
Adem Hoxha: Mbështetja jonë për qeverinë e Kurtit, ende në pikëpyetje
Deputeti i zgjedhur i Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha, ka thënë të martën se partia e tij ka ende dyshime se a ta mbështesë liderin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për formimin e qeverisë së re.
“Mua nuk me pengon Kurti dhe askush. Por, e kam vendosur pikëpyetjen (për mbështetjen), marrë parasysh përvojën që e kemi pasur me kryeministrin Kurti në katër vjetët e kaluara”, ka thënë Hoxha për “Radion Evropa e Lirë”.
Hoxha nuk ka shpjeguar cila ka qenë përvoja e tyre me Kurtin gjatë mandatit të tij të kaluar katërvjeçar dhe as cilat do të ishin kushtet e tij për t’ia dhënë votën Kurtit për mandatin e tretë.
Hoxha ishte në mesin e zyrtarëve të partive nga pakicat joserbe që Kurti i ka takuar më 3 prill për të biseduar për formimin e qeverisë së re të vendit.
Ai ka shtuar se në përbërjen e re të Kuvendit, deputetët nga pakicat joserbe po përpiqen ta krijojnë një grup të përbashkët parlamentar, pjesë e të cilit do të jetë edhe ai.
Në rast se nuk arrihet marrëveshje për krijimin e një grupi të përbashkët, ai ka thënë se mund t’i bashkohet grupit parlamentar të cilësdo parti, shqiptare apo joshqiptare.
Hoxha, i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e Grupit Parlamentar të Listës Serbe – e mohoi se ka pasur ndonjë lloj trysnie nga “Serbia apo kushdo qoftë”, pasi Këshillit i Sigurisë së Kosovës, ka thënë ditë më parë se Serbia po tentonte ta sabotonte “themelimin e institucioneve të reja” dhe legjislaturës së nëntë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
“Nuk më ka thirrur askush nga Serbia, nuk kam marrë asnjë kërcënim, shantazh apo sugjerim”, ka thënë Hoxha.
Megjithëse ka ngulur këmbë se nuk ka marrë asnjë sugjerim as nga Lista Serbe, Hoxha e ka pranuar se vazhdon të bashkëpunojë me partinë kryesore të serbëve të Kosovës, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Ai ka këmbëngulur se është “e natyrshme” të bashkëpunojë me Listën Serbe, duke thënë se ka bashkëpunim edhe me partitë shqiptare, si Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
“Të gjithë ne që jemi zgjedhur nga populli, duhet të bashkëpunojmë në një mënyrë për interesin e Kosovës dhe popullit të saj”, ka thënë Hoxha.
Pak ditë pas përpjekjeve të Kurtit për t’i bindur partitë e pakicave joserbe për ta votuar qeverinë e tij, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha të martën se nuk beson se formimi i qeverisë së re është i mundur pa përfshirjen e partive opozitare në koalicionin qeverisës.
Vetëvendosje i ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit, me mbi 42 për qind të votave, apo 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.
Asaj i nevojitën të paktën 61 ulëse për ta formuar qeverinë e re.
Kurti llogariste në 10 deputetët e partive të pakicave joserbe.