Adem Gashi ishte njeri human, i dashur dhe i respektuar
E nderuar familje Gashi,
Dashamirë të artit e të kulturës
Miq dhe shokë të Ademit,
Jemi tubuar sot në këtë orë përkujtimore për të kujtuar e nderuar figurën shumëdimensionale të Adem Gashit poet, shkrimtar, eseist, publicist e veprimtar i çështjes kombëtare.
E konsideroj veten me fat që Ademin e njoha në fillim të viteve 80-ta. Unë isha student e ai sapo kish lënë profesionin e mësuesit në vendlindjen e tij dhe kishte zënë punë në televizionin e Prishtinës në programin arsimor në cilësinë e lektorit. Ademin e njoha përmes shkrimeve para se ta njihja virtualisht. Teatri poezisë ,,Sofra” që ishte në kuadër të Teatrit Krahinor të Kosovës shpesh bënte dramatizimin e vargjeve të poetëve si: Migjeni, Kadare, Podrimja, Dedaj etj. dhe aty pas përfundimit të shfaqjes zhvillohej debat mes publikut aktorëve e regjisorit. Aty për herë të parë u përshëndetem me të dhe ai shquhej me kulturën dhe nivelin e diskutimit. Ademi shquhej në poezi dhe prozë nga kolegët e gjeneratës me stilin i tij të veçantë kishte tërhequr edhe vëmendjen e kritikës. Konkurset letrare anonime në gazetat dhe revistat e kohës ishte e pamundur të mos sjellin fitues të çmimeve emrin e Adem Gashit, qoftë në poezi apo prozë. Libri tij i parë ,,Pa ombrellë” doli nga botimi derisa Ademi ishte burgosur. Ndonëse Ademit iu ndalua e drejta e botimit ai më ka rrëfyer aktin burrëror të kryeredaktorit të botimeve të ,,Rilindjes” Nazmi Rrahmani i cili përveç ekzemplarëve të librit që i takonin autorit i kishte dhënë edhe honorarin e librit. Ademi me modesti kishte thënë Nazmiut se i është ndaluar e drejta botimit (nga droja se mos po ka pasoja Nazmiu nga pushteti) e Nazmiu ia kishte kthyer: merri librat dhe honorarin dhe këtë që ma tregove zëre që nuk më ke thënë asgjë. Unë nuk kam dëgjuar asgjë nga ti. Vlen të përmendet këtu se edhe tregimi ,,Nusja maleve dhe trimi” iu shpërblye nga Rilindja dhe u botua me shifër derisa Ademi gjendej në burg. Pavarësisht sfidave e vështirësive që i solli jeta ai nuk u dorëzua. Vazhdimisht ishte i pranishëm në shtypin e kohës me krijimet e tija letrare. Pas librit të parë erdhën librat me poezi,, Realiteti objektiv” ,,Duke punuar autoportretin tim” pastaj librat me tregime ,,Vdekja e Mixhës”. ,,Pëllumbi i paqes” etj. Bibliografia e veprave të Adem Gashit arrin kuotën prej 28 librave. Krijimtaria e tij letrare është çmuar e vlerësuar lart nga kritika. Për të kanë shkruar pena të njohura si: Ibrahim Rugova, Mensur Raifi, Ramdan Musliu, Rifat Ismaili, Emin Kabashi, Nexhat Rexha, Emin Z. Emini, Xheladin Mjeku, Berat Dakaj, Izet Abdyli etj. Krijimtaria e tij letrare është përkthyer në anglisht, gjermanisht, frëngjisht, suedisht, arabisht etj. Ademi ishte fitues i dhjetëra çmimeve letrare duke përfshi çmimet për librat më të mirë të vitit qoftë nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës apo edhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Ademi u nderua me çmime edhe në Shqipëri e Maqedoni. Ai u nderua me çmimin për vepër jetësore në krijimtari ,,Rifat Kukaj” me 2018 nga Art Club ,, Rifat Kukaj” dhe ishte laureat i çmimit kombëtar letrar për vepër jetësore ,,Azem Shkreli” nga MKRS. Ademi ishte edhe tekst shkrues i afro dyqind këngëve emblematike për dëshmorët nga të cilat siç e thotë këngëtari Ilir Shaqiri, kënga ,,Sërish vjen marsi” mbanë vulën e Adem Gashit. Ademi shquhej edhe në eseistikë e publicistikë. Shumë nga shkrimet e tij eseistike në revistën ,,Ora” në vitet 90-ta shpërfaqin intelektin e tij prej një eruditi. Dhe ky profil i intelektualit të guximshëm mbase nuk e vuri fare në dilema vendosmërinë e Presidentit Rugova që ta caktoi Adem Gashin drejtor të Televizionit të Prishtinës në programin satelitor që emitohej në Tiranë përmes Radiotelevizionit Shqiptar. Detyrë këtë që e kreu me devotshmëri, profesionalizëm e kulturë. Një dimension i jetës së tij është edhe veprimtaria e tij atdhetare herë ilegale herë legale po asnjëherë i përkulur. Pas lufte ai do udhëheq Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës një mandat si nënkryetar e një mandat si kryetar. Është njëri nga themeluesit e PEN Qendrës së Kosovës. Si një krijues serioz ai pati fatin të fitoj bursën e fondacionit Henri Bell ku qëndroi për tre muaj në shtëpinë e poetit gjerman Duke çmuar aftësitë e tij intelektuale e profesionale ministri i parë i Ministrisë së Kulturës z. Behxhet Brajshori do ta angazhoj si këshilltar të tij. Në cilësinë e këshilltarit do ta angazhoj edhe Jakup Krasniqi kur ushtroi edhe funksionin e Presidentit të Republikës së Kosovës. Është angazhuar edhe në shumë këshilla të institucioneve kulturore e arsimore e së fundi ishte në Këshillin Drejtues të Instituti Albanologjik. Vdekja e Adem Gashit ka lënë një boshllëk të madh te komuniteti letrar. Ne si Art Club që e kishim një nga mbështetësit kryesor dhe të angazhuar pothuaj në çdo manifestim do ta kemi të vështirë të kompensojmë pjesën që mbulonte ai në këtë manifestim Adem përveç intelektual ishte edhe njeri human i dashur e i respektuar nga të gjithë. Ai nuk ishte tip egoisti por një altruist i vërtetë. Dijen e tij e transmetonte pa hezitim të miqtë e shokët e tij. Ishte kënaqësi të ishe në tavolinë me të, e këtë kënaqësi e kishim shpesh kur rrinim në lokalet d tij të preferuara të Edi 2 dhe Amaro. Bile të Edi 2 ai kishte tavolinën pothuaj të caktuar ku ulej çdo ditë. Debatet për kulturën, artin e letërsinë ishin të nivelit më të lart akademik, pavarësisht se ai nuk kishte gradë shkencore, meqë studimet pasuniversitare ia kish ndërprerë burgu, por ai kurrë nuk e kishte këtë kompleks. Ademi ishte edhe një familjar i mirë dhe nuk është fare rastësi që në disa krijime të tij ai heq modestinë dhe përmend gruan, vajzat dhe djalin. Çka do që flasim sot për Ademin prapë do t’i mungoj diçka portretit të tij. Ndaj do e përmbyll këtë shkrimin me dy fjali. Ademi ishte një shpirt njeriu. Lum ne që e patëm!
Fjalë rasti, e kryetarit të Art Club “Rifat Kukaj”, Izet Abdyli, në “Orën përkujtimore” për Adem Gashin, organizuar sot në Institutin Albanologjik në Prishtinë nga Art Club “Rifat Kukaj” dhe shtëpia botuese “Armagedoni”.