat i vuan 28 vite, na del në një mënyrë më ekspresiv sesa Nelson Mendela i cili është dënuar njëherë me burg të përjetshëm dhe nuk është liruar për 28 vite. Kjo do të thotë se sa herë ka dalë nga burgu Adem Demaçi, ka vazhduar veprimtarinë me konsekuencë të njëjtë, apo së paku është parë si i rrezikshëm dhe prapë është dënuar, dhe kur është liruar, prapë, e ka vazhduar veprimtarinë politike.
78. Faton Topalli, veprimtar i çështjes kombëtare: Monografia “Pse dergjet në burg Adem Demaçi”, libri i parë i kësaj natyre
Në kuadër të aktivitetit të vet të gjithanshëm politiko-patriotik, Komitetit i Kosovës për Informimin e Opinionit Botëror këto ditë e botoi librin “Pse dergjet në burg Adem Demaçi” i cili është shkruar nga publicisti militant dhe veprimtari i palodhshëm Xhafer Shatri.
79. Fazli Hajrizi, shkrimtar: Mendimi ndryshe i Adem Demaçit, ishte tipar thelbësor i intelektualit të mirëfilltë
Sipas regjimit komunist jugosllav botëkuptimet e intelektualëve shqiptarë, duhej të ishin në harmoni me ato të shtetit, duhej të ishin zëdhënës mjeranë të ideologjisë së pushtuesit të shqiptarëve. Adem Demaçi mendonte ndryshe dhe ky është tipar thelbësor i intelektualit të mirëfilltë.
80. Fazli Gajraku, drejtor i Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë: Jeta dhe Vepra e Adem Demaçit do të jenë ndër më të kërkuarat
Nga vitet e ‘50-të deri në vitet ’90-të, për shkrimtarin dhe veprimtarin Adem Demaçi ishte një jetë e mundimshme dhe e kreshpëruar e vuajtjeve dhe mundimeve, dhe, për këtë, Jeta dhe Vepra e tij, e vërteta për të, do të jetë ndër më të kërkuarat për lexuesit e tashëm dhe të ardhshëm të Kosovës.
81. Fehmi Baftiu, sekretar në Zyrën e Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Demaçi: Adem Demaçim i tha Dinzbirit: “Siç jeni ndarë ju çekët dhe sllovakët edhe ne shqiptarët do ndahemi nga serbët”!
Më 23 janar 1999, erdhi Dinzbir thuaja i paparalajmëruar në Zyrën e Adem Demaçit. Shoqërohej nga një përkthyes shqiptar. Tha se ka ardhur për të bind Demaçin për të shkuar në bisedimet e Rambujesë me njerëzit që do t’i zgjedhë vetë. Gjatë bisedës, ai, papritmas, e quajti UÇK-në “terroriste dhe organizatë mafioze”! Pa kurrfarë kurtuazie protokolli, dhe me një nervozizëm të paparë, Demaçi iu drejtua përkthyesit: “Thuaj këtij … le të del jashtë!” Në të dalë, Dinzbir tha se për këto fjalë ka prova materiale, madje të shkruara nga vet shqiptarët, por Demaçi, me një zë të ngritur, arriti t’i thotë: “Siç jeni ndarë ju çekët dhe sllovakët, edhe ne shqiptarët do të ndahemi nga serbët!”. (Vijon)