Adem Gashi për Adem Demaçin: Ballin lart o trim, i fjalës, i besës
ADEM GASHI
BALLIN LART
Majave t’Ballkanit shtrihen re e mjegull
E nuk lënë të shihet as syri nën vetull,
Ik e zeza e parë, vjen e zeza tjetër
Shkon njëra robëri, kthen robëri e vjetër.
Po një Nanë e madhe mes futës e territ
Ia sjell Kosovës vetë dritën e diellit,
E na i ndez shkëndijat n’çdo oxhak e vatër
O zogjtë e lirisë ç’na i bëri me flatër.
Ti je orëmira, ti je vetë lavdia
S’të përkuli burgu, s’të shembi stuhia,
Ballin lart o trim, i fjalës, i besës
Mendja jot’e ndritur dritare e shpresës.
Mu në flakë të luftës një zemër e madhe
Bëhet za jehone o për djemtë në male,
Ta marrë bota vesh, ti ngrihesh e flet
Lirisë së atdheut iu bëre profet.
Ti je orëmira, ti je vetë lavdia
S’të përkuli mosha, s’të shembi stuhia,
Ballin lart o trim, i fjalës, i besës
Mendja jot’e ndritur dritare e shpresës.
_______________________________
Prangat dhe kafazi s’t’u ndanë Bacalok
Nga Burgu Qendror në Goli Otok,
Djalëri e djegur, pjekuri prej burri
Njëzet e tetë vjet qëndrestar si guri.
Shpjegim i autorit:
Ky është teksti im për Kantatë për kor, recitator dhe orkestër simfonike, kompozuar nga Valton Beqiri,
dhënë premierë në Akademinë Solemne me rastin e 80-vjetorit të lindjes së veprimtarit Adem Demaçi,
Interpretuar nga Kori dhe Orkestra Simfonike e Filarmonisë së Kosovës, me dirigjent Baki Jasharin. (Strofa e fundit recitohet midis kantatës).