Adem Jashari, edhe vdekja duhet të ketë qenë e lehtë për të
Shkruan: Ahmet Jashari
Të jetosh dhe të vdesësh i lirë!? Adem Jashari është përgjigja e kësaj dileme të madhe. Kur gjithçka në Kosovë frymonte në robëri, ai nuk i bindej robërisë. Ai lëvizte i lirë sikur zog nëpër Kosovë, pa ju nënshtruar regjimit që po nënshtronte jetën e këtij vendi. Nuk e duronte izolimin, prandaj e thyente atë. Rrugën e hapte me pushkë, meqë ata që po kontrollonin rrugët e Kosovës, nuk dinin gjuhë tjetër. Ai e donte jetën dhe këtë vend aq shumë, saqë nuk e njihte robërinë. Ai nuk bëhej rob.
Kur të gjitha ngjyrat ishin të robëruara, ai vishej kuq e zi. Disa të tjerët qanin, ai këndonte. Disa të tjerë iknin, ai qëndronte. Qëndronte në kullën e tij. Aty kishte babën Shaban, vëllain Hamzën, dajën Osë. Kishte krejt familjen që ishin mësuar të lëndoheshin, por jo të vajtonin.
Çka ishin ata? Këtë kurrë nuk do ta kuptojnë ata që pranojnë të jetojnë rrejshëm. Këtë kurrë nuk do ta kuptojnë ata që pranojnë të jetojnë të kushtëzuar nga të tjerët. Ata që pranojnë të bëhen si të tjerët. Ata që pranojnë të tjetërsohen. Ata që pranojnë të shtiren. Ata që bëhen veteranë pa qenë. Ata që ndërtojnë histori të paqena.
Ata që pranojnë ta vjedhin vendin e tyre. Ata që pranojnë të flasin për lirinë dhe që e pranojnë robërinë. Ata që shkruajnë për lirinë dhe që jetojnë të varur nga shefat që ua botojnë opinionet. Ata që prostituojnë inteligjencën e tyre në dobi të politikanëve. Të jetosh dhe të vdesësh i lirë? A ka mundësi të ndodh një gjë e tillë? Adem Jashari e bëri, prandaj u bë legjendë.
Ai gjente forcë të jetonte i lirë në kohë të robërisë, meqë nuk e pranonte atë, e sfidonte me të gjitha mjetet. Tani ka shumë mundësi që shumë prej nesh, përkundër faktit se jetojmë në liri, të jetojmë të robëruar. Jetojmë të robëruar prej injorancës që e ka përfshirë këtë vend. Të fortit e bëjnë ligjin, të diturit shiten. Disa e vjedhin, disa e djegin, ndërsa ata që vërtetë e duan Kosovën, mbeten nën hije të plaçkitësve dhe piromanëve.
Në këto rrethana liria e humb kuptimin. Dhe prapë kthehemi te Adem Jashari. Ku e gjente forcën ai njeri të jetonte i lirë? Edhe vdekja duhet të ketë qenë e lehtë për të. Të gjallë nuk e robëruan dot, ndërsa i vdekuri ka lirinë e gjithë botës. Krejt çka patë ia fali Kosovës. Këtë kurrë nuk do ta kuptojnë ata që krejt çka ka provojnë me ia marrë Kosovës.