Ademi betohet në FSK, më 1999 ishte fotografuar me axhën e tij në UÇK, i cili kishte zënë rob ushtarët e Serbisë
Adem Hajdari është betuar sot si ushtar i ri i FSK-së.
Në këtë mënyrë, 23 vjeçari nga fshati Bare i Mitrovicës e ndjek traditën e babait të tij, Nezirit dhe axhës Kadriut, të dy ushtarë të UÇK-së në Zonën Operative të Shalës.
Me rastin e diplomimit të tij, Hajdari ka publikuar një foto nga ceremonia e sotme, ky shihet me të dy paraardhësit e tij ushtarakë, babanë dhe axhën. Por, ai e ka shoqëruar atë fotografi edhe me një tjetër, jashtëzakonisht domethënëse, të 22 vjetëve më parë, kur, si fëmijë, qëndronte në prehrin e axhës së tij, Kadriut.
Kjo foto, siç merr vesh Klankosova.tv është bërë në fshatin Kçiq i Madh të Mitrovicës, gjatë luftës së vitit 1999, ku Ademi ishte i strehuar me nënën dhe vëllanë e tij.
Përndryshe, axha i tij, Kadriu, ose Kiku, siç e quajnë të gjithë, është i njohur bujshëm në rajonin e Mitrovicës si njëri nga ushtarët më ikonikë të Zonës Operative të Shalës. Ai ishte anëtarë i njësisë speciale të brigadës 141 “Mehë Uka”, njofton klankosova.tv.
Imazhi i tij prej ushtari “gjigant”, që pos trimërisë, veçohej edhe për shkak të flokëve e mjekrës së tij të stilit “ademdemaqian” kishte tërhequr vëmendjen e shumë fotoreporterëve të luftës, që e kishin prezantuar luftën e UÇK-së, edhe përmes tij.
Përndryshe, Kiku është edhe njëri nga ushtarët shaljanë që kishte zënë rob grupin e ushtarëve serbo-jugosllavë, në janar të vitit 1999, në Zonën e Shalës. Falë trimërisë së tij dhe bashkëluftëtarëve, këta ushtarë ishin këmbyer me një grup të madh të pjesëtarëve të UÇK-së, që Serbia po i mbante rob dhe të burgosur lufte. Me këtë veprim është thënë që Serbia e pranoi UÇK-në.