Adem Jashari është njeriu që hyn dhe del nëpër legjendë
Bedri Islami
Lavdia u takon atyre që flijohen për vizione të mëdha (15)
Gjithë jetën, për 300 vjet me radhë, fisi i Jasharëve kishte qenë në të këputur të perit të jetës. Gjithë jetën kishte qenë vetëm një trashëgimtar, vetëm baca Shaban do të kishte tre djem. Dhe, ky fakt, tronditës deri në thelbin e tij, do ta përbënte edhe kujdesin e jetës së Ademit.
Shpeshherë, miq e dashamirë, ikshin përpjekur të largonin disa nga djemtë e vajzat e familjes së Jasharëve. Nganjëherë edhe i kishin marrë me vete dhe ishin nisur për rrugë, por në kthesën e parë nipërit e mbesat kishin bërë pas dhe ishin kthyer. Askush nuk mund t’i hiqte prej vatrës së tyre. Askush nuk mund t’i ndante nga njëri-tjetri.
Tregon Rifat Jashari: “Thirra një herë në shtëpi dhe fola me Fitimin, një djalë timin. Më tha se po lazdrohem mor babë. Lazdrohu, lazdrohu, i thashë, se tash vij në shtëpi dhe flasim për lazdrimin tënd”. “Eh babush, babush, më tha, kur të vish në shtëpi të ka marrë malli, besa të ka këputë malli e ke me e harrue lazdrimin tim”. Ka djalë, që po “lazdrohej”, në natën e 6 marsit do të vritet në oborrin e shtëpisë, duke luftuar me mitraloz, por nuk e kishte bërë mendjen të ikte nga shtëpia.
Në netët e njohura të marsit, kur e gjithë shtëpia ishte rrethuar trefish dhe rrethimi vazhdonte të thellohej, e gjithë familja e tij ishte aty. Pak më parë, katër nipër e mbesa ishin nisur tek dajallarët, të tjerët ishin aty. Ata që mund të luftonin kishin marrë armët. Të tjerët kishin pritur se mos burrave të shtëpisë u duhej ndihma e tyre. Nuk e kishin bërë ndër mend të dorëzoheshin, të prangoheshin, të torturoheshin, të merreshin nëpër këmbë. Kishin bërë mend të vdisnin në se do të duhej.
Dhe kishin ecur deri në fund në rrugën e njohur të qëndresës, duke u bërë pjesë dinjitoze e mitit të Jasharëve. Nuk do të kishte mundur të donte Kosovën apo Shqipërinë, ashtu si i donte Adem Jashari, në se nuk do të kishte adhuruar familjen e tij dhe në se kjo familja nuk do të kishte qenë pjesë e dinjitetshme e jetës së tij.
Shembulli i katërt:
Në dhjetorin e vitit 1997 Adem Jashari dhe Grupi i Drenicës dërgojnë një letër, letra e fundit e tyre kjo, në strukturat që i takonin. Janë disa faqe, të shkruara nga Hamza dhe e firmosur nga të gjithë të tjerët. Në të gjitha rreshtat nuk është shkruar asnjë fjalë për vete, asnjë fjalë për familjen e tij dhe nuk e kishte pasur kurrë, gjithë jetës së tij, në mend një gjë të tillë. Me një respekt të jashtëzakonshëm shkruan për Abedin Rexhën dhe luftën e tij, tregon se si luftuan shokët, si vepruan për të pasur një qëndresë sa më të fuqishme dhe vetëm në fund, si duket duke e ndjerë se lufta do të ishte shumë më tepër se deri atëherë, bën një kërkesë, tepër të zakonshme, “kemi nevojë për më shumë armatim”.
Sa herë që e kam lexuar atë letër, kam menduar për njeriun që i kishte vënë shokët mbi veten e tij, që e kishte të shenjtë miqësinë dhe fjalën e dhënë, që nuk e fillonte kurrë nga vetja, por nga të tjerët.
Është i njohur fakti se Ademi ishte fjalëpakë. Nuk i donte dhe as nuk i duronte fjalët e gjata. Por e donte miqësinë me njerëzit e luftës, me njerëzit e zakonshëm, nuk u thoshte kurrë fjalën e rëndë. Sepse ndonëse nuk fliste gjatë, bile – bile fliste tepër pak, ai e nderonte fjalën.
Në gjithë rrethimin e parë, të 30 dhjetorit 1991, Adem Jashari, si e mban mend i vëllai i tij, Rifati, ka folur veç dy herë. Herën e parë i thoshte të vëllait “Veç mos e lësho frontin aty”. Herën e dytë, kur i është afruar kullës, policët serbë kishin qenë duke hyrë në oborr. Menjëherë ka hapur zjarr mbi ta, duke i sharë në atë serbishten që ai e dinte fare pak: “Ku po shkoni he nënën e çetnikëve ua …..” u ka bërtitur atyre dhe për nja 4-5 minuta aty i ka shkuar flakë e verdhë.
Askush nuk e mban mend që Adem Jashari t’i ketë thënë fjalën e rëndë. Zakonisht, si kujtojnë shokët e tij, ai për dikë që nuk e donte thoshte veç “hajt hup aty”, si për të dashur ta bënte të paqenë njeriun që nuk e dëshironte, por fjalën e rëndë nuk i a thoshte. Sepse e nderonte fjalën si rrallë kush, edhe pse e fliste në të rrallë.
Adem Jashari është njeriu që hyn dhe del nëpër legjendë, ashtu si njerëzit e zakonshëm hyjnë e dalin nëpër oborrin e shtëpisë së tyre. Mbi të gjitha miti i tij, legjenda dhe e vërteta për të ka një akt kulmor, në tri kohë të ndryshme, që lidhet me tri rrethimet që i janë bërë kullës së tij.
Çfarë ndodhi në tri rrethimet e kullave të Jasharëve?…
Një ditë para sulmit, aty nga mesdita, Rifat Jashari, gjithnjë me merakun për njerëzit e tij, bisedon në telefon me Hamzën. Pas fjalëve të zakonshme, fjala është për një armatim të rëndë, i cili mjerisht ende nuk kishte arritur në Prekaz. Edhe në qeverinë e atëhershme “të Bukoshit”, ku kishin kërkuar 600 mijë marka, për të blerë 1000 automatikë, kishin gjetur një derë të mbyllur.
“Çka i keni hallet”- pyet Rifati
“Veç po pritet momenti”- i përgjigjet Hamza.
“A keni tesha me dalë deri në verë”- e pyet përsëri Rifati, duke nënkuptuar armët.
Tjetri atje larg e kupton dhe i thotë: “Me këto armë që kemi, besoj se do t’ia dalim”.
18 orë më vonë, pas kësaj bisede në Prekaz do të nisë lufta…
Është një dëshmi tronditëse, por edhe e jashtëzakonshme. Sepse gjithçka që u zhvillua në ato tri ditë ishte e jashtëzakonshme, ishte epike, ndoshta e papërsëritshme në të gjithë historinë botërore. Nuk njoh një rast tjetër të tillë, kur 57 vetë të një fisi dhe të një ideali, do të jepnin jetën “si me le”, nuk njoh ndonjë rast tjetër, kur në tri ditë lufte, 27 vetë të një familje do të flijoheshin.
Kullat e Jasharëve në harkun kohor të shtatë viteve janë rrethuat tri herë nga forcat policore serbe, ushtarake e paraushtarake, që nga çetnikët e zakonshëm dhe deri tek kryeçetniku, krimineli i njohur Arkan. Kjo është e njohur tashmë. Është si të thuash një e vërtetë reale që pa dashur të shkon në mend se, edhe kështjella e Krujës është rrethuar tri herë, që nga jeniçerët e zakonshëm dhe deri tek sulltanët.
Të jetë rastësi? Ndoshta, por në jetën e Jasharëve janë kaq të shumta rastësitë e tilla, sa dashur padashur mendimi të shkon tek brusja e legjendave, formësimi i tyre. Ata u ngjizën me njëra-tjetrën, krejt natyrshëm, saqë shpesh herë mendon se e ke të vështirë të gjesh se ku mbaron miti dhe fillon legjenda, ku është e vërteta dhe mitizimi. Mirëpo, kur qetësisht ndjek gjithë rrjedhën e ngjarjeve, “rastësitë” që nuk janë më si të tilla, e kupton se më shumë se gjithçka ishte një domosdoshmëri, kërkesë për rilindje të kombit.
Rrethimi tri herë i Jasharëve është si në tregimet biblike, dhe po ashtu si në ato tregime, pas tyre vjen ringjallja, ringritja. Dhjetë vite pas është e natyrshme të dihet, ose më saktë të shpallet, se çfarë ndodhi pas secilit rrethim të Jasharëve, çfarë gjëje e re ndodhi në jetën e kombit, shkuan huq ata si mund të kenë shkuar shumë gjëra të tjera, apo u sendërtuan diku.
Shkurt mund të thuhej se rrethimi i parë zgjoi krejt Drenicën, mund të thuhet se rrethimi i dytë i Jasharëve zgjoi Kosovën, ndërsa rrethimi i tretë ishte akti madhor që zgjoi gjithë shqiptarët, kudo që ishin.
Rrethimi i parë bëri të ditur se ishte shpallur qëndresa dhe kjo do të vinte përmes njërit nga zërat më të ndjeshëm të rezistencës, Drenicës; rrethimi i dytë qartësoi se Kosova kishte filluar rilindjen dhe se burrat, që kishin vendosur të mos ia kthenin shpinën pushtuesit, ishin ende në Kosovë, të strukturuar rreth ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; rrethimi i tretë hodhi kambanat e zgjimit për të gjithë shqiptarët si çasti i mbrëmë dhe shansi i fundit që mund të kishim për të qenë komb i lirë në të gjitha përmasat e kombit, ose më saktë, në të gjitha përmasat e mundshme, sa më të mundshme të kombit. (Vijon)