Adem Grabovci kujton 40-vjetorin e burgosjes së parë nga Serbia
Adem Grabovci ka kujtuar 40-vjetorin e burgosjes së parë nga Serbia, ku ishte maltretuar në mënyrë çnjerëzore për shkak të veprimtarisë së tij për çlirimin e Kosovës.
Grabovci ka se këto 40 vjet janë dhuratë për të pasi ka mundur të mos ishte gjallë si shumë veprimtarë të tjerë.
“Sot bëhen 40 vjet nga burgosja e parë. Ishte viti 1984, pasi që ramë shumë në sy, pas përcjelljeve të shumta nga Sigurimi famëkeq i asaj kohe, ata arritën që mua e shumë shokëve tjerë të na arrestonin!
Pas 5 vitesh në burg nuk isha i njëjti fizikisht, por forca veç më ishte shtuar. Sa goditja që merrja aq më afër më vinte liria e vendit. Ahhh sa i kënaqur që isha që pata mundësi të merrja goditje çnjerëzore nga dora e tyre, e në të njëjtën kohë i shihja të tërbuar. Sepse, me dukej se bëheshin edhe më nervoz nga qëndresa jonë.
Pas pak kohe (lirimi nga burgu i Pozharevcit), ndodhi ri-burgosja. Edhe atëherë qëndruam fortë, sepse po afroheshin ditë e organizimit. Na prisnin nismat e mëdha, si ajo e Pajtimit Kombëtar të Gjaqeve, na prisnin shokët për të nisur luftën politike dhe të armatosur, e deri të liria. Këto 40 vjet janë dhuratë, sepse si shumë tjerë mund të mos isha më as unë, megjithatë secila ditë tutje dhe angazhim e përpjekje, që ishin titanike, na bënë edhe me krenar. Kujtojmë shokët që ranë në burgjet, kufijtë dhe istikamet e që ranë për të mos vdekur kurrë”, ka shkruar Grabovci në “Facebook”.
Adem Grabovci ka veprimtari të bujshme në shërbim të atdheut. Ai ka qenë nismëtar i aksionit për pajtimin e gjaqeve dhe njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Pas çlirimit të Kosovës, Grabovci ka ushtruar edhe disa funksione publike, në mesin e tyre edhe të deputetit i cili ka nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008.