Ademi: Akuzat e Llapit janë të pavërteta
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi të enjten në konferencë për medie, ka folur për akuzat e Llapit që FFK-ja e ka ndihmuar Prishtinën me 38 mijë euro për të mposhtur Llapin në derbin e javës së 20-të.
Kryetari i FFK-së, akuzat e Llapit i ka quajtur si të pavërteta. Sipas Ademit, klubet i marrin vetëm shumat që iu takojnë dhe asnjë cent më shumë.
“Jemi me të gjithë Komitetin këtu për ta sqaruar se ajo shumë 38 mijë euro nuk qëndron. Klubet marrin vetëm ato para që u takojnë nga Federata e Futbollit, asnjë cent më shumë. Ne do t’u ndihmojnë të gjitha klubeve aq sa kemi mundësi. Superliga i ka pagesat e të drejtës televizive, që i transmeton ndeshjet, që i kanë të rregullta, si dhe i kanë paratë e sponsorit IPKO. Secili klub i merr në baza të barabarta. Të gjithat pagesat do të verifikohen sepse të gjitha bëhen përmes bankës. Kontratat me Digitalbin, çdo klub i ka nënshkruar në fillim të sezonit. Ne nuk kemi ndikim aty, por ne jemi për t’iu ndihmuar. Për këtë arsye, kur klubet kanë nevojë t’i marrin këto para më herët, ne ua japim më herët, siç ka ndodhur me 7 apo 8 klube këtë sezon”, ka thënë Ademi, duke shtuar: “Edhe klubet të cilat shkojnë në garat e UEFA-s, Ligës së Evropës dhe Ligës së Kampionëve, ne ua japim paratë më herët për t’iu ndihmuar. Ndërsa 8 mijë euro i janë dhënë Prishtinës për akademinë e futbollit. Kjo shumë i jepet të gjitha klubeve dhe është projekt i UEFA-s”.
/Epoka e re/