ADEMI DHE HAMZA

14 qershor 2020 | 13:04

Bedri Islami

 Lavdia u takon atyre që flijohen për vizione të mëdha (5)

 Natyrshëm vjen koha kur ai nuk mund të ishte një njeri i vetëm më. Brenda tij janë disa njëkohshëm. Arrin të kuptojë çdo lloj gjendje dhe të përshtatet në mënyrën më të zhdërvjelltë.

Të gjitha figurat që ngriti jetonin në ndërgjegjen e tij, në krah të njëra-tjetrës. Të jetonte me një peshë të tillë mbi shpatulla ishte e vështirë, por ai mund ta mbante dhe ishte i gëzuar që mund ta mbante, po qe se kjo fjalë ka vërtet ndonjë kuptim, por ai e kuptoi se sa e vështirë dhe e rrezikshme ishte.

Pjesa më e madhe e atyre që e panë në veprim, që e panë në luftë dhe jashtë saj, që e ndoqën pas dhe e dëgjuan tek fliste, tashti, kur kanë kaluar kaq shume vite dhe ridimensionojnë gjithçka që ka ndodhur, e dinë fare mirë se e ndienin se një lloj përmase e padukshme po binte mbi këtë burrë, që jetonte në kohë dhe përtej kohës. Luftonte dhe plagosej si çdo vdekatar, bënte konak dhe jepte miqësi si çdo burrë, ndante vadat e ujit dhe harrte grurin si çdo bujk, dilte në pyll dhe luante me fëmijët si çdo prind, kthehej nga lufta dhe pinte çaj sikur asgjë nuk kishte ndodhur, nderonte trimin dhe përbuzte frikën si çdo ndershmëri – por a ishte vërtet njeri i zakonshëm?

Koha tregoi se në gjithë qenien e tij jetonin dy veta: njeriu i zakonshëm dhe i pazakonshmi. Mrekullisht të dy kanë ardhur te ne.

Shikoni njeriun e zakonshëm…

Sado të përpiqesh nuk mund të gjesh në pamjen e tij të parë asgjë nga ajo që është idealizuar, vetëm më pas, pasi vështrimi yt ndalet tek sytë e tij, do të dallosh se prej tyre rrjedh një forcë e pazakontë, si një ujëvarë malore, dhe, dashje pa dashje, do të ndjehesh se je bërë qull prej stërkalave të saj. Prej këtij shikimi nuk mund të fshihesh, ai të përfshin të gjithin, të zhbiron me forcën e tij depërtuese, të bën të ndjesh në vete më shumë forcë, në se  je në miqtë e tij; ose të tkurresh, në se ia ke me të pabesë. Përballja me shikimin e tij i ka ndodhur thuajse të gjithëve që kanë pasur të bëjnë me të, aty kanë gjetur strehën dhe sigurinë, por edhe drojën e mpirjen.

Ai ka ecjen karakteristike të malësorëve të Drenicës, e avashtë dhe e ngulitur mirë në tokë, si dëshmi se jemi brezash në këtë vend dhe as që e kemi bërë në mendje të shkulemi prej këtu, ku kemi rrënjët e varret e të parëve. Hapi i tij është i lehtë; edhe kur gjoksi është i  rënduar nga armët, nuk i përthyen  shpatullat, ata lëvizin si copëra bjeshkësh së bashku me të, gjithçka e tij të afron besim dhe mirëdashje.

Mund ta shikosh me vëmendjen më të madhe për orë të tëra dhe do e kesh të vështirë të gjesh të jashtëzakonshmen, deri në çastin kur je ndalur tek sytë e tij. Aty edhe mbetesh. Forca e burrit është e shpallur aty, qëndresa po ashtu. Ai ka vështrimin e shqiponjës, ka lindur me këtë vështrim, ndoshta edhe nga që dita e lindjes së tij do të jetë 28 nëntori. Nuk mund ta quaj rastësi që lind në një ditë të tillë, nganjëherë fatthëna është edhe në një ditëlindje, ndoshta vetë përcaktimi i tij e ka kërkuar një rastësi të tillë.

Gjithçka e Adem Jasharit dëshmon se kemi të bëjmë me një njeri që është i pajisur me një vullnet të papërkulur, depërtues, ditët që kalojnë e bëjnë shikimin e tij më të mprehtë, e bëjnë lëvizjen më të lehtë, ai është, pa e ditur dhe pa e kërkuar, në pragun e kthimit të historisë në legjendë.

Asgjë e mbinatyrshme nuk është në portretin e këtij njeriu të jashtëzakonshëm, e megjithatë,në se e ke parë portretin e njohur të tij , i vendosur në mesin e fushës, ku sapo është hequr gruri, në uniformën e tij ushtarake, në dorën e djathtë mban automatikun, supeve ka hedhur pelerinën e lëkurtë, në se e ke parë qoftë edhe një herë, e ke të pamundur të ndahesh prej tij, e ndjen se ajo që është përshfaqur në qëndrimin që ai mban, në thjeshtësinë dhe në natyrshmërinë e saj, është pa asnjë dyshim diçka që ka ardhur nga mitet e legjendës, por edhe i përditshëm, njeriu dhe prijësi njëkohësisht.

Është e vështirë të jesh njeri i zakonshëm dhe prijës njëkohësisht. Vetë ideja e prijësit e bën rritjen e përmasave të njeriut, mirëpo në këtë rast ka ndodhur diçka ndryshe; përmasat e njeriut e kanë bërë prijësin. Për të qenë Miti që njohim, Prijësi i padiskutueshëm, ai u nis nga Njeriu,kjo e bën atë edhe sot më njerëzor se kurrë më parë.

Shikoni njeriun e pazakonshëm…

Tani, ne të gjithë i falemi atij. I drejtohemi sikur të jetë i pranishëm, duam të marrim mendimin e tij, përmes tij përpiqemi të verifikojmë vetveten, të miratojmë një vendim, edhe kur ai është i përmasave të mëdha.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kudo, në çdo cep të saj, u dukën fjalët “Bac u krye”. Të dukej sikur njerëzit po kërkonin edhe fjalën e tij ose, më saktë, sikur atij do i jepnin lajmin e parë. Pastaj do të prisnin fjalën e tij. U bë natyrshëm dhe u pranua natyrshëm, edhe në se nuk ishe dakord me faktin, në se ishte kryer ose jo.

Pse ndodhi kjo?

Të gjitha ngjarjet mitike që ndodhën nga ai ose rreth tij e mbushën jetën e tij të shkurtër, e cila u shndërrua në një fushë të madhe e të pakohë, kur janë mbledhur të gjitha kohërat. E shkuara hodhi rrënjë në shpirtin e tij, e ardhmja u zgjerua tej mase, duke e përpirë të shkuarën; edhe e ardhmja ishte aty, gati të lindte, sepse legjenda, që do ia shndërronte figurën, po përpunohej gjatë jetës së tij.

Ademi dhe Hamza

Do të kthehem përsëri në figurën e tij mitike, mirëpo nuk do të mund të ishte e plotë ajo nëse nuk do të kishte pranë vetes edhe pjesën tjetër të vetvetes, Hamzën, vëllanë, i cili aq sa është i ngjashëm me të, aq ka edhe ai të veçantat e dallueshme.

Hamza është më i gjatë në shtat, ka një ecje disi më të rëndë dhe është më i çelur, në bisedat e odave është prijës, ai u ngjet burrave të moçëm që e nderonin kuvendin si shenjë të mençurisë dhe të fisnikërisë. Zakonisht nuk ngutet, bën një jetë më të gjallë, nëse në jetën e  zakonshme është luftëtar, ka momentet e tij të dobësisë dhe i pëlqen teatri, ai është pjesa e munguar prej vitesh dhe njëkohësisht parafytyrimi më i saktë i malësorit drenicas, që e ndien se ajo, e cila është bërë nga brezat është e respektueshme, por çdo brez ka detyrën e tij për të bërë diçka më tej se të parët. Nuk hedh gurë mbi ata që shkuan, përkundrazi i jep mirënjohjen e tij, i lidhur me Fisin dhe me njerëzit në përditshmëri dhe në momentet e luftës, ai është mentari, që i duhet burrave,kur lufta ende nuk ka filluar dhe shembulli, kur lufta ka filluar.

Ka mjaft shembuj të vëllezërve, që kanë qenë më shumë se vëllezër për njeri tjetrin. Fundja vetë mitet tona e kanë të përbashkët Mujin e Halilin. Megjithatë, në këtë rast, ka edhe më shumë  se miq e vëllezër. Ata kanë një jetë të përbashkët, së bashku me vëllanë e madh, Rifatin, ata i kanë të përbashkëta 19 hektarët tokë, livadhe e pyje, kullat e mjetet e punës, kanë ndërtuar një jetë të përbashkët përmes halleve e derteve, në çastet e vështira e kanë ndjerë mbështetjen në shpatullat e njëri tjetrit,e përsëri e kanë edhe një lidhje me shumë,  fëmijët e tyre kanë dajallarë të përbashkët, sepse janë martuar me dy motra,nipërit e mbesat do të jenë rishtas risjellës të ndjenjës së Fisit dhe të ngulitjes.

Ademi dhe Hamza janë shokë të njëri tjetrit, por në familjen e tyre secili ka hisen e vet. Ademi e respekton vëllanë e tij, jo vetëm nga fakti se është më i madh, por ia di zemrën, ia njeh shpirtin, e njeh fare mirë botën e tij shpirtërore dhe mbështetet tek zemra, shpirti dhe bota e tij. Ademi bën kujdes kur janë në të njëjtën odë burrash me të vëllanë, qofshin në odën e tyre të burrave, qofshin mysafirë. Ia njeh të drejtën e fjalës së parë, e dëgjon mendimin e tij; bën kujdes të zërë vend, pasi ai të ketë zënë vendin e tij, nuk është shenjë patriarkaliteti kjo, është dëshira e respektit. Kur Hamza flet, ai e miraton fjalën e tij, ose duke tundur kokën lehtas, ose duke shtuar diçka të vogël, e di se fjala e Hamzës është edhe fjala e tij. Të dy e duan fort vendin amë, Shqipërinë, por Ademi e respekton të vëllanë edhe nga fakti se e shkruan aq bukur gjuhën shqipe, në shtëpi janë të barabartë, por në barazinë e tyre, Ademi ia njeh përparësinë vëllait të tij më të madh. Ai bën kujdes edhe kur ecin me njëri tjetrin, qëndron paksa më pas, ndoshta edhe fare pak, një vijë ndoshta e padukshme, por ndodh kështu. Në çastet kur ata janë në rrethrrotullimin e kullave të tyre, të duket sikur rastësisht, krejt rastësisht Hamza ecën paksa përpara, por kjo si duket ka qenë e natyrshme, kod i pashkruar mes vëllezërve.

Ndodh ndryshe në rrethanat e luftës, megjithëse nuk ka ndonjë dallim të madh mes tyre, përsëri, ndoshta vetvetishëm, tashmë përparësia shkon tek vëllai i vogël. Hamza, po ashtu, e njeh shpirtin e madh të vëllait të tij, e di fare mirë se në këtë hapësirë të pafund e të paanë, ka vend për shumëkënd, ose më saktë, ka vend për të gjithë ata që e kanë bërë në mend të luftojnë. Hamza e di se lufta nuk është pasioni i vëllait të tij, por është detyrimi. Armët janë pasioni, por e di krejt mirë, se vëllai i tij i vogël, ashtu si është i lidhur me armët, ashtu është i lidhur me tokën, me pyjet, me drujtë kah lulëzojnë, me erën e mirë të livadheve të sapo korrur. Mirëpo në luftë, si në luftë. Ai e dëgjon Ademin, sepse , ndonëse janë të një trungu, e di se në luftë ka vend për një prijës, e di se vitet që kanë shkuar kanë gdhendur tashmë tek vëllai i tij, tiparet e prijësit.

Themeli i lidhjes së tyre ishte besimi. Ata do të besonin verbërisht tek njëri tjetri, aq sa do të kishin jetë të përbashkët, luftë të përbashkët dhe përjetësi të përbashkët. Tek njëri tjetri ata kishin sigurinë, vazhdimin dhe ngulitjen e idesë, se mund të ishte e nevojshme edhe për sakrificën sublime. Në se njëri prej tyre do të ishte tërhequr nga ideja e flijimit dhe do të ishte trembur prej saj, asgjë nuk do të kishte qenë e plotë. Ata kishin të përbashkët mbështetjen e fuqishme të Shaban Jasharit, babës së tyre, të nënës, Zahides,mbesë e fisit të njohur të Shaban Polluzhës,  e kishin shtrirë mbështetjen tek fëmijët dhe të afërmit, e kishin shumuar veten brenda familjes dhe Fisit, dhe tani po bëheshin gati ta shumonin veten brenda gjithë Kosovës. Do të dukej kjo një ëndërr e madhe për dy vëllezër, mirëpo si u dëshmua, ëndërrimi i tyre kishte qenë i saktë, bile kishte shkuar edhe përtej asaj që kishin ëndërruar në ditët më të mira, sepse kishte kapërcyer kufijtë e Kosovës dhe kishte hyrë në përmasat e çdo familje shqiptare. Askush nuk do të mund të kishte ëndërruar se mund të bëhej kjo, mirëpo fara e mendimit të tyre ishte hedhur në një tokë të pllehshme drenicase, ishte rritur në tërë bjeshkët e luginat përreth, dhe befas ishte bërë ëndërr e kombit.

Ata kishin qenë të gatshëm të flijoheshin për hir të ëndrrës, kjo edhe sepse ishin së bashku, sepse nëse njëri do të ishte parathënia e qëndresës, tjetri do të ishte përmbyllja e saj. Asnjë kohë nuk ka sjell vëllezër të tillë dhe lumturisht që ajo u bë e përmasave shumë më të gjëra sesa kufijtë e Prekazit apo të Drenicës. Legjenda e vëllezërve dhe e vërteta e tyre u bë dukuri e zakonshme e luftës në Kosovë. Ajo kapërceu pragun e kullave të Jasharëve dhe doli në dimensione të tjera deri sa u bë fenomen i zakonshëm. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për nder të 14 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Dhurimit Vullnetar…