Adem Gashi botoi librin e njëzetepestë

12 nëntor 2020 | 12:58

Poeti, prozatori dhe eseisti Adem Gashi (1953) ka publikuar librin më të ri “Lakorja e Fatit”, nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”. Sipas recensentit të librit, Emin Z. Eminit, Tregimet e këtij libri e ndjekin linjën psiko-emocionale, gjithnjë duke e ndier “shpatën” e kërcënimit cerebral krijues. “Edhe pse Adem Gashi kryesisht njihet për poet, libri i tij i katërt me tregime, me rrëfenja e me parabola, Lakorja e fatit, e dëshmon dhe ridëshmon autorin si krijues po aq të fuqishëm edhe në prozë. Madje tani mund të vlerësohet se toka e begatë e shkrimtarit, në kuptimin cilësor të vlerave artistike dhe të hijeshisë dhe të kënaqësisë estetike, është tregimtaria.

Lakorja e fatit çilet me tregimin uverturë Pëllumbi i paqes i risjellë nga libri me titullin omonim (Pëllumbi i paqes, 1989), për të lakuar strukturalisht tre kapitujt pasues: Terr, Dritë dhe mjegull dhe Matanë, të cilët në aspektin e konceptimit mbarështrues të tyre na e vizatojnë kurbën tematike dhe motivore, ideore dhe përmbajtjesore, filozofike dhe psikanalitike jo vetëm të rrëfimtarisë tregimtare, por edhe të gjenit krijues të autorit. Në këtë rast, besoj, vlen të veçohen dy aspekte: poetika moderniste me elemente të postmodernizmit dhe gërshetimi i formave dhe zhanreve letrare siç, fjala vjen, i prozës (tregimi, rrëfenjat), i poezisë (një lirikë me dy parabola poetike dhe një rrëfenjë-parabolë) si dhe i dramës, të konceptuar në trajtë të antidramës (Maja e gishtit të madh të perandorit).

Tregimet e këtij libri e ndjekin linjën psiko-emocionale, gjithnjë duke e ndier shpatën e kërcënimit cerebral krijues. Ndërsa tregimi Tregim për tregimin pasardhës e mbyll ‘lakoren e fatit’ të librit si akt i vetëdijshëm krijues dhe e hap dhe e shkel fuqishëm shtegun e estetikës postmoderniste”, ka shkruar Emini.

Të dhëna nga jetëshkrimi i autorit

Adem Gashi i ka kryer studimet për letërsi dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ka punuar mësues dhe ka qenë redaktor revistash, drejtor televizioni, themelues i PEN-it të Kosovës, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, bursist i fondacionit gjerman “Henrich Boll-Stiftung”, këshilltar i lartë politik, drejtor i Zyrës për Komunikim në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Është anëtar i revistës “Akademia” dhe anëtar i Këshillit Drejtues i Institutit Albanologjik. Ka botuar 24 libra dhe është nderuar me rreth 50 çmime letrare. Ky është libri i tij i 25-të.

Të dhëna nga veprimtaria letrare e autorit

POEZI:

Pa ombrellë, 1982

Duke punuar autoportretin, 1985

Realiteti objektiv, 1990

Ëndrra të liga, 1995

Dorëshkrim i djegur, 2000

Lulet e vetmuara, 2001/2002

Lady mak(th)beth, 2006

Kthimi i pamundur, Lady, 2013

Labirintet e makthit (Lady, 3), 2015

S’i duhet kujt gjaku im, 2016

Shi dhe zog i vetmuar, 2016

Ditët pa gjë, 2017

Vizatimi i vetmisë në letrën e bardhë, 2017

Drenushë e trembur dimrash, 2018

E shkrueme për kryeshpendin, 2018

Ndeza një qiri, 2019

Antologjia e zezë, 2019

 

TREGIME:

Vdekja e mixhës, 1987

Pëllumbi i paqes, 1989

Udhëtimi i fundit, 2002

 

ROMAN:

A…zh – vetëtimat e nëntorit, 2005

Dita tjetër e jetës, 2013

 

ESEISTIKË:

Nostalgjia e letrës, 2003

Portali i fshehtë i jetës (shënime nga shtëpia e Heinrich Bëll-it), 2007

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot (e enjte) zhvillohen dy ndeshje të javës së gjashtë…